Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, që hodhi poshtë kërkesën e shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe i certfikoi ato edhe pse opozita nuk mori pjesë.
Gjykata-kushtetuese
Gjykata vlerëson se “kërkesa drejtuar Gjykatës për verifikimin e zgjedhjes duhet të identifikojë funksionarin publik, shkeljen kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes së tij, si dhe aktin konkret që materializon shkeljen kushtetuese. Për pasojë, procedura e verifikimit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta duhet parë e lidhur me këto koncepte dhe jo e lidhur me vlerësimin, qoftë edhe në aspektin e kushtetutshmërisë, të procesit zgjedhor në tërësinë e tij”.
Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi, “duke mos e parashikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kompetencën për verifikimin e kushtetushmërisë së procesit zgjedhor, ka pasur si qëllim të mos përfshijë në juridiksionin kushtetues kontrollin e procedurave zgjedhore në tërësinë e tyre”.
Gjykata, “ka vlerësuar mungesën e juridiksionit kushtetues për kërkimin e parë të parashtruar në kërkesën në shqyrtim, atë që lidhet me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar më 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve”.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Me qëllim ushtrimin e kompetencës së parashikuar nga neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës, kërkesa drejtuar Gjykatës për verifikimin e zgjedhjes duhet të identifikojë funksionarin publik, shkeljen kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes së tij, si dhe aktin konkret që materializon shkeljen kushtetuese. Për pasojë, procedura e verifikimit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta duhet parë e lidhur me këto koncepte dhe jo e lidhur me vlerësimin, qoftë edhe në aspektin e kushtetutshmërisë, të procesit zgjedhor në tërësinë e tij.
Ky qëndrim përforcohet duke pasur parasysh edhe përmbajtjen e shkronjës “ë” të pikës 1 të nenit 131, në të cilin parashikohet kompetenca e Gjykatës për të vendosur për kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij, duke qenë i qartë kushtetutëbërësi në formulimin e kësaj dispozite për sa u takon atyre çështjeve që mund të bëhen objekt i kontrollit kushtetues. Në ndryshim nga ky formulim, në shkronjën “e” të po kësaj dispozite Gjykatës nuk i jepet shprehimisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kompetenca për të vendosur për kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe verifikimin e rezultateve të tij.
Në vijim të këtij arsyetimi, Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi, duke mos e parashikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kompetencën për verifikimin e kushtetushmërisë së procesit zgjedhor, ka pasur si qëllim të mos përfshijë në juridiksionin kushtetues kontrollin e procedurave zgjedhore në tërësinë e tyre. Për këtë arsye, në kontekstin e çështjes konkrete në shqyrtim, togfjalëshi “verifikimin e zgjedhjes së tyre” në përmbajtjen e nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës duhet të interpretohet në kuptimin që ai ka të bëjë me verifikimin e respektimit të së drejtës individuale për t`u zgjedhur të funksionarit të organit kushtetues gjatë procesit zgjedhor.
Gjykata konstaton se, edhe në vështrimin historik vullneti i ligjvënësit ka qenë i qartë lidhur me ndarjen e juridiksionit kushtetues nga ai gjyqësor, në varësi të natyrës së zgjedhjeve, kombëtare të përgjithshme ose vendore. Me Kodin Zgjedhor të vitit 2000 (të miratuar me ligjin nr. 8609, datë 08.05.2000) u parashikua kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankimet për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin dhe referendumet dhe pavlefshmërinë e tyre, si dhe kompetenca e Gjykatës së Lartë lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve vendore dhe pavlefshmërinë e tyre (neni 141, pikat 1 dhe 2). Megjithatë, kontrolli i ushtruar nga Gjykata gjatë asaj periudhe përqendrohej vetëm në aspektin e ligjshmërisë, çka e shndërronte atë në një gjykatë fakti, duke i dhënë një natyrë tjetër gjykimit kushtetues.
Kodi Zgjedhor i miratuar me ligjin nr. 9087, datë 19.06.2003, i cili shfuqizoi ligjin nr. 8609, datë 08.05.2000 të ndryshuar, përcaktoi Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë si organin kompetent për shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimeve të KQZ-së. Megjithatë, dispozita kushtetuese, shkronja “e” e pikës 1 të nenit 131, mbeti e pandryshuar dhe përmbajtja e saj nuk rezulton të ketë gjetur pasqyrim ose zbërthim as në dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i miratuar me ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008. Në nenin 124 të këtij kodi parashikohet e drejta e ankimit administrativ të çdo partie politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni, dhe kandidati të propozuar nga zgjedhësit kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm. Sipas nenit 143, pika 1, shkronja “ç”, të tij, në përfundim të shqyrtimit të ankimit KQZ-ja vendos, sipas rastit, shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme në një ose disa qendra votimi të zonës zgjedhore ose në të gjithë njësinë zgjedhore. Kurse sipas nenit 145 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore, si dhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor, kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm.
