MENU
klinika

''Pro dhe kundër''

UFO: a është koha për të ”rizbuluar” universin?

29.12.2021 - 09:38

           Nga: Tim Gallaudet & Avi Loeb

Shekullin e kaluar, pamë një rritje eksponenciale të të kuptuarit tonë mbi universin. Observatorët ndërkombëtarë në Tokë dhe në hapësirë, ​​kanë ofruar pamje të mrekullueshme që përfshijnë gamën e plotë, nga shkalla e vogël e vrimave të zeza, deri në strukturën në shkallë të gjerë, të të gjithë universit të vëzhgueshëm./Konica.al

Tanimë, gjendemi në mesin e një zbulimi me përmasa edhe më të mëdha. Por, shumë pak prej ekspertëve po e pranojnë këtë. Në mënyrë të pabesueshme, bëhet fjalë për ato që, shumë i konsiderojnë si ikonën moderne të trillimit shkencor: Objektet e Paidentifikuara Fluturuese, të etiketuara tradicionalisht si UFO, që mund të përfaqësojnë pajisje teknologjike të prodhuara nga një qytetërim i përparuar jashtokësor.

UFO-t si një dukuri janë pranuar nga qeveria amerikane dhe disa në institute, si të denja për studime shkencore. Me këtë ndryshim erdhi një emërtim i ri nga ushtria amerikane: Dukuri Ajrore të Paidentifikuara (UAP).

Tashmë po zgjerohet dhe objektivi i kërkimit në këtë fushë, duke përfshirë Projektin Galileo të Universitetit të Harvardit, në kërkim të pajisjeve jashtokësore pranë tokës, si dhe programin e pavarur të kërkimit të Universitetit Stenford mbi materialet e pazakonta.

Këto projekte janë edhe arsyeja e krijimit të një zyre të re në Pentagon, e ngarkuar me krijimin e një plani shkencor për analizimin, së pari të karakteristikave dhe performancës së UAP, që e tejkalojnë shkencën, apo teknologjinë e njohur, përfshirë shtytjen, aerodinamikën, materialet, sensorët, kundërmasat, armët, elektronikën dhe prodhimin e energjisë.

Së dyti, ato sigurojnë bazën për investime të mundshme, për t’i përsëritur këto karakteristika dhe këtë performancë të avancuar. Në fakt, kjo sjellje është rezultat direkt i anëtarëve të Kongresit Amerikane, që e përfshinë atë në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2022.

Kjo qasje e re buron edh nga 3 video UAP të xhiruara nga pilotët e Marinës dhe të publikuara zyrtarisht nga Pentagoni, në vitin 2020. Menjëherë pasi një video e tillë u xhirua në vitin 2015, pati një shqetësim të menjëhershëm mbi sigurinë e aviatorëve të Marinës.

Si një ish-mbikëqyrës i Observatorit Detar të SHBA-së, isha shumë i intriguar mbi ato raste. Por videot u klasifikuan si sekrete, duke parandaluar çdo hetim të mëtejshëm. Që nga deklasifikimi i tyre, Kongresi e ka rritur vazhdimisht vëmendjen e tij ndaj UAP, duke drejtuar fillimisht hartimin e një raporti nga Komuniteti i Inteligjencës dhe tani duke hapur një zyrë të posaçme në Pentagon.

Të marra së bashku, këto video dhe vlerësime mbi UAP, tregojnë se ekzistojnë aftësi përtej të kuptuarit tonë aktual të shkencës, teknologjisë si dhe inxhinierisë, dhe që tregojnë gjithashtu se ato kanë origjinën nga një qytetërim i panjohur për ne.

Pa supozuar ndonjë shpjegim për secilin, ne mund të arrijmë vetëm në përfundimin se një studim i përkushtuar shkencor mbi këto dukuri, mund të zbulojë njohuri të reja rreth universit, fizikës themelore ose të dyjave. Duke pasur parasysh përmasat e një mundësie të tillë, duhet pyetur: “Pse ka kaq pak interes nga ana e komunitetit shkencor?”.

Përgjigja e thjeshtë, është se stigma e gjatë mbi UFO-t, e kombinuar me frikën nga rreziku, e kanë bërë thuajse të paprekshëm studimin e UAP. Kjo përbën një problem, sidomos kur kemi parasysh hopin e madh shkencor të arritur nga ata që janë të gatshëm të shkojnë zakonisht kundër rrymës.

Një shembull nga fusha e oqeanografisë, lidhet me emrin e dr.Robert Balard. I famshëm për gjetjen e anijes së mbytur të “RMS Titanic”, Balard u etiketua gjerësisht si negativ, madje duke u përbuzur nga studiuesit, për punën me “National Geographic”.

E megjithatë, ai dha disa nga kontributet më të rëndësishme në oqeanografi gjatë kërkimeve për doktoraturën e tij në fundin e viteve 1970 në Institutin Oqeanografik “Woods Hole”. Vëzhgimet e tij rishkruan tekstet ekzistuese mbi oqeanografinë gjeologjike, biologjike dhe atë kimike.

Ndonëse sot janë të mirëstudiuara, asnjë nga këto degë, as që mund të imagjinohej të ekzistonte në dekadat para punës së Balardit. Për shkak se zyra e UAP në Departamentin e Mbrojtjes (DoD), është nën varësinë e shërbimit sekret të departamentit, shumica ose të gjitha gjetjet e tyre do të klasifikohen, ndaj nuk janë të disponueshme për publikun.

Kjo gjë ia lë në dorë komunitetit shkencor plotësimin e boshllëkut tonë të njohurive mbi UAP. Por, për momentin, Projekti Galileo, është e vetmja përpjekje kërkimore me një qasje shkencore sistematike, për të rritur kuptimin tonë mbi këto fenomene.

Kur kemi parasysh faktin se kërkimi në këtë fushë mund të gjenerojë një revolucion në shkencë, është e qartë se në kërkime duhet të përfshihen më shumë institucione. Ish-këshilltari shkencor i Shtëpisë së Bardhë dhe profesori i Universitetit të Oklahomas, Kelvin Drogmajer, është shprehur se sot gjendemi në një epokë të dytë të guximshme të shkencës dhe teknologjisë (duke iu referuar epokës së parë pas Luftës së Dytë Botërore, ku qeveria amerikane financoi përparimet kryesore të kohës, si eksplorimi i hapësirës, energjia bërthamore dhe superkompjuterët).

Sot, ne po shohim përparime të ngjashme në inteligjencën artificiale, shkencën e informacionit kuantik, energjinë e rinovueshme, ruajtjen e mjedisit dhe udhëtimin në hapësirë.

Dallimi nga atëherë është se, shumica e tyre po ndodhin në sektorin privat dhe në institute që punojnë me financimin e filantropëve. Me një mbështetje të ngjashme, zgjerimi i të kuptuarit tonë mbi UAP, mund të jetë një arritje kurorëzuese e kësaj epoke të re në histori.

 

Shënim: Tim Gallaudet, kundër-admiral në pension i ushtrisë amerikane, aktualisht bashkëpunëtor kërkimor me Projektin Galileo të Universitetin e Harvardit dhe ish-mbikëqyrës i Observatorit Detar të SHBA-së. Avi Loeb, kreu i Projektit Galileo të Harvardit, që ka në fokus një kërkim sistematik shkencor mbi provat e artefakteve teknologjike jashtokësore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Francezë e shqiptarë - njëqind vjet pas luftës

100 vite nga Lufta e I Botërore në Shqipëri


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit