Ajo është një nga zërat më të fortë të letërsisë evropiane të shekullit XX, e lindur më 1917 dhe ndarë nga jeta në moshën nëntëdhjetë, më 2007, duke mbajtur një libër në dorë. Megjithatë, në karrierën e saj të gjatë, shkrimtarja hungareze Magda Szabo, ka botuar rreth pesëdhjetë libra, duke përfshirë, romane, trillime, libra për fëmijë, drama dhe ese./Konica.al
“Për Elizën”, një autobiografi rinore në formën e romanit, “Abigail”, me gjithë efektet e një romani imagjinar, “Afresku” një portret i Hungarisë nën komunizëm dhe, më pas, tri personazhet e shkëlqyera femra në qendër të librave të saj më të bukur: “Porta”, “Eszteri tjetër” dhe “Balada e Izës”.
Autore intime dhe borgjeze, ajo pati disa probleme gjatë regjimit komunist, që i konsideronte librat e saj në mospërputhje me direktivat e realizmit socialist. Fare pak e prirur për gjeste flagrante dhe të bujshme, preferoi të strehohej në një qytet provincial, për të bërë profesionin e mësueses, në një lloj mërgimi vullnetar në atdheun e saj. Njohja, edhe ajo ndërkombëtare, erdhi disa vite më vonë, me atë që duket se mbetet kryevepra e saj “Porta”, publikuar në vitin 1987. Është historia, në pjesën dërrmuese autobiografike, e marrëdhënies midis një shkrimtareje, Magda, intelektuale borgjeze dhe zonjës së saj të pastrimit, Emerenca, me origjinë shumë modeste.
E para nuk është në gjendje të përballojë problemet e vogla të përditshme, e dyta është një përqendrim energjish, shumë pragmatike dhe e drejtpërdrejtë, madje është personazhi kryesor rreth të cilës rrotullohet i gjithë romani. Një grua e çuditshme dhe e veçuar që në fillim, kjo shërbëtore, sa për ta kuptuar, është ajo që kërkon informacion për punëdhënësit dhe jo e kundërta: “Nuk i laj rrobat e pista në rastin e parë”. Ajo përcakton se çfarë të bëjë dhe kur ta bëjë atë, sikurse edhe pagën e saj. Nga ana tjetër, ajo nuk kursen veten dhe punon pa u lodhur, duke u treguar gjithmonë shumë efikase.
Emerenca është e mbyllur, e zgjuar, shumë xheloze për jetën e saj, gjërat e saj, njerëzit e saj të dashur dhe gjithmonë ruan një distancë të sigurt mes vetes dhe të tjerëve. Ajo nuk është e martuar, nuk ka miq, nuk beson në Zot: ajo është gruaja e mohimeve. Mohon gjithçka, përveç përkushtimit ndaj punës dhe kafshëve. Ajo nuk lejon askënd të hyjë në derën e shtëpisë së saj. Një derë, nga merr edhe titullin romani, pas së cilës ajo fsheh botën dhe historinë e saj, të përbërë nga gjëra që vijnë nga shumë larg.
“Emerenca ishte e paparashikueshme, e parezistueshme, me të nuk mund të miqësoheshe, të bëje miqësi, as të diskutoje, ajo ishte e guximshme, ajo ishte e talentuar me një inteligjencë djallëzisht të mrekullueshme dhe kishte një arrogancë poshtëruese. […] Emerenca ishte e pastër, e paprekshme, ajo ishte ajo që të gjithë ne, më të mirët prej nesh, do të donim të ishim”./Konica.al
Kjo e shërbëtores Emerenca, është një portret me forcë dhe thellësi të madhe.
Një figurë e jashtëzakonshme që bëhet përfaqësimi i një gjendjeje ekzistenciale, nëse është e vërtetë që secili prej nesh u tregon të tjerëve vetëm një pjesë të vetes, zakonisht një maskë që e vendosim për t’u përballur me botën, ndërsa ajo që jemi në të vërtetë, pjesa e fshehur, atje ku mbajmë sekretet dhe të vërtetat e patregueshme, mbetet e paarritshme. Në libër, faqe pas faqeje, krijohet një marrëdhënie e fortë mes zonjës dhe shërbëtores, që do ta çojë Emerencën të hapë atë derë fatale, por në mënyrë emblematike kjo do të shënojë edhe fundin e saj tragjik. Në qendër të këtij romani të shkëlqyer janë nuancat e pafundme të shpirtit njerëzor, vlera e kujtesës, misteri i vetmisë, nevoja për rehati që ka secili prej nesh. Autorja dëshiron të nxjerrë në pah, sesi kujtesa mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme, sa mund të kushtëzojë përvoja e jetuar sjelljen e çdo individi.
Me librin “Porta”, Madga Szaba na la një mësim të madh, më të vlefshëm se kurrë në epokën tonë të zhurmshme.
Të jesh pranë të tjerëve, nuk do të thotë ndërhyrje, por vëmendje. Fjalët janë të kota, gjykimet dhe këshillat janë të kota. Për të qetësuar dhimbjet e jetës, mund të mjaftojë edhe një prani e heshtur, por që di të dëgjojë dhe, herë pas here, të na prekë dorën./Konica.al