Ditën e Shën Valentinit 1972, Riçard Niksoni e priti në Shtëpinë e Bardhë.
Andre i rrëfeu për Maon, me të cilin krekosej për një miqësi legjendare (dhe imagjinare), “ai do të ketë të bëjë me një kolos, një njeri që ka pasur një fat të mahnitshëm, i gatshëm të bëjë vetëm gjeste ekstreme, vetëm në prani të vdekjes”. Javën pasi Niksoni do të shkonte në një takim në Pekin, e konsideroi “historik”. Po ashtu, Andre Malro përmendi edhe çështjen e Bangladeshit. Sapo u kthye në shtëpi, u intervistua nga “Le Journal du Dimanche”, ku deklaroi se “Niksoni më priti ngrohtësisht”, se ishte treguar “i përzemërt, jashtëzakonisht i sjellshëm, i qetë”, ndryshe nga Mao, mirëfilli “një perandor i hekurt”, me mënyra kardinale, të ashpra, në një palëvizshmëri të ngurtësuar që përfaqëson të panjohurën”./Konica.al
Malro shkëlqente në imazhet baroke, shfaqte një retorikë të konsumuar, por ende të rrënuar; i pëlqente ta besonte veten në qendër të botës, në zenitin e historisë, një njeri i pafalshëm që u fliste të mëdhenjve të kohës së tij. Megjithatë, nuk ishte më ai i pari që kishte joshur “Xheki” Kenedinë dhjetë vjet më parë, e detyruar të pranonte: “Malro është burri më magjepsës që kam njohur”. Tashmë Malro, i përpirë nga demoni i absolutes, delironte, dendur nga drogëra psikomatike, tepruar me pijet; jetonte ekstremizmin e të vetmuarve, të keqkuptuarve, të dërrmuar nga hijet e tyre, mitoman perandorak. Për më shumë se dhjetë vjet, deri në vitin 1969, ai kishte qenë i plotfuqishmi i kulturës franceze, duke i tejkaluar hapësirat e ngushta të zyrës: shkrimtari i madh i “Gjendja njerëzore”, heroi – real ose i supozuar – i Luftës Civile Spanjolle, krijonte ngërç, arroganca e tij krijonte armiqësi.
Në vitin 1960, në Brazzaville, ish-kryeqyteti i Afrikës Ekuatoriale Franceze, ishte ai që deklaroi se “pa mëdyshje, epoka e kolonive ka mbaruar”: fjalimi, gjëmues, si gjithmonë, u pëlqeu të gjithëve, veçanërisht atij, që u kujdes ta ruante. I shkujdesur, i shqetësuar, i patëmetë, Malro, tashmë një shtatëdhjetëvjeçar, donte aventurën e fundit, të madhe dhe vullnetfortë. Ai kishte pasur një Ministri, është e vërtetë: i mungonte shkretëtira, si prototipi i tij magjepsës, Lorenci i Arabisë, i mungonte Fiume, si mjeshtri i tij i stilit, D’Anunçio. Zgjodhi të merrte kauzën e Bangladeshit. Zgjedhjet e dhjetorit 1970 kishin dëshmuar se mbështetësit e pavarësisë së Lidhjes Awami kishin të drejtë, disa muaj pasi Bangladeshi kishte shpallur pavarësinë nga Pakistani. Reagimi ushtarak pakistanez, nga marsi 1971, ishte jashtëzakonisht i dhunshëm; miliona bengalezë ikën në Indi, qeveria e përkohshme e Bangladeshit u vendos në Kalkuta. Konflikti u bë një shtojcë e Luftës së Ftohtë: Shtetet e Bashkuara, të bllokuara në Vietnam, mbështetën Pakistanin, me kontingjente, së bashku me Kinën, e cila preferonte veprimet diplomatike. India e Indirës Gandit iu bashkua Bangladeshit të sapoformuar pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi dhe ndihme me Bashkimin Sovjetik./Konica.al
Në mes, u sheshua Andre Malro. Pasi konsultohet me një mik, shkrimtarin angloindian Raja Rao, Malro hyn në një grindje, duke lëshuar një thirrje: “Nuk është më koha për leksione paqeje. Vetëm intelektualët që janë gati të luftojnë, janë të denjë të flasin për Bangladeshin. Kam, siç e dini, një përvojë ushtarake që nuk i përket disiplinës së shkrimtarëve të sotëm. Unë jam gati të marr komandën e një legjioni vullnetarësh, të punësuar natyrshëm nga bangladeshasit dhe të përfaqësoj Bangladeshin në OKB… Nuk është e lehtë, nuk është e pakapërcyeshme. Çdo veprim tjetër nuk është gjë tjetër veçse kotësi”.
