MENU
klinika

Rama apel: Vaksinohuni, mbroni shëndetin

Varianti Omicron po alarmon Europën, në Tiranë mblidhet sot Komiteti Teknik i Ekspertëve!

02.12.2021 - 10:42

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet ditën e sotme për të bërë një analizë të situatës së COVID në vend, mbledhje që vjen pas më shumë se një muaji mungesë. Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet në orën 14:00, në një kohë kur varianti Omicron i COVID po alarmon Europën dhe botën, duke u përhapur me shpejtësi në gjithnjë e më shumë vende.

Nuk dihet ende nëse do të ketë shtrëngim të masave kufizuese.

Mbledhja e fundit e Komitetit Teknik të Ekspertëve u zhvillua më 22 tetor, ku u vendos vaksinimi me dozë të tretë për personat mbi 60 vjeç, vaksinimi i fëmijëve mbi 16 vjeç dhe i atyre mbi 12 vjeç me sëmundje kronike.

Kryeministri Edi Rama i bëri apel sot qytetarëve që të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur në një kohë kur kemi përballë stinën e dimrit dhe variantin Omicron.

Masat  anti-COVID që janë në fuqi:
–    Ora policore nga 23:00-06:00.
–    Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1.    Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2.    Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3.    Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

–  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave

– Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore

Kryeministri Edi Rama i ka bërë sot apel qytetarëve që të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur. Me një postim në Facebook, Rama ka publikuar edhe dëshmi të personave që po vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, teksa tregojnë se ndihen shumë mirë.

“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar të vijoni vaksinimin me dozën e tretë përforcuese, për të qenë më të mbrojtur gjatë dimrit e për të mos i dhënë virusit një mundësi të dytë ndërkohë që varianti i ri Omicron po shqetëson botën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Zyrtarisht nuk dihet ende nëse ka raste me variantin e ri të COVID në vend, teksa Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije dje se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.

Manastirliu theksoi se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të shtuar, teksa bëri thirrje për vaksinim.