Maska mortore e At’ Gjergj Fishtës të pret sapo hap derën e bibliotekës Françeskane në Shkodër. Ruajtja e saj, si edhe të tjerave sende të poetit, ka vënë në rrezik shumë jetë njerëzish. Sendet personale të Fishtës, “Homerit shqiptar”, ndodhen në bibliotekën që e ndërtoi vetë, më shumë se një shekull më parë, shkruan Simon Shkreli.
Shkopi i Fishtës i ruajtur nga At Zef Pllumi, së fundmi i është bashkuar dhe relikeve të tjera. Pas një shekulli është i padëmtuar.
“E ka nxjerrë at Zef Pllumbi nga kuvendi françeskan. E ka lënë në familje që e ruajtën dhe e dorëzuan kur ra sistemi”, – shprehet At Viktor Demaj.
At’ Viktor Demaj përgjegjësi i Bibliotekës Françeskane, flet për këto relikte dhe dorëshkrime që janë ruajtur nëpër shtëpitë e adhuruesve të At Gjergj Fishtës.
“Janë ruajtur nga familje të persekutuara. Janë ruajtur pasi u kontrolluan nga sistemi, sistemi vetëm njëherë i kontrolloi. Dorëshkrimet i kanë ruajtur në parketet e drurit. Dallohen se janë të dëmtuara. Më pas ia kanë dorëzuar arkivit Franceskan”, – tregon ai
Dy muaj më parë, dolën në dritë edhe letërkëmbimet, përmes të cilave shfaqet një anë e panjohur e Fishtës.
“Kur i kam parë për herë të parë më bëri përshtypje shkrimi në gjuhën italiane pa asnjë gabim drejtshkrimor. Ku m’i dhanë t’i përktheja, koha ishte e shkurtër, ishte gati në kufijtë e një misioni të pamundur, se duheshin gati për 80-vjetorin e vdekjes së Fishtës.
Disa ishin të dëmtuara dhe duhet të rindërtonim tekstin. Me një punë intensive gati njëvjeçare, ishim përballë personalitetit më të madh të kohës, që ndikoi dukshëm në 15-vjeçarin e parë të shekullit XX. “Juria” ishte Fishta që na rrinte mbi “krye”. Qartësia erdhi gjatë nisjes së punës”, – shprehet Vinçenc Marku, pedagog.
At Shtjefën Gjeçovi, i shkruante At Gjergj Fishtës një letër, duke përdorur dy ngjyrat simbolike, të kuqen dhe të zezën. Letra doli në dritë pas 109 vitesh:
Gomsiqe, 7-II-1912
“Auguror his igitur flecti tua numina, mec Tu Immerito nomen mite Parentis habes” (P.O.Naso)
Shumë i dashtuni A.Gj.Fishta!
Lajme t’madhnueshme e t’kannshme per sejcillin Shqyptaar e sidomos per mue, që t’dishroj, e uroj madhnimin t’ann, me gjith zemer I prita e me knaqë t’shpirtit i knnova!
“Poet Komtar” emni i lumnueshem për Tyej qi e fitove me shkrime t’larta, tuj na hieshue giuhën komtare e I madhnueshem per nee shqyptarë, qi t’njofim per vllaa t’onin neer maa t’vlertit. Çmimi I emnit T’ann, asht çmimi I bijeve të shqypes marë!
Paçin faqen e bardhë t’gjith ata burra t’Pernnritrçem, qi ta diitne vjeftimin e çmimin e t’madhnuene me sheje t’larta e t’posaçta!
Rrnoftë A.Gj. Fishta O.F.M!
Rrnoftë Klubi “Giuha Shqype”
T’falem me nniesii Komtare!
A.S.K Gjeçov
OFM
“Jepet Fishta intim tek letrat. Morëm stilimin që përdorte në letrat dhe publicistike. Është bërë punë skeduese. Morëm fjalorin e Fishtës dhe më pas I përdorëm stilemat tek përkthimi i letrave në shqip. Janë mbi 70 letra që variojnë nga 25 faqe fletore deri në 1”,</em> shprehet Vinçenc Marku.
Figura e Fishtës dhe veprimtaria e tij u sfumuan me urrejtje nga komunistët. Eshtrat u tretën në lumin Kir.
Akademiku nga Kosova, Sabri Hamiti, shprehet se fati i At Gjergj Fishtës është i njëjtë me atë të Pjetër Bogdanit.
“Prova e likuidimit të tij, ju e dini që edhe në kuptimin fizik edhe është zhvarrosur. Që na kujton mënyrën që është zhvarrosur Pjetër Bogdani me 1689 në Prishtinë. Aty ku është bashkuar veprimtari shoqëror me poetin gjenial, i takon këta dy personalitete, janë të ngjashëm, edhe fatin e kanë të ngjashëm”, – shprehet Sabri Hamiti, akademik.
Akademikut Sabri Hamiti është i mendimit se edhe në këta 30 vite pluralizëm, veprimtaria e Homerit shqiptar, nuk njihet mjaftueshëm.
“Prania e Fishtës është e munguar dhe trashëgimi e një mentaliteti që ka jetuar gjysmë shekulli. S’është e lehtë të bëhet rrotullimi për pak vite. Fishta është kurorëzimi i një gjeniu letrar i trashëgimisë shkrimore shqiptare që nga formula e pagëzimit deri sot”, – thotë Hamiti.
Për pedagogun e letërsisë Vinçