Sabina Urraca/
Të nderuar populistë që e konsideroni Ema Bovarinë si budallaqe dhe të paaftë për të marrë nën kontroll jetën e saj: më lejoni t´iu rikujtoj disa gjëra, nuk do zgjatem shumë:
E para: Lorrie Moore në një prej tregimeve të tij thotë: ¨Kam arritur në konkluzionin që asaj nuk i kishin dhënë mjetet e duhura, për të ndërtuar një jetë të mirëqenë. I dhanë një krehër, dhe i thanë ¨ji më e shkathët¨, ndenji aty për vite të tëra, duke pulitur qepallat, konfuze dhe e vetmja gjë që bënte ishte përzierja e gjellës me krëhër. Çfarë kishte Ema? Një supë, një krehër, një jetë të mërzitshme e modeste. Çfarë bëri Ema? Ema e hodhi supën edhe krëhërin, por supa ishte e nxehtë ndaj ajo u dogj. Si të mos digjej sidomos në atë periudhë? Në 1892, filozofi Jules Gaultier shpiku termin “Sindroma e Zonjës Bovari”, term që i referohej pakënaqësisë femërore, fryt i leximeve të librave romantikë. I nderuar populist, le të mos jemi si Jules de Gaultier.
Kur e pyetën Flaubert-in, tek kush ishte bazuar personazhi i Zonjës Bovari, ai i indinjuar e i përlyer në magji fiktive tha: ¨Zonja Bovari, jam unë¨. Sa bukuri ka në atë përgjigje legjendare që dha Flaubert, por jo vetëm ai, Zonjë Bovari jemi të gjithë.
Përpos kapriçozllëkut, fati i të qenit dikush që nuk je dhe dëshpërimin e zonjës Bovari, mund ta gjejmë në gjurmët tona: ai që nuk ka fantazuar kurrë të endet pyjeve dhe të provojë një gllënjkë arsenik, të ngrejë dorën.
Nëse reshtim së pari personazhin e Ema Bovarisë me lupën e Jules de Gaultier por ta vëmë përballë vetes sonë, do vëmë re që Bovari është pasqyrë kaleidoskopike në të cilën shohim të gjalla atomet tona të shqetësimeve jetësore, klikimet tona në Tinder, Amazone etj konvulsione të herë pas hershme, me sigurinë që meritojmë gjithmonë më shumë për mos thënë gjithçka.
Pra i nderuar gjykues, unë këmbëngul që ta gjykoni Emën jo duke pasur parasysh kush duam të jemi, por kush jemi realisht:
Kushërinj të Emës, vëllezër që kanë pirë të njëjtin qumësht të hidhur për faj të të cilit na ka kapur ngërçi i pakënaqësisë së përhershme, i fatit që nuk na ofroi argëtime e pasurira.
Flaubert në mbrojtje të imoralitetit në librin e tij thoshte: ¨Personalisht më vjen keq për ëmbëlsirat plot sheqer që hanë disa lexues duke e helmosur vetë veten e tyre¨.
Ema që e merr në dorë vetë fatin e jetës së saj nuk do t´ia lejonte vetes të vdiste duke qenë ëmbëlsirë plot sheqer dhe fallso. Lexuesi i mirë e di që ne njerëzit nuk jemi gjithmonë të tillë dhe si rrjedhojë as letërsia nuk mund të jetë e tillë.
Sabina Urraca është shkrimtare dhe gazetare spanjolle, ka shkruar disa libra dhe jep kontributin e saj në disa gazeta.
Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.