Historia mesjetare e zonës së Oroshit dhe vendbanimit, që pas shek. XVI, gradualisht i dha emrin e gjithës krahinës në shtrirjen e saj etno-gjeografike, sipas disa dokumenteve të kohës…/Konica.al
Nga: ”MIRDITA:Histori dhe aktualitet”
Në një relacion mbi gjendjen e abacisë së Mirditës (Shën Llezhdrit në Orosh), date 13 korrik 1665, ndër të tjera thuhet:
“Kur në kishën e Shën Llezhdrit banonin abatët murgj, në vendit ku gjendet qela famullitare (e kishës së Shën Nikollit në Mashtërkor), aty gjendeshin fshatrat e Skandajt në qendër të maleve të Mirditës. Sot për sot gjenden ngjitur me qelen e lartpërmendur famullitare. Përveç këtyre murgjit kanë gjetur edhe dy fshatra të tjerë që i përkasin kësaj famullie, njëri quhet Dajçi dhe është në malet sipër abacisë së Shën Llezhdrit. Fshati tjetër është ‘Senebriagni’, i cili gjendet matanë lumit Fandi i Vogël, rrëzë maleve. Secili ka nga një kishë të shkatërruar ku kremtohet mesha në rast nevoje; njëra i është kushtuar Shën Vlashit dhe tjetra Shën Mërisë…. kisha e abacisë mbetet në mes, e kështu ‘mirditasit’ që patën ardhur të banojnë në token e abacisë nuk mund të ndërtonin vetëm ata të dy një famulli, pasi ishin vetëm dy vëllezër të quajtur mirditas ‘Merediti’…” (relacion i marrë me shkurtime)
• Relacioni është botuar nga albanologu Peter Bartl, në “Albania Sacra”, 1 Diözese Alessio, në vitin 2007.
Sipas relacionit, duke u bazuar në atë çka kishte pohuar abati i Shën Llezhdrit, Gjon Pal Trumshi (me shumë gjasa ishte nga zona e Rubikut), në kohën kur në abacinë e Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë jetonin abatët murgj (dmth para pushtimit osman, pasi pas pushtimit osman në shek. XV murgjit benediktinë janë larguar), në zonën e Oroshit ishin tre fshatra: Skanda, Dajçi dhe “Senebriagni”.
• Fshati Skanda, sipas relacionit, ishte në vendin ku gjendej qela famullitare në vitin 1665, dmth qela e kishës së Shën Nikollit në Mashtërkorë (që në atë periudhë ishte kishë famullitare). Mashtërkori, si vendbanim i fisit të hershëm të Skanajve (Skandajve), në periudhën para pushtimit osman njihej me emrin Skanda, e sigurisht që kishte edhe familje nga fise të tjera të Oroshit, çka përkon edhe me tradicionin e njohur. Po ashtu, kemi fshatin Skanda në zonën e Rubikut (diku mes Katundit të Vjetër dhe Velës), i përmendur që në shek. XV. Në një dokument venecian të vitit 1458, përmendet si pjesë e zotërimeve të familjes së Nikoll Dukagjinit.
• Fshati Dajçi, sipas relacionit ndodhej në malet sipër abacisë së Shën Llezhdrit. Mbi fshatin Mashtërkor dhe në afërsi të Grykë-Oroshit, është toponimi “Dajç”, kur ruhen edhe gjurmë (rrënoja) të vendbanimit. Fshati i Dajçit (në Orosh), përmendet edhe në relacionin e Mark Skurës, drejtuar Kongregacionit të Propaganda Fide në vitin 1637. Emrin “Dajç” në dokumentet e shek. XV, e hasim si antroponim edhe në vendbanimet përgjatë lumit të Urakës (Selitë). Në Selitë, në lindje të Lufajt, ndodhet fshati i Dajçit. Në mesjetë kemi dy vendbanime me emrin Dajç, në Orosh dhe Selitë. Në kuvendin e Madh të Dukagjinit, të mbajtur në vitin 1602 në abacinë e Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit, ku morën pjesë 2565 delegatë nga disa krahina të Shqipërisë, ndër përfaqësuesit e krahinës së Dukagjinit (Mirditë-Pukë) ishte edhe Geg Dajçi.
