Ministrja e Arsimit Evis Kushi, bën me dije se nisur nga rasti i fundit në Berat ka firmosur një urdhër që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve.
Kujtojmë që Engjell Bregu, një mësues i dënuar për pedofili u ripunësua, por pas reagimit të fortë të qytetarëve ai u shkarkua sërish.
REAGIMI I EVIS KUSHIT
Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.
Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor. Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarrë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.