“I këndoni lutjet ashtu si dini në shqip, pastaj lartë i rregullon Perëndia”
Është një nga figurat më të ndritura të historisë. Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme.
Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks.
Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.
Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën, themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës.
Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.
Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Vepra e parë e Nolit qe drama me tre akte ”Israilitë dhe Filistinë”, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndier nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime ”Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe”, Boston 1909, si dhe ”Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse;;, Boston 1911.
Përkthime që ai i çmonte si arritjet më të mëdha të tij. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468″, Boston. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve ’20. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparti). Vëllimi me vjersha ”Albumi” u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.
Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt, ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja: greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.
Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe europianë të shek. XIX, që me veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike dh asaje publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, ”Rubairat” e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj..
Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida, SHBA.
*Në fotografinë kryesore: Fan Noli, Marie Noli (nëna e Fan Nolit), Sulltane Noli (motra e tij) dhe ish- nxënësja dhe mësuesja e Shkollës së Vashave në Korçë, Polikseni Dhespoti Kekezi (ulur djathtas).
**Fotografia e riparuar dhe me ngjyra, nga #AlbanianHistoricalSociety …