• Fshati “Senebriagni” (në transkripcionin italian), sipas relacionit, gjendej matanë lumit Fandi i Vogël, rrëzë maleve, e kishte një kishë kushtuar Shën Mërisë. Ky fshat bri lumit të Fandit të Vogël, ishte Shmria (e Oroshit), që e ka marrë emrin nga kisha mesjetare e Shën Mërisë e njohur ndër dokumente edhe si Shën Mëria e Fandit të Vogël.
Sipas relacionit, në famullinë e Mirditës, që kishte në juridiksion vendbanimet e zonës së Oroshit, të fundit që ishin vendosur aty ishin dy vëllezër të quajtur “mirditas”. Sipas relacionit duke u referuar në atë çka kishte pohuar Ipeshkëvi i Dioqezës së Lezhës, Gjegj Vladanji, rreth vitit 1485 ishte ndërtuar edhe kisha famullitare e Shën Nikollit (në Mashtërkorë)… Sipas abatit të Shën Llezhdrit, Gjon Pal Trumshi, kisha famullitare e Shën Nikollit, ishte rindërtuar nga Dom Ndre Reçi 12 vite më herët (viti 1653). Theksohet edhe fakti, që abacia benediktine e Shën Llezhdrit, kishte qënë në juridiksionin e Dioqezës së Arbërit në të kaluarën, çka përkon edhe me dokumentet e shek. XIV-XV. Relacioni nuk e thotë se nga kishin ardhur këta dy vëllezër “mirditas” në shek. XV, por thekson faktin që në Orosh kishte popullsi vendase dhe tre fshatra. Relacioni ka vlerë të madhe historike, pasi hedh dritë në një periudhë që për mungesë dokumentacioni është cekur pak nga studiuesit, por shpesh edhe është keqinterpretuar….
Relacioni që referohej në informacionet e dhëna nga Ipeshkëvi i Dioqezës së Lezhës, Gjegj Vladanji, dhe abati i Shën Llezhdrit, Gjon Pal Trumshi, të cilët kishin jetuar prej vitesh me banorët e këtyre anëve e kishin informacion të zgjeruar për famullinë e Mirditës (Oroshit), nuk e ka cilësuar nga kishin ardhur këta dy vëllezër, ndoshta për faktin se kishte një rikthim në trojet e tyre, ashtu siç shkruan edhe Dom Prend Suli: “pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, mirditas (nga zona e Oroshit) u vendosën në Pashtrik (mal e krahinë), për tu kthyer më vonë përsëri në vendin e tyre.”
Relacioni në fjalë, përmend problematikat që këta kishin me klerikët, por jo me banorët vendas në zonën e Oroshit… Edhe studiuesi Xhemal Meçi, pas një studimi të gjatë në terren, duke ju referuar traditës vendase, në librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit, në variantin e Mirditës” ndër të tjera përmend disa fise të hershme në Orosh. Studiuesi Meçi, përmend edhe faktin që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, për tu mbrojtur nga osmanët, një pjesë shkuan në Pashtrik, për tu kthyer më vonë përsëri në vendin e tyre në Orosh.
Edhe tradita vendase, thekson faktin që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, disa familja nga Oroshi u vendosën në Pashtrik, e më vonë një pjesë prej tyre u rikthyen përsëri në trojet e tyre në Orosh, çka përkon disi edhe me të dhënat që jep relacioni në fjalë.
Edhe prof. Mehmet Vokshi, në librin “Fisi Vokshi. Fiset shqiptare. Kosova zemra e Shqipnies”, botim i vitit 1931, shkruan: “Mirditasit (apo Fandasit) që kishin ngelë fushave prej Zadrime e deri në Bregun e Matit, shtërngohen me u tërhjekë e me dalë tek tjerët afrie të tyne në Mirditë ku gjenden sot..” Pra është theksuar fakti i migrimit të brendshëm mes krahinave, por edhe rikthimi përsëri në trojet e tyre, në rrethana të caktuara historike. Megjithatë prof. Vokshi i referohet një periudhe më të hershme.
