MENU
klinika

S a l a m o v

Poeti lakuriq

17.01.2022 - 20:48

        Kryesisht, sytë. Shprehnin frikë. Si dikush në një rilindje të njëqindtë, që nuk i kapërdin dot detajet e dhimbjes. Ishte i fortë, me fytyrën e mprehtë, fisnikëruar nga rrudhat, e quanin “viking”, teksa thoshin: “ai është shumë i vrazhdë”. Ata që shkonin tek ai “si profet i ri”, u thoshte: “duhet të jetohet siç është shkruar në dhjetë urdhërimet, asgjë tjetër nuk nevojitet”. Ligjit të madh i shtoi një kod: “Mos i mësoni të tjerët të jetojnë, secili ka të vërtetën e vet”./Konica.al

Varlam Salamov u arrestua për herë të parë në vitin 1929, në fillim të të njëzetave. U dënua me tri vjet, sepse shpërndau letrën në të cilën Lenini kritikonte lakminë e lakenjve sovjetikë, veçanërisht veprimet e Stalinit. I liruar në 1932, tashmë Shalamov ishte futur në listën e zezë të armiqve të shtetit. Në 1937, u arrestua “për veprimtari kundërrevolucionare” dhe u dërgua në kampet e përqendrimit Kolyma; në vitin 1943, iu zgjat dënimi.

Kthehet në Moskë në vitin 1953,  tashmë një burrë i sakatuar, i eshtëruar deri në thellësi të kujtesës. Disa vite më vonë, do të ndahet nga e shoqja, Galina. Në kryeqytet, i sapoliruar nga burgu, shkon të vizitojë Boris Pasternakun, mësuesin: “Shkova tek ai të mësoja si të jetoj, jo të mësoja si të shkruaj… Isha dyzet e gjashtë vjeç. Njëzet prej të cilave i kalova në burg dhe internim”. Me kokëfortësi dhe këmbëngulje, në disa fletore, Salamov shkroi “Tregimet e Kolymas”, një vepër granit dhe e gjerë, një shigjetë kristali në zemrën e zezë të shekullit, me përsosmëri trullosëse. Ai njeri që shkruan, duke thadruar gjakun deri në pikën e padurueshme – “Vuajtja njerëzore është pikërisht objekti themelor i artit, është thelbi i artit, tema e tij e pashmangshme”, – i shkruan ai Pasternakut, në 1954 – është Çehovi i Gulagut. Edhe Aleksandër Solzhenicini bën mënjanë para tij: “Përvoja e Salamovit në kampet e përqendrimit ishte më e hidhur dhe më e gjatë se e imja… atij dhe jo mua iu dha shansi të godasim brutalizimin dhe dëshpërimin drejt të cilit na shtyu të gjithëve jeta e përditshme në kampet e përqendrimit”./Konica.al

E megjithatë, ndërsa Solzhenicini ishte heroi i mërgimit, i stolisur me “Nobelin”, guruja antikomuniste, Salamov, ciku një fat më të vrazhdë, për të mishëruar të gjitha kontradiktat e asaj kohe mizore, mbeti në Rusi, si një murg i zi, një emblemë. Natyrisht, tregimet iu refuzuan, duke kaluar në revistat e emigracionit rus. Në vitin 1972, shërbëtorët e regjimit e detyruan shkrimtarin të hiqte dorë nga ajo çfarë shkruante. “Problematika e “Tregimet e Kolymës” shkëputet nga jeta”, shkruan ai në një letër për “Literaturnaja Gazeta”; dhe jeta e çoi drejt kallkanosjes, fillimisht në një shtëpi të moshuarish, që nga viti 1979, më pas në një azil, ku ai vdes, në 1982. “Për një histori kam nevojë për qetësi absolute, vetmi absolute… Çdo fjali është thirrur paraprakisht në një dhomë të zbrazët: kur shkruaj, flas gjithmonë me vete. Unë bërtas, kërcënoj, qaj. Dhe lotët e mi rrjedhin pandërprerë. Vetëm në fund, duke përfunduar tregimin ose një pjesë të tijën, i thaj lotët”: shkrimi e mbajti gjallë, duke i marrë jetën. E megjithatë, Salamov, qe, përherë, një poet. “Po përgatitesha të bëhesha Shekspir. Kampi i përqendrimit prishi gjithçka”, – i thotë të besuarës së tij, Irene P. Sirotinskaja. “Kam lexuar Shekspirin në një shtëpi të moshuarish besimtarë./…I lexoj vargjet në tingëllimë, si lutje”, psalmon Shalamov në “Fletoret e Kolymas”, poezi të shkruara mes 1937 e 1956, në hullinë e tmerrit, me qartësi të çeliktë. Në një tekst të botuar nga “Theoria” në vitin 1992, “Në kampet e përqendrimit nuk ka fajtorë ”, shfaqet poetika e copëtuar e Shalamovit: “Poezia është pakrahasueshmërisht më komplekse se sociologjia, më komplekse se “po” ose “jo” e njerëzimit përparimtar… Në poezi nuk ka progres… Poezia është e papërkthyeshme… Poezia është bishtnuese…”. Për Salamovin është poezia – një folje që zhbën të dobishmen, turpëron fuqitë, çarmatos mallin – antidoti që përmbys historinë, arratisja e dalldisë në Lindje. Një karizëm prehistorik mbështet këngën e tij (“Janë si ato fosilet e ngurtësuara/që rishfaqen rastësisht/për të zbuluar të paprekur para botës/ një mister gjeologjik”), mbi të padobishmen, katranin e epokës: “Nga pyjet e errëta, nga baltinat moçalore/kufomat e parajsës ngrihen lart”.

Më therësja nga “Tregimet e Kolymas”, “Cherry-Brandy”, ku, në atmosferën e fillimit (“Poeti po vdiste”), historia tragjike e Mandelstam vihet në hije, përmban një zbulim in vitro.

“E mira është ajo që nuk shënohet, që është krijuar dhe zhduket, e cila shkrihet pa lënë gjurmë”. Ç’art magjik gjëmëmadh, i papranueshëm; ç’driblim qelibar. Në poezi ka rëndësi lebra e papritur, çarja, vazhda e argjendtë, e cila zhduket.

Poeti, arkitekti i zbrazëtirave, ekziston përmes depërtimit të dritës, për t’u zhdukur. “Gjithçka del zhveshur”, – i shkruan Salamovi Pasternakut, duke nënkuptuar gulagët. “Dhe zhveshja e fundit është e lemerishme”. Në poezi, Salamov është lakuriq, lakonik. I mrekullueshëm. Mirë se vini në të jashtëzakonshmen./Konica.al

 

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen