E lindur nga një lidhje jashtëmartesore me një gazetare meksikane, vajza e tij tashmë është 31 vjeçe dhe punon si producente filmash. Shkrimtari kolumbian dhe çmimi “Nobel” për letërsinë Gabriel Garsia Markez kishte një vajzë të lindur jashtë martese, një sekret i ruajtur me fanatizëm nga të afërmit e tij, porse i zbuluar të hënën më 17 janar, tetë vjet pas vdekjes së nobelistit, nga një artikull i shtypit kolumbian./Konica.al
I martuar për gati pesëdhjetë vjet me Mercedes Bacha, Garsia Markez kishte një lidhje jashtëmartesore me një gazetare meksikane, 33 vjet më të vogël, Suzana Cato, sipas artikullit në të përditshmen “El Universal “, me qendër në Kartagjenë (veri). Nga kjo lidhje lindi një vajzë, Indira, tashmë 31 vjeçe dhe producente filmash, e cila nuk mban emrin e babait të saj të famshëm, detajon shkrimi. Autori i “Njëqind vjet vetmi ” u takua në Kubë me Suzana Cato, e cila e intervistoi për një botim kolumbian dhe më pas, së bashku ata shkruan plot skenarë.
“Pak para vdekjes së Gabriel Garsia Markezit, më erdhi në vesh thashethemi dhe përgjatë këtyre tetë viteve gjithnjë më ka shqetësuar, doja të kontrolloja nëse informacioni ishte i vërtetë”, – rrëfen autori i artikullit për një radio lokale, Gustavo Tatis. Në artikullin e gjatë të titulluar: “Një vajzë: sekreti më i mirëruajtur i Gabriel Garsia Markezit”, Gustavo Tatis shpjegon se ai e ka konfirmuar “informacionin” me biografin, anëtarët e familjes dhe një nga miqtë më të mirë të shkrimtarit. Mirëpo, ai thotë se e ruajti këtë sekret për respekt të gruas së tij, Mercedesit. “Pritëm që të vdiste ajo, për të zbuluar informacionin”. Ekzistenca e kësaj vajze të fshehtë, qe “sekreti më i shenjtë dhe më vetjak” i Garsia Markezit.
Një kataklizëm familjar
Gjeniu i “realizmit magjik ”, Gabriel Garsia Markez vdiq më 17 prill 2014 në moshën 87-vjeçare në Meksiko Citi, ku jetoi një pjesë të jetës së tij. E shoqja vdiq në të njëjtën moshë, më 15 gusht 2020. Artikulli i “El Universal” nuk saktëson nëse Mercedesi ishte në dijeni për ekzistencën e Indirës. “Ka shumë të ngjarë që Mercedesi të ketë nuhatur diçka për atë që ndodhi mes Suzanës dhe Garsia Markezit, por deri në fund të jetës së saj ajo u tregua e matur dhe e heshtur. Megjithatë, zbulimi i ekzistencës së Indirës ishte një kataklizëm familjar”, – thotë autori.
“Deri në fund, Garsia Markez nuk e humbi nga sytë vajzën e tij”, – siguron Gustavo Tatis. Në vitet 1990, laureati “Nobel” i vitit 1982 u shpreh: “Çdo shkrimtar ka tri jetë: një publike, një private dhe një sekrete ”. Në rastin e tij, “në secilën nga tri jetët e tij, gratë luajtën rolin kyç”, komenton gazetari, autor i këtyre zbulimeve.
Garsia Markez dhe e shoqja kishin dy djem, Gonzalo dhe Rodrigo, të cilët vitin e kaluar botuan librin: “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, kushtuar ditëve të fundit të monumentit të letërsisë bashkohore./Konica.al