Por le ti kthehemi dokumenteve të kohës. Emri Mirditës, përmendet si antroponim që në fillim shek. XV. Sipas kadastrës së Venedikut për krahinën e Shkodrës, viti 1416-1417, në Manzabardh, fshat në afërsi të Drinit, jetonin Gjon dhe Pjetër Mirdita, të ardhur nga viset në mes luginave të lumenjëve Fand e Mat. Sipas defterit osman të vitit 1467 për sanxhakun e Ohrit, në Selitë banonte Gjon Mirdita, e në Berzanë banonte Pjetër Mirdita (një nga fiset e hershme të Bërzanës, sipas traditës familjare janë të ardhur nga Oroshi rreth shek. XV). Ndërsa në Suhadoll të Dibrës banonte Ndre Mirdita, e në Shipshan, po të Dibrës banonte Gjon Mirdita. Sipas regjistrave kishtare, në Catanzaro dhe Mezzojuso (Itali), në vitet 1444-1448, kemi të vendosura disa familje arbërore me mbiemrin Mirdita. Në vitin 1461, emrin Mirdita e hasim si mbiemër tek arbërorët e Greqisë.
Sipas regjistrave osman të vitit 1529, fshati Mirditë në nahijen e Fandit të Vogël (Vilajeti i Dukagjinit) kishte 41 shtëpi. Dmth 44 vite pasi ishte ndërtuar kisha famullitare e Shën Nikollit (sipas pohimit nga Ipeshkëvi i Dioqezës së Lezhës, Gjegj Vladanji), fshati Mirditë kishte 41 shtëpi, çka tregon se vendbanimi ishte më i hershëm se koha e vendosjes së tyre (vëllezërve) në Orosh dhe kishte popullsi vendase, çka përkon edhe me tradicionin e njohur. Numri i madh i objekteve të kultit në zonën e Oroshit, është tregues i rëndësishëm edhe për numrin e popullsisë në periudhën mesjetare.
Duke u referuar në dokumentet e shek. XV (përmendjen e emrit “Mirditë” si antroponim, etj), traditën vendase dhe relacionin në fjalë, studimin e të dhënave etnografike, toponimike, etj, mendojmë që kemi një rikthim të pjesshëm në trojet e tyre (në Orosh) të familjeve të larguara, çka përkon edhe me studimet e autorëve të ndryshëm që janë referuar kryesisht në traditën e banorëve vendas.
Për herë të parë krahina me emërtimin Mirditë, përmendet në një relacion për Raguzën, Bosnjen dhe Shqipërinë, të mes shek. XVI, ku thuhet: “…Nga Shkodra, 4 orë udhëtim me kalë, është qyteti i Lezhës, me lumin e bukur të quajtur Drin. Në këtë qytet ndodhen dy pjesë katolike dhe një pjesë turq (?). Në malet e Lezhës ndodhen fshatra të quajtura Mirditë, të banuara nga katolikë, me 12 000 luftëtarë, të gatshëm për çdo komandë; në atë vend komandonte Ro. Marku (Gjo Marku?), tashmë komandën e ka i biri….”
• Relacioni është botuar nga S. Ljubiç në “Starine”, Vol. XII, në vitin 1880. – Eshtë botur (pjesërisht) edhe nga albanologu kroat, Milan Sufflay në librin “Serbët dhe Shqiptarët”, viti 1925.
Emrin Mirditë, fillimisht e mbante një vendbanim bri luginës së Fandit të Vogël, e më pas një famulli që kishte në juridiksion fshatrat e zonës së Oroshit. Pas shek. XVI, gradualisht, emrin Mirditë e mori e gjithë krahina në shtrirjen e saj etno-gjeografike, që më pare njihej me emrin Fandi, apo Ndër-Fanda (të paktën nga shek. XII-XIII). Rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur familja kapidanore e Gjomarkajve dhe abacia e Shën Llezhdrit në Orosh, që ka qënë qendra kishtare më e rëndësishme e krahinës. Vendshtrirja e krahinës së Mirditës, si pjesë e zotërimeve të familjes së Dukagjinëve, në dokumentet e shek. XIV-XV-XVI, përmendet edhe si “Dukagjin”.
Përmendja e një pjese të madhe të vendbanimeve të vendshtrirjes së krahinës së Mirditës në dokumentet e shek. XV, ruajtja e toponimisë (emërtimet e vendbanimeve), tregon vazhdimësi të banimit (pavarësisht lëvizjes së ndërsjelltë, ardhje dhe largime në rrethana të caktuara historike), por tregon edhe për një numër të konsiderueshëm të popullsisë, gjë që është reflektuar edhe në rezistencën antiosmane në udhëheqjen e Dukagjinëve dhe Kastriotëve.