Edhe Komisioni i Venecies është shprehur se ankimet zgjedhore kundër vendimeve të KQZ-së, ose mungesës së vendimmarrjes, shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor, i cili ka kompetencën për të kontrolluar ligjshmërinë e tyre dhe vihet në lëvizje me kërkesë të subjekteve që legjitimohen, çka do të thotë se në këto raste legjislacioni ka parashikuar mjete ligjore në dispozicion (shih paragrafin 23 të Opinionit CDL-AD(2021)026).
Në përfundim, Gjykata vlerëson se kushtetubërësi nuk ka pasur qëllim t`ì japë asaj kompetencën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në tërësinë e tij, ndaj dhe modalitetet e këtij procesi, si subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën, afatet, procedurat dhe lloji i vendimmarrjes për këtë lloj kontrolli, nuk gjenden as në ligjin organik, as në Kodin Zgjedhor. Sipas nenit 124, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata i nënshtrohet vetëm kësaj të fundit dhe përderisa një kompetencë e tillë nuk është parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, nuk mund të ushtrohet prej saj. Gjykata rithekson se kompetencat e saj nuk mund të ndryshohen, të ngushtohen ose të zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues (shih vendimet nr. 212, datë 29.10.2002; nr. 34, datë 24.09.1996 të Gjykatës Kushtetuese).
Në parashtrimet e datës 02.11.2021 kërkuesja është shprehur se para Gjykatës nuk shtrohet vetëm çështja e procesit, pasi ai është vetëm një nga pretendimet e kërkesës, por ajo e respektimit të parimeve dhe të drejtave kushtetuese, siç janë e drejta për t`u zgjedhur, parimet themelore të shtetit të së drejtës, zgjedhja e një sistemi qeverisjeje bazuar në zgjedhje të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike, ndarja e pushteteve, kufizimi i të drejtave në mënyrë joproporcionale, diskriminimi etj., juridiksioni për shqyrtimin e të cilave i takon vetëm kësaj Gjykate. Pavarësisht këtyre pretendimeve, bazuar në sa u arsyetua më sipër, Gjykata vlerëson se në çështjen e paraqitur nga kërkuesja nuk është individualizuar funksionari/funksionarët e organeve kushtetuese, për të cilët kërkohet verifikimi i zgjedhjes së tyre, shkelja kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes, si dhe akti konkret që materializon shkeljen kushtetuese. Nga ana tjetër, kërkuesja nuk është as subjekt zgjedhor dhe as organ kushtetues me kompetenca në procesin zgjedhor.
Për sa më lart, kërkimi për konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në datën 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, mbetet jashtë juridiksionit kushtetues, ndaj Gjykata nuk mund të investohet në lidhje me këtë çështje.
Megjithatë, nisur nga sa u konstatua nga rrethanat e kësaj çështjeje dhe pretendimet e palëve, Gjykata vëren se përgjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në qershor të vitit 2019, ka pasur mosmarrëveshje midis subjekteve që kanë kompetenca në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe zhvillimin e këtij procesi, të cilat kanë interpretuar në mënyra të ndryshme parashikimet kushtetuese ku janë mbështetur për ushtrimin e kompetencave të tyre, gjë që, siç ka evidentuar misioni vëzhgues i ODHIR-it, “krijoi një klimë ngërçi dhe polarizimi politik dhe votuesit nuk patën një mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes disa opsioneve politike” (shih faqen 1 të Raportit). Gjithsesi, asnjë prej subjekteve që legjitimohet të vërë në lëvizje këtë Gjykatë, nuk i është drejtuar me kërkesë për zgjidhjen e konflikteve me natyrë kushtetuese që bëjnë pjesë në juridiksionin e saj (shih paragrafin nr. 33 të këtij vendimi).
B. Për legjitimimin e kërkueses
Gjykata, për sa kohë që ka vlerësuar mungesën e juridiksionit kushtetues për kërkimin e parë të parashtruar në kërkesën në shqyrtim, atë që lidhet me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar më 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve, do të ndalet në vlerësimin e legjitimimit të kërkueses vetëm në lidhje me kërkimin për verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30.06.2019.
Në jurisprudencën kushtetuese çështja e legjitimimit (locus standi) është vlerësuar si një ndër aspektet kryesore që lidhen me vënien në lëvizje të një procesi kushtetues. Në gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së normës, subjektet që parashikohen në nenin 134, pika 2, të Kushtetutës kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.
