MENU
klinika

Të lemit e Krishtit!

Sipas Fishtës e Çabejit: çfarë është Kërshëndella

26.12.2021 - 12:55

         Sipas profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi dhe Majeri (albanologë) e nxirnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje, apo përtëritje e çdo gjëje.

Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore, nuk mund të mohohet.

Për herë të parë, fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.

Pra, fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”.

Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmeve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së
Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.

Tradita e lashtë shqiptare e festës

Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit.

Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të kqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nis jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambel të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë.

Poeti Don Prenkë Ndrevashaj i këndon kështu, në poemthin “Buzmi”**:

Ushton flaka lakmueshem e i perqafet

Njanit unak herë tjetrit,

Si Foshnja Ejllore;

Rroket me zemra të përgjumshme

e u uron kënaqe e bekim!”

Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes rranxave të vetmueme:

“O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí

te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,

E me duhma t’ortekut ktu për bri!

Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”**

 

 

(* Çabej “Studime Gjuhësore” Rilindja, Prishtinë, 1976, fq.280** Don Prenkë Ndrevashaj “ Buzmi”, “Hylli i Dritës” 1-2, Tiranë, 1994 fq. 65-66.)