MENU
klinika

Seferis në ''Parisin e vogël''

Korça përmes shikimit dhe ndijimit të një nobelisti

12.01.2022 - 11:44

        Poet, eseist, përkthyes dhe diplomat, ai është përfaqësuesi i parë i brezit të viteve ’30, pionier i modernizmit në letërsinë greke.

Jorgos Seferis (1900-1971), nobelisti grek, shërbeu si Konsulli i Greqisë në Korçë. Kohën që diplomati i Greqisë kaloi në Shqipëri, e ka pasqyruar në shkrime, si dhe me mjaft fotografi të përditshmërisë së këtij qyteti.

Jorgos Seferiadhis lindi në Izmir, por familja e tij, pas disa vitesh u zhvendos në Athinë.

Në vitin 1936-1937, Seferis qe Konsull i Përgjithshëm edhe në Korçë, dhe ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende në ditët e sotme, si “Ndërtesa Seferi”. Gjatë qëndrimit dyvjeçar atje, poeti do të dashurohet nga qyteti nën dëborë, që frymëzoi disa nga poezitë e tij më të bukura. Por, ai nuk do t’i rezistonte tundimit për ta përjetësuar në celuloid, qytetin që i la mbresa (sikur në fotografitë e mëposhtme), ku ftonte edhe të dashurën.

Në letrën që i nis nga Korça, në Greqi, ndër të tjera i shkruan asaj:

“Dimri në Korçë, nuk do të na pengojë, verën e kemi përpara…”. Në strehët kërcënojnë stalagmitet e akullta. Puhiza rrëmben grimcat e dëborës dhe një vel i hollë rrotullohet, ndehet mbi portat e mbyllura, griset sokakëve e derdhet në fund të rrugës, ku pëlhura nis të mbulojë pllajën e kodrës. Të gjitha faqet e çative me vështrim nga veriu, nisin fjollat e bardha. Mori cipëzash enden e vrapojnë të veshin pamjen përballë. Vallëzimet mbi çati daravitën trishtimin, buruar nga malli për të dashurën…”.

Gjatë kësaj kohe, ai bëri shumë fotografi për jetën e shqiptarëve në qytetin e Korçës dhe zonat përreth. Pikërisht, sot po sjellim disa foto të vitit 1937 të bëra nga konsulli grek Jorgos Seferis.

Ndërtesa, ku ishte Konsullata e Greqisë ishte edhe vendbanimi i diplomatit Seferit. Kjo ndërtesë ishte pronë e familjes së njohur korçare Andrea Turtulli dhe është blerë para disa viteve nga Greqia, për ta kthyer në një farë vendi muze, për të rrëfyer ku ka jetuar dikur poeti i mirënjohur grek.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nobelisti klasik helen

Jorgos Seferis poeti-diplomat