Për sa i përket legjitimimit të shoqatave, si subjekte që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, Gjykata ka tashmë një jurisprudencë të konsoliduar, e cila ka pranuar legjitimimin e këtyre subjekteve për çështje që lidhen me interesat e tyre. Ajo është shprehur se vlerësimi nëse një organizatë ka ose jo mjaftueshëm interes, bëhet rast pas rasti, në varësi të rrethanave të çdo çështjeje të veçantë. Organizata që vë në lëvizje Gjykatën duhet të provojë se në çfarë mënyre ajo mund të preket në një aspekt të veprimtarisë së saj, pra duhet të provojë lidhjen e drejtpërdrejtë dhe të individualizuar që ekziston midis veprimtarisë së saj dhe normës që kundërshton. Interesi për të vepruar duhet të jetë i sigurt, i drejtpërdrejtë dhe vetjak. Ky interes konsiston tek e drejta e shkelur, te dëmi real ose potencial dhe jo te premisat teorike për antikushtetutshmërinë e normës që ka sjellë këtë cenim të interesit. Vetëm fakti se dispozitat e kundërshtuara mund të kenë ose kanë pasur një efekt çfarëdo për kërkuesin, nuk është i mjaftueshëm për të përcaktuar nëse ai legjitimohet në paraqitjen e kërkesës, por është e nevojshme të provohet se dispozita e kundërshtuar rregullon marrëdhënie që janë qëllimi i veprimtarisë së kërkuesit, sipas përcaktimeve të bëra në Kushtetutë, në ligje ose, në rastin e subjekteve të së drejtës private, në statut (shih vendimet nr. 21, datë 28.04.2021; nr. 4, datë 15.02.2021, nr. 1, datë 16.01.2017; nr. 33, datë 08.06.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
Sipas subjekteve të interesuara, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe partisë “Bindja Demokratike”, kërkuesja nuk përfshihet në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së partisë “Bindja Demokratike”, në kuptim të nenit 57, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000. Edhe subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka vënë në dyshim legjitimitetin e kërkueses dhe interesin e saj të ligjshëm për të kërkuar verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Bindja Demokratike”.
Në kuptimin kushtetues dhe ligjor shoqatat paraqiten si bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, bindjeve, pikëpamjeve e interesave të përbashkëta (shih vendimin nr. 78, datë 22.12.2015 të Gjykatës Kushtetuese). Pra, shoqatat legjitimohen ratione personae, në kuptim të nenit 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës. Megjithatë, kjo e drejtë është e kushtëzuar dhe ajo mund të ushtrohet vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Vetëm nëse përmbushin kushtin e kërkuar nga paragrafi 2 i nenit 134 të Kushtetutës, për të argumentuar “interesin e tyre” në një “çështje të veçantë”, shoqatat legjitimohen për t’iu drejtuar Gjykatës në lidhje me prerogativën e saj për të vendosur, në këtë rast, për pajtueshmërinë e ligjit ose aktit normativ me Kushtetutën (shih vendimin nr. 17, datë 25.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata konstaton se kërkuesja e ka bazuar legjitimimin e saj në nenin 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës dhe në nenin 49, pika 3, shkronja “d”, të ligjit nr. 8577/2000, duke pretenduar se ekziston lidhja e domosdoshme ndërmjet veprimtarisë së saj dhe çështjes kushtetuese të ngritur. Edhe në lidhje me afatin për paraqitjen e kërkesës, ajo i referohet dispozitës që përcakton afatin 2-vjeçar për kundërshtimin në Gjykatë të ligjeve ose akteve të tjera normative.
Sipas nenit 131, pika 1, shkronja “d”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute. Verifikimi i kushtetutshmërisë së partive politike është kompetencë kushtetuese që vetë Kushtetuta e ka orientuar në procedura të mirëpërcaktuara. Këto procedura janë të përcaktuara jo vetëm në drejtim të organit që i shqyrton në instancë të parë çështjet e zgjedhshmërisë, por edhe të subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, si dhe të vendimmarrjes eventuale të saj. Ky lloj kontrolli që ushtron Gjykata në secilin rast kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, duke u vënë në lëvizje nga subjektet e parashikuara për paraqitjen e kërkesës për këtë lloj procedure.
Për verifikimin e kushtetutshmërisë së partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 57 të ligjit nr. 8577/2000, Gjykata vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të jo më pak se një të pestës së deputetëve, të Avokatit të Popullit dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për rrjedhojë, në lidhje me këtë kërkim kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae, duke qenë se nuk bën pjesë në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për ushtrimin e kompetencës së saj të parashikuar në nenin 131, pika 1, shkronja “d”, të Kushtetutës.
Për më tepër, neni 9 i Kushtetutës ka parashikuar se cilat janë ato veprimtari të partive politike që ndalohen të ushtrohen. Ndërkohë që pretendimet e kërkueses kanë të bëjnë me procedurën e regjistrimit të partisë “Bindja Demokratike” dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, duke mos qenë e regjistruar sipas ligjit, të cilat në thelb janë pretendime me natyrë ligjore dhe jo kushtetuese.
Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “d” dhe “e”, dhe 134, pikat 1, shkronja “h” e pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
V E N D O S I:
– Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 04.11.2021
Shpallur më 02.12.2021