Indira Gandi e refuzoi ofertën; shumë besonin se Malrosë po i ikte mendja […] Me humbjen e aksionit ushtarak, Malro vazhdon të zhurmojë. Më 18 dhjetor 1971, në “Le Figaro”, ai boton një “Letër të hapur për Riçard Nikson”, ku ndër të tjera shkruan: “Është e trishtueshme dhe anakronike mënyra se si vendi i Deklaratës së Pavarësisë i kapërcen dhe i vlerëson pretendimet e të mjerit Bangladesh në luftën për pavarësinë. Nuk besoj që statuja juaj e shquar i shikon me gëzim, në ekranet televizive, turmat halucinative që duhet të na kujtojnë atë që dikur quhej liri”. Takimi në Uashington DC, dy muaj më vonë, e bindi Henri Kisingerin se Malro ishte një plak mendjemadh, një narcist me ide “tepër të paqarta dhe të rreme”, një joshës i poshtër. Megjithatë, sharmi konsistonte pikërisht te tundimi i shkrimtarit brilant për të mposhtur veten, duke ndërmarrë çdo nismë, për të rijetuar, pa pushim, rininë e tij, për t’u shpërbërë në atmosferën e gjestit të bukur. Në “Antikujtimet”, kryevepra pleqërishte e Malrosë, shkrimtari-luftëtar-politik na kujton dialogun mbi metodat maksimale që pati me kryeministrin indian Jawahrlal Nehru. Si gjithmonë, Malro është filozofik, i koklavitur: “Jeta e huaj për çdo fe më duket pak a shumë bashkohore me mekanizmat… Njeriu i qytetërimeve urbane është i izoluar dhe ndoshta për këtë arsye pyetja “Çfarë bën në tokë? mund të marrë shumë kohë”. Ishte njeri i dëshpëruar: “Malro e gjen veten atje ku humbet”, – shkruan Maurizio.
Serra në përshkrimin e patëmetë që i kushton “njeriut të shekullit XX që nuk e di më cili është roli i tij në histori, kush është personazhi të cilit i rrëfehen bëmat”. Asgjë nuk e lidhte atë me atë copë toke, kryesisht islamike, përveç kujtimeve indiane. Bashkimi Sovjetik njohu qeverinë e pavarur të Bangladeshit më 25 janar ‘72, Shtetet e Bashkuara vonuan nja dy muaj. Malro mori atë që donte: çmimet dhe medaljet, të cilat, në fakt, janë një vdekje e dytë. Më 14 prill 1973, ai u ftua zyrtarisht në Indi, ku u prit si hero. Qëndroi në Nju Delhi, Kalkutë, Katmandu; në Dhaka u takua me Sheik Mujibur Rahman, presidentin e parë të Bangladeshit, iu dha edhe një titull nderi. Një dokumentar televiziv festoi ngjarjen. […] Mbase Malro ëndërronte të ishte një Aleksandër i Madh, një lloj mbreti i Bengalit, një Dionis i trallisur e i armatosur, që kalëron leopardin. Miku i tij, Pikaso, kishte vdekur së fundmi. Një botë po shembej dhe ai ishte emblema e saj: në trup, bosh, kishte një pasqyrë, një fajkua, një hije që arratisej./Konica.al