MENU
klinika

Kur spiunohej Markesi!

CIA ndiqte Gabon, Gabo shkonte pas Kastros…

30.01.2022 - 17:27

        Në një shkrim nga “El Pais”, që së fundi ka pasur akses në arkivat e agjentëve sekretë në Mexico City, zbulohet edhe se, shërbimet sekrete meksikane e kanë spiunuar Gabriel García Markez, për dekada të tëra, pasi e konsideronin agjent i Kubës dhe Bashkimit Sovjetik.

Sipas gazetës spanjolle, nobelisti u ndoq nga inteligjenca meksikane nga fundi i viteve 1960, në kohën e militantizmit politik më aktiv. CIA ishte “e interesuar” për aktivitetin e tij, sipas raporteve të agjentëve meksikanë.

“El País” konsultoi rreth njëqind raporte të shërbimeve meksikane mbi shkrimtarin dhe lidhjet e tij me Kubën. Sa u përket marrëdhënieve me Fidel Castron, me të cilin u njoh në Havanë, menjëherë pas revolucionit të vitit 1959, gazeta vëren ndër të tjera, sipas një dokumenti të vitit 1982, se Gabo ka pasur një marrëdhënie aq të fortë, saqë vendosi t’i shiste Havanës të drejtat e librit ”Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”.

Afërsia e Markesit me Kubën, qeveritë dhe guerilët e tjerë të së majtës amerikano-latine, dukej se shqetësonte mbi të gjitha regjimin e atyre viteve në Meksikë. ”El País” kishte akses në më shumë se njëqind raporte mbi shkrimtarin dhe marrëdhëniet e tij me Kubën dhe mbështetësit e Kastros.

Pa valixhe dhe pa pasaportë, Markesi kishte hyrë për herë të parë në Havanë, pak ditë pas triumfit të revolucionit të janarit 1959. Me ftesë nga Kastro, si korrespondent për “Prensa Latina”, agjencia  kubaneze e lajmeve, ai qëndroi gjashtë muaj në ishull. Pas idilit të parë, kontrolli i agjencisë nga Partia Komuniste dhe dorëzimi përfundimtar i kastroizmit në Moskë, ftohën marrëdhëniet.

Por, miqësia mes Markesit dhe Kastros vazhdoi, gjithmonë kryqëzuar nga letërsia. Libri i parë që shkrimtari i dha ”Lider Maximo”, ishte ”Drakula”.

Ishte mesi i viteve ‘70-të dhe udhëheqësi kuban, i përfshirë në luftën në Angola, i kishte pranuar mikut të tij, se mezi kishte kohë për të lexuar. Kështu, Markesi kishte vazhduar t’i siguronte atij librat bestseller – lexime të lehta, për t’u çlodhur nga revolucioni.

Si këmbim, komandanti u bë një redaktues i vështirë i dorëshkrimeve të tij të para.

Në romanin “Kronika e një vdekjeje të parathënë”, frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, ai korrigjonte edhe kalibrin e armëve.

Ndoshta, kjo është edhe arsyeja pse laureati i Nobelit ia la të gjitha të drejtat e librit qeverisë kubaneze.

Vitet e politizimit maksimal të Gabos, përkonin me periudhën më të vështirë të represionit në Meksikë. Por, referuar studiuesit meksikan, Jacinto Rodriguez, i cili po redakton një libër mbi spiunazhin e Drejtorisë Federale të Sigurisë meksikane të intelektualëve të kohës, siç raporton ende ”El Pais”, “Gabo ishte ende një i huaj që nuk mund të ndërhynte në çështjet kombëtare dhe që, gjithashtu, tregoi gjithmonë maturi të madhe”.

Pak ditë më parë, shkrimtari i madh i realizmit magjik ishte rikthyer në vëmendjen mediatike, për zbulimin e ekzistencës së vajzës tashmë 31-vjeçare, Indira. Ajo është e bija e një gazetareje, me të cilën, Markesi kishte bashkëpunuar gjatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për dashurinë dhe demonë të tjerë

Dashuria, ky demon i Gabriele Garcia Marquez