MENU
klinika

Racizmi bashkohor

Pse dhe si lindi antisemitizmi?

25.01.2022 - 19:22

       Antisemitizmi është një “e keqe e errët”, që ende vazhdon të godasë Perëndimin.

Holokausti ka qenë vetëm një nga ngjarjet e shumta dramatike, që preku popullin hebre përgjatë historisë së tij. Pra, cilat janë origjinat dhe motivet e antisemitizmit? Ky fenomen, i konsideruar si forma më e vjetër e urrejtjes në histori, është shfaqja e një armiqësie të vazhdueshme dhe të qëndrueshme bazuar në këmbënguljen e disa stereotipave dhe në akuza të rreme dhe irracionale, që kanë kaluar shekuj duke shkaktuar persekutime dramatike./Konica.al

Që nga antikiteti, hebrenjtë janë akuzuar si barbarë dhe gjakatarë, sepse nuk merrnin pjesë në kultet pagane të popullatave të tjera, se nuk njihnin veten me hyjnitë e vendeve ku jetonin. Më vonë pasoi akuza për “armiqësi”, më saktë për vrasjen e Krishtit, edhe nëse kryqëzimi ishte një dënim romak, për praktikimin e rituale të vrasjeve të fëmijëve të krishterë, për helmimin e puseve, për përhapjen e murtajës së zezë, për ushtrimin e magjisë dhe konspiracionin për të shkatërruar botën e krishterë. Në kohët moderne, më në fund është teorizuar ekzistenca e një “komploti hebre” për të pushtuar dominimin botëror, duke kontrolluar sistemin financiar ndërkombëtar. Termi “antisemitizëm” u shqiptua në 1879 nga agjitatori gjerman Wilhelm Marr, por baza e kësaj ideologjie urrejtjeje daton që në kohët e lashta./Konica.al/Episodi i parë i dokumentuar historikisht i armiqësisë ndodhi për arsye fetare rreth vitit 400 para Krishtit, në Egjiptin e faraonëve, me shkatërrimin e tempullit hebre të Elefantinës (qyteti i sotëm i Asuanit). Persekutimet e mëvonshme në mbretërinë e Sirisë ishin gjithashtu të karakterit fetar, sepse hebrenjtë ishin kundër helenizimit të kultit të tyre. Madje, disa studiues kanë identifikuar ndjenja antihebreje midis grekëve dhe romakëve të lashtë, përsëri për shkak të besimit të tyre monoteist. Në fakt, episodet e urrejtjes citohen në burimet klasike nga Ciceroni, Takitusi dhe Juvenalis. Një pikë kthese vendimtare erdhi pas dekretit të Selanikut në vitin 380 pas Krishtit: perandori Theodosius I e bëri krishterimin fenë zyrtare të Perandorisë Romake, duke nxjerrë jashtë ligjit kultet e tjera. Judenjtë u privuan gradualisht nga të drejtat që gëzonin nën perandorët paganë dhe filluan të persekutoheshin. “Në kohën e romakëve dhuna ishte e gjitha e natyrës politike, sepse hebrenjtë nuk ishin konform fesë shtetërore dhe bindjes ndaj perandorit”, – shpjegon Marina Caffiero, profesoreshë e historisë moderne në Universitetin “La Sapienza” të Romës. “Krishterimi e konceptoi antijudaizmin në nivelin teologjik. I pari që kodifikoi armiqësinë ndaj tyre, duke i akuzuar për vetëvrasje, ishte Shën Agostini. Në të njëjtën kohë, ajo që do të jetë politika e kishës ndaj hebrenjve u imponua për një kohë të gjatë, pra, nga njëra anë, represioni, nga ana tjetër, toleranca dhe këmbëngulja brenda shoqërisë së krishterë”, – vijon Caffiero. “Hebrenjtë do të ishin dëshmitarë të së vërtetës së krishterimit dhe lindja e çifutërisë më vonë do të reflektohet në këtë ambivalencë”. Në shekullin V, dekretet e Theodosit dhe të Valentinianit i përjashtuan besimtarët e Jehovait nga çdo detyrë publike dhe nga aksesi në universitete. Por masakrat e para të mëdha ndodhën në Evropën Qendrore në vitin 1096, në kohën e Kryqëzatës së Parë: komunitetet hebraike të vendosura përgjatë Renos dhe Danubit u zhdukën thuajse të tërë nga kalorësit e krishterë që marshonin drejt Tokës së Shenjtë. Tashmë, në Aleksandri të Egjiptit, në vitet e para të krishterimit, hebrenjtë filluan të akuzohen, pa prova, për vrasjen rituale të fëmijëve të krishterë. Në mesin e shekullit XIII, ky dyshim u shndërrua në të ashtuquajturën “akuzë gjaku”, më saktë në përdorimin e supozuar të gjakut të fëmijëve për ritet e Javës së Madhe. Një akuzë që në 1475 rezultoi në rastin dramatik të Simoninos, një fëmijë i gjetur i vdekur në Trento, për të cilën u akuzuan për vrasje 15 hebrenj dhe u detyruan të rrëfenin nën tortura, para se të vriteshin. Një kombinim i paragjykimeve popullore dhe interesave politike dhe ekonomike shkaktoi valë të reja urrejtjeje antihebreje në Mesjetë. Meqenëse Kisha e dënonte fajdenë dhe i ndaloi të krishterët të huazonin para (“të pëgërët e djallit”), ky aktivitet u bë prerogativë e hebrenjve dhe së shpejti pozicioni i fajdexhiut hebre u përhap. Në shekullin e 14-të u përhapën thashethemet se ata kishin shkaktuar përhapjen e murtajës së zezë, duke helmuar puset. Papa Klementi VI u përpoq t’i mbronte, por nuk qe në gjendje të frenonte dhunën që pushtoi qindra komunitete.[…] Origjina e antisemitizmit modern daton në shekullin XIX, shekulli i persekutimeve antihebreje në Gjermani, Hungari dhe mbi të gjitha në Rusi. “Pogromet” (rusisht “shkatërrime”) e epokës cariste shkaktuan masakra edhe përpara se Protokollet e Pleqve të Sionit të përhapnin idenë delirante të një komploti hebre për dominimin e botës. Por a ka ndonjë lidhje midis antisemitizmit modern dhe antijudaizmit të lashtë? “Ekziston një hallkë shumë e saktë, pasi rrënjët historike të antisemitizmit janë të rrënjosura në armiqësinë e kulturës së lashtë të krishterë, që ka dhënë elemente të qëndrueshme kulturore dhe intelektuale me kalimin e kohës. Mohimi i tij do të ishte i barabartë me kryerjen e një operacionin mistik për të shfajësuar kulturën katolike”. Për këtë, historiani antisemitik Gadi Luzzatto Voghera, Drejtor i Qendrës për Dokumentacionin Bashkohor Hebre (CDEC) në Milano, shfaqet më i kujdesshëm. “Sigurisht që janë disa elementë që janë ricikluar në debatin publik bashkëkohor. Para së gjithash, tendenca për t’i lidhur hebrenjtë me një aftësi të veçantë në përdorimin e parave, një trashëgimi e kohës kur në Evropë ata detyroheshin me ligj të jepnin para për pengje”, – shpjegon historiani. “Të folurit është zhvilluar në një mënyrë tjetër dhe kthimi shumë prapa në kohë, nuk ndihmon për të shpjeguar dinamikën e së tashmes. Origjina aktuale e armiqësisë antihebreje përshkruhet, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX rreth një gjuhe që ka një efikasitet të fortë politik”.

