MENU
klinika

Ungjilli politik i shqiptarëve

Mësimet e Ibrahim Rugovës

21.01.2022 - 14:59

        Ibrahim Rugova besonte tek e mira ishte i palëkundur në këtë besim – nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë. Ai ishte njeri i artit e kulturës, kishte formim kulturor dhe artistik dhe në fillimet e rrugëtimit politik e përmend Edmond Burke që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte historinë dhe kulturën e popullit të tij.

Ky ishte besim sublim dhe një qasje e pazakontë në Ballkanin e trazuar; ishte mendësi krejt origjinale dhe mahniti botën e përparuar. E duke shkruar rreth figurës së Rugovës, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare te parathënie a librit i Rugovës “Çështja e Kosovës” shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Prandaj, sot Kosova e dërmuar dhe e ligështuar ka nevojë për mësimet politike e kulturore të Rugovës, siç ka nevojë njeriu për ajër e ujë të pastër, sepse vepra e tij është një burim i pashterur kulturor e politik, ku mund të shuajmë etjen, ku mund të freskohemi e ushqehemi dhe njëkoësisht të frymëzohemi për vepra të mira dhe dobiprurëse.

Kosova sot është tejet e ligështuar dhe e dërmuar, sepse e ka bjerrë rrugën e Rugovës, rrugë kjo që na solli liri, dinjitet ndërkombëtar dhe shtet.

Kosova sot është pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, prandaj njerëzit e saj duhet të kthehen prapa- jo shumë larg – te mësimet e Rugovës që janë të freskëta dhe të frymëzohen nga figura shembullore e tij për t’i tejkaluar sfidat e mëdha që kanë përpara.

PRISTINA, SERBIA-MONTENEGRO: Kosovo’s President Ibrahim Rugova declares victory in Kosovo’s general elections, claiming that the Democratic League of Kosovo (LDK), has won over 50 % of the votes, during a press conference Pristina 24 October 2004. Around 1.4 million voters were eligible to elect representatives to a 120-seat assembly, which in turn will elect a president and a government that holds limited authority. AFP PHOTO/GENT SHKULLAKU (Photo credit should read GENT SHKULLAKU/AFP via Getty Images)

Rruga e Rugovës është rrugë e paqes dhe dinjitetit.

Ai e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve – testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij.

Këtë testament bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e tyre: të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e karakterizojnë kohën pas tij.

Rugova është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën politike të botës.

Rugova qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër shqiptarë.
Ai e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti, njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askënd. Sepse ai ishte i vërtetë dhe i njerëzishëm.

Ai nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej dhe e fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte popullin e vet i pa tunduar.

Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe autorët oksidentalë dhe nuk tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve negative.

Në saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.

Rugova punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision. Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të papërsëritshëm.

Prandaj, mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.

Mallëngjehem sa herë i dëgjoj fjalimet e intervistat e tij ose i lexoj veprat e idetë e tij të fisme kulturore politike, dhe pastaj trishtohem kur shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe pa kurrfarë ide e ideali.

Prandaj mësimet e Rugovës sot e përgjithmonë na duhen për shumë arsye dhe ato duhet të shërbejnë si dekalog se si bëhet shteti e si bashkohen njerëzit rreth të mirave të përbashkëta dhe qëllimeve sublime.

-Së pari, për t’i pastruar mendjet e ndotura që kukurisjet i thashethemet i quajnë politikë dhe intrigat e mashtrimet i kanë ngritë në nivelin e vlerave më të larta. Kjo është rruga për të forcuar shpirtin e tolerancës dhe për të krijuar një ambient të pastër e demokratik e koheziv.

– Së dyti, për t’u thelluar në punë të dijes, të kulturës dhe për t’iu blatuar dashurisë për vendin pa kushte, para se gjithash duke e dashtë njeriun, historinë dhe autoktonin.

-Së treti, vepra e tij e pasur na ndihmon që t’i mposhtim mendjet me tru trumcaku që i janë vërsulë pamëshirshëm jetës politike e kultutore duke e zvogëluar politikën e kulturën deri në një rrafsh banal.

– Së katërti, për të mësuar vërtet si mposhtet kundërshtari, armiku, pa përdorë kurrë ofendime, gjuhë linçuese, të tërbuar dhe intriga dhe njëkohësisht si krijohen raporte të ngushta mirëbesimi me miq dhe aleatë, të cilët në ditë të trishta të qëndrojnë afër.

Rugova përgjatë krejt rrugëtimin kulturor dhe politik ishte i vërtetë, aspak i stisur e mendje fiju – fiju. Ai jetoi për një ideal, u mishërua me të dhe si Moisiu biblik, e nxori popullin e vet nga robëria e letargjia, por në breg të paqes vdiq pa e shkelë Tokën e Premtuar, pa e përjetuar Pavarësinë e Kosovës, së cilës ia kushtoi tërë jetën dhe në themelet e së cilës është guri themeltar.

 

Ndue Uka

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bashkëpunëtori i ngushtë nxjerr ‘sekretet’

“Dy herë e kam parë Rugovën duke qarë”


"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi