MENU
klinika

Nesër hiqet ora policore

Manastirliu mesazh qytetarëve në prag të ndërrimit të viteve

30.12.2021 - 17:08

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në prag të ditës së ndërrimit të viteve, ka takuar mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv, për t’iu shprehur mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në gjithë këto muaj të vështirë të përballjes me pandeminë.

Ministrja u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, që gjatë festave të fundvitit, të tregohen të përgjegjëshëm për të respektuar masat e vendosura.

“Është e rëndësishme thirrja për të gjithë qytetarët që në këto ditë festash duhet të tregohemi të kujdesshëm; të kujdesshëm për të ruajtur dhe për të zbatuar protokollet që ne kemi; të kujdesshëm për të mos mundësuar qarkullimin e covid brenda ambienteve të mbyllura dhe duke siguruar që edhe në festat e vogla familjare që do të kemi në datën 31, të mundet që të jemi të vaksinuar dhe të garantojmë që askush të mos preket nga kjo sëmundje.

Kjo është një përgjegjësi patjetër e institucioneve por është edhe një përgjegjësi individuale, është një përgjegjësi morale, është një përgjegjësi qytetare, është një përgjegjësi e shoqërisë në mënyrë që të ruajmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin e njëri-tjetrit dhe të mbrojmë në tërësi shëndetin e gjithë qytetarëve tanë”, apeloi Manastirliu.

Sipas Manastirliut, qytetarët duhet të vaksinohen sa më parë, edhe në kushtet e variantit të ri Omicron.

“Askush nuk ka dëshirë që ne të kemi rritje të rasteve të infektimit. Por këtë e kemi në dorë të gjithë së bashku për ta frenuar. Sistemi shëndetësor është në këmbë nëpërmjet gjithë rrjetit të vaksinatorëve për të mundësuar pikërisht vijimin e vaksinimit dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha Manastirliu.

Kujtojmë që Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që vetëm në datën 31 dhjetor, natën e ndërrimit të viteve nuk do të ketë orë policore.