Nëse shpikjet e tyre ndryshua botën, për ata vetë, pra shpikësit, këto arritje kanë rezultuar deri fatale. Pikërisht personat që u përpoqën të krijonin shpikjet e së ardhmes, u bënë viktimat e tyre.
Për Franz Reichelt, William Bullock, Henry Smolinski, Marie Curie, Alexander Bogdanov dhe John Day arritja pati pasoja jetësore.
Franz Reichelt ose “Rrobaqepësi fluturues” ishte një austriak i lindur në Francë, në vitet 1900, i cili dizenjoi një parashutë që mund të vishej e që dukej më shumë si një rrëmujë copash e telash. Megjithatë, ky detaj, nuk e ndaloi aspak ta provonte pajisjen, duke u hedhur nga kulla ”Eifel” në shkurt 1912. Ai kishte aq besim në shpikjen e tij, sa njoftoi shtypin për ta dëshmuar “ këtë mrekulli”. Asgjë nuk shkoi sipas planit, ai u hodh dhe ra plumb drejt tokës, duke thërrmuar kafkën, shpinën dhe kockat, që i shkaktuan vdekje thuajse të menjëhershme.
William Bullock, një nga shpikësit e shtypshkronjës moderne, ideoi në vitin 1863, një pajisje që shkurtonte kohën e shtypjes pasi përdorte një rul letre, që i përshtatej formave të prototipit. Më pas, ajo printonte në të dyja anët e letrës dhe e priste letrën para ose pas shtypjes. Ai zbuloi sa e pasigurtë ishte shpikja e tij, në një mënyrë mjaft të dhimbshme: këmba i ngeci në njërën prej presave, sa u copëtua dhe iu krijua gangrenë. Ai vdiq 9 ditë më vonë, gjatë operacionit të amputimit.
Thomas Midgley Jr. ishte një inxhinier nga Pensilvania, i njohur si “shpikësi më dëmtues” i historisë, pasi shpiku benzinën me plumb, një altërnativë vërtet e dëmshme për planetin. Por, nuk ishte shpikja e tij, që e vrau atë. Ai vrau veten aksidentalisht, pasi ngeci në litarin që kishte sajuar për t’u ngritur nga shtrati, për shkak të sëmundjes së poliomielitit që kishte kaluar.
Henry Smolinski provoi fatin në shpikjen e një makine fluturuese, që përfundoi në një hibrid mes një makine dhe një avioni. Gjatë testimit të fluturimit, 11 shtatorin e vitit 1973, një nga mbajtëset e kahut të avionit u shkëput gjatë kohës që pajisja ishte në ajër. Makina ra me shpejtësi të rrufeshme dhe Smolinski nuk i mbijetoi aksidentit.
Lista nuk mund të ishte e plotë, pa emrin e Mari Kyrisë. Kimistja e famshme, e njohur për studimet rreth poloniumit e radiumit shndërroi përgjithnjë mjekësinë me shpikjen e saj, pajisjen e parë radiologjike të lëvizshme. Shpikja e saj, gjeti vend menjëherë në fushëbeteja ku përdorej për të gjetur plumbat, apo sendet e mprehta në trupat e ushtarëve. Mjerisht, shpëtimi i të tjerëve u bë vrasësi i saj. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve X është pranuar si shkaku i anemisë plastike, që i shkaktoi vdekjen. më 4 qershor 1934.
Alexander Bogdanov, një shkencëtar rus, i njohur për transfuzionin e gjakut e madje, duke e provuar vetë. Më 1924, ai nisi të shkëmbente gjak me disa prej pacientëve të tij, por 4 vite më vonë, gjatë eksperimentit të fundit, zgjodhi një student të tijin, i cili vuante nga malaria dhe tuberkulozi. Studenti u shërua plotësisht nga procedura, por vetë Bogdanov, nuk pati të njëjtin fat.
John Day, marangozi anglez, ka nderin të jetë viktima e parë regjistruar nga mbytja. Më 1774, ai ndërtoi “dhomën zhytëse të drunjtë”, që duhej të qëndronte nën ujë, në thellësinë 40 metra për 12 orë, derisa ai më pas, të ngjitej për të marrë ajër. Por, më 22 qershor të atij viti, “nëndetësja” e quajtur “Maria”, e ngarkuar me pesha, u fundos, së bashku me John Day.