MENU
klinika

Eliminimet nga Champions

Nisi nga Parisi, 10 humbjet e turpshme të Barcelonës

09.12.2021 - 17:51

Barcelona pas 20 vitesh do të jetë e detyruar të luajë në Europa League në fazën me eliminim direkt dhe jo në Champions. Ajo e pësuar të mërkurën në mbrëmje kundër Bayern Munich ishte humbja e 10-të e turpshme e pësuar nga Barcelona në katër vitet e fundit.

Vendosja e Xavi-t në drejtim të skuadrës duhej të ishte fillimi i një epoke të re për katalanasit, por muzika nuk ka ndryshuar, me bavarezët që kanë treguar përsëri se janë shumë më lart se spanjollët.

Nuk është e drejtë të fajësohet shumë Xavi për këtë dështim, duke parë se problemet kanë filluar shumë më parë. Në të vërtetë, e para nga 10 humbjet e turpshme ka qenë në 2017-ën në Parkun e Princave kundër Paris Saint-Germain.

Ajo humbje 4-0 është dukur pothuajse si një aksident, duke parë se i ka ndodhur një skuadre që kishte në përbërje Lionel Messi, Neymar dhe Andres Iniesta. Dhe “remontada” 6-1 në Camp Nou ka mbuluar problemet që u zbuluan në ndeshjen e luajtur në Francë.

Megjithatë, ka qenë një shenjë se një epokë po mbaronte, dhe humbja 3-0 kundër Juventus-it tri javë më mbrapa e konfirmoi këtë, ashtu si largimi i Luis Enrique dhe Neymar.

Rezultatet zhgënjyese në Europë erdhën shumë shpejt në sezonet pasardhës, me përmbysjen 3-0 të pësuar kundër Roma-s në 2018-ën që është pasuar me turpërimin 4-0 kundër Liverpool-it.

Por më e keqja nuk kishte ardhue akoma me humbjen tronditëse 8-2 të pësuar kundër Bayern-it në 2020-ën, një rezultat që ka shtyrë Messi-n të kërkojë largimin nga Camp Nou. Pleshti ka qëndruar në fund, por turpërimet kanë vazhduar, me një humbje 3-0 të pësuar kundër Juventus, që është pasuar nga një dështim 4-1 ndaj PSG.

Një situatë të tillë i ka bërë të parashikueshme dështimet e fundit, por kjo nuk do të thotë se kanë qenë më pak të dhimbshme, duke u mundur dy herë 3-0 kundër Bayern dhe 3-0 nga Benfica. Këto kanë qenë 10 netët e makthit në Champions për Barçën, dhe tani do të vijë turpi i rënies në Europa League.

Askush nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë në 2017-ën, por kjo ka qenë periudha më e keqe në historinë e viteve të fundit të Barçës dhe duket se do të vazhdojë edhe për pak kohë. Xavi dhe Joan Laporta kanë shumë punë për të bërë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Champions League, ndeshjet e fundit në grupe

Bayern pa mëshirë, Barcelona kalon në Europa League