MENU
klinika

Sa para do ndahen në 2022, 2023 e 2024

Ndryshon skema për financimin e ndërmarrjeve

26.12.2021 - 15:02

Qeveria shqiptare po rishikon terësisht skemën e mbështetjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla e të mesme. Në këtë kuadër, parashikon ngritja e një këshilli që kryesohet nga ministri I Financave dhe Ekonomisë dhe që do të përbëhet nga 18 anëtarë me eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vite në fushën e ekonomisë dhe në mbështetjen e zhvillimit të biznesit.

Anëtarët e Këshillit emërohen me urdhër të ministrit, pas propozimit nga institucionet apo organizatat biznesit për një mandat 3-vjeçar, me të drejtë riemërimi.

Për herë të parë, mbështetja shtetërore për NMVM-të është e strukturuar në format, si vijon:

– Mbështetje financiare nga buxheti i shtetit;

-Mbështetje financiare nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj;

– Garanci shtetërore të huas sipas ligjit në fuqi për borxhin dhe garancitë shtetërore, në zbatim të politikave të veçanta të qeverisë, në përputhje me parimet dhe rregullat fiskale mbi qëndrueshmërinë e borxhit publik si dhe kufizimet e borxhit shtetëror e të garancive shtetërore të huave;

-Shërbime publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, sipas përcaktimeve në këtë ligj.

Portali elektronik i AIDA-s për ndërmarrjet

Projektligji përcakton detyrimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve për të administruar një portal elektronik për instrumentet financiare të krijuara me fonde nga buxheti i shtetit dhe me donatorë. Çdo institución, që ofron mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme ngarkohet që brenda 5 ditëve përpara filllimit të zbatimit të skemës të paraqesë një informacion pranë AIDA-s.

Më këtë projektligj sigurohet dhënia e mbështetjes shtetërore nëpërmjet ofrimit të shërbimeve mbështetëse që do të konsistojë në:

– sigurimin e informacionit;

– këshillimin;

– zhvillimin e biznesit;

– trajnimin;

– zhvillimin profesional apo ritrajnimin;

– dhënien e shërbimeve metodologjike për ndërmarrjet dhe personat fizikë që synojnë të krijojnë një ndërmarrje;

– çdo informacion tjetër për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve.

Objektivat dhe rezultatet e synuara të projektligjit janë:

– Rritja e mbështetjes për NMVM-të me 50%;

– Rritja e aplikimeve për teknologji të reja nga zero aktualisht në 50% brenda vitit2022;

– Rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja me, rritja e numrit të të punësuarve si edhe futja e instrumenteve të reja financiare me 10%, respektivisht për çdo tregues;

– Rritja e shkallës së përthithjes së granteve me 100% nga bizneset

Në këtë projektligj janë llogaritur si kosto për buxhetin e shtetit shuma për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nëpërmjet AIDA-s, në formën e mbështetjes financiare (grante) dhe shërbime mbështetëse (si trajnim, këshillim etj).

-Në vitin 2022 janë parashikuar kosto, gjithsej, 51 500 000 lekë, e cila përfshin grante 50 000 000 lekë, krijimin dhe funksionimin e sektorit të trajnimit 1 500 000 lekë.

-Në vitin 2023 janë parashikuar kosto, gjithsej, 53 000 000 lekë, e cila përfshin grante 50 000 000 lekë, funksionimin e sektorit të trajnimit në shumën 3 000 000 lekë.

-Në vitin 2024 janë parashikuar kosto, gjithsej, 53 000 000 lekë, e cila përfshin grante 50 000 000 lekë, funksionimin e sektorit të trajnimit në shumën 3 000 000 lekë.