Ishte pikërisht atëherë, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që antisemitizmi u shfaq si lëvizje politike.

Racizmi bashkohor antihebre ushqehet nga vala e gjatë e urrejtjes së 150 viteve të fundit dhe nga argumentet e antisionizmit, lëvizjes që kërkon të zhdukë shtetin e Izraelit dhe ka hyrë plotësisht në sferën e politikës antisemitike. “As tmerri i Shoahut, nuk ishte në gjendje ta zbuste fenomenin, sepse nuk preku bazën ideologjike të antisemitizmit, i cili ushqehej nga disa elementë të marrë nga Holokausti”, – argumenton Luzzatto Voghera. “Antisemitizmi nuk ka nevojë për hebrenjtë, por vetëm një imazh negativ të ndërtuar rreth një gjuhe antisemite. Ne mund ta përkufizojmë vetë Shoahun si një “qark të shkurtër të antisemitizmit”, pasi ai identifikoi imazhin publik negativ të hebrenjve në njerëz kockë e lëkurë”. “Kjo është arsyeja pse tashmë, në periudhën e pasluftës, ne jemi dëshmitarë, për shembull, pa u befasuar, të rishfaqjes së akuzës për vrasje rituale që synonte të mbijetuarit e një komuniteti polak në vitin 1946, ose identifikimi i lindjes së shtetit të Izraelit si produkt i një komploti hebre për të pushtuar botën. Me fjalë të tjera, disa simbole që dolën nga historia e Shoahut përdoren për të ushqyer retorikën antisemitike”. Por shumë historianë, përfshirë vetë Luzzatto Voghera, nuk ndajnë të ashtuquajturin “interpretim lotues të historisë hebreje”, sipas të cilit, hebrenjtë kanë përjetuar një seri të pandërprerë persekutimesh në çdo epokë. “Ka pasur edhe shekuj të bashkëjetesës paqësore me botën e krishterë, që shumë shpesh bien në plan të dytë”, – shpjegon drejtori i CDEC. “Dhe në gjashtëdhjetë vitet e fundit, si kisha katolike, ashtu edhe ajo protestante, kanë bërë një kthesë vendimtare në nivelin teologjik dhe interpretues të marrëdhënieve midis komuniteteve të krishtera dhe judaizmit. Por është e qartë se, predikimi antihebre gati dy mijëvjeçarë, nuk mund të fshihet në një kohë të shkurtër”./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


TETË mësime për Shqipërinë

Gjermania e viteve ’30, kolapsi i “Weimar”