Të flasësh përmes gjuhës së artit, mbi fenomenin “Mephisto”. Pikërisht këtë zgjedh të mundësojë Teatri Kombëtar Eksperimental. Në përmbyllje të sezonit artistik të fundvitit, për publikun artdashës vjen premiera “Unë Mefisto” bazuar në veprën “Fausti”, të Johann Volfgang Gëtes.
“Fausti” është kryevepra e Gëtes, njëherazi një ndër veprat më të qëndrueshme në historinë e letërsisë botërore. Në një farë mënyre, është testamenti i gjithë jetës së poetit e mendimtarit të shquar.
“Fausti” nuk i drejtohet shijes së njeriut, por mendjes. Historia jonë mijëravjeçare njerëzore na mëson se, pa mendjen, nuk mund të hedhim as edhe një hap të vetëm përpara, as individualisht e për më tepër, as si shoqëri.
E sërish, “Fausti” i drejtohet me mënyrën e vet gjeniale, edhe shijes së njeriut. Së pari, sepse nuk ka bukuri njerëzore, që të mos jetë e krijuar nga mendja e njeriut. Së dyti, sepse një krijesë e vërtetë e mendjes njerëzore është patjetër e bukur, pavarësisht nëse produkt material ky, apo një krijim shpirtëror, nëse është një shfaqje e talentit të saktësisë shkencore, apo krijim i fantazisë artistike.
Në të vërtetë i tërë “Fausti” përcillet rreth disa pyetjeve-bosht: Ç’është jeta njerëzore? A është ajo një gëzim? Nëse po, a qëndron gëzimi i jetës te dëfrimi, madje vetëm te dëfrimi?
Në konferencën prezantuese të premierës, regjisori Altin Basha dhe producentja Ema Andrea e cilësuan projektin artistik një shfaqje provokative për publikun, ku në qendër janë artistët e rinj.
“Është një shfaqje provokative, e veçantë, e thellë, me mjete shprehëse. Është një teatër total, shumë ekspresiv, të bën të mendosh.
Ke çfarë shikon, madje ke dhe çfarë të mësosh”- shprehet regjisori Basha.
“Fenomeni ‘Mephistofel” nuk ka rëndësi nëse është për herë të parë. Për mua është shumë e rëndësishme që në dimensione pakohore, vajtje-ardhje flitet për këtë fenomen me të cilin jetojmë, por pak e identifikojmë dhe akoma më bukur është që për fenomen po flasin në formë artistike në gjuhë artistike teatrore disa breza”- shprehet, Ema Andrea.
“Unë Mephisto”, vjen si premierë me regjinë e boshnjakut Dino Mustafic, njëherësh projekt artistik si bashkëpunim ndërballkanik, me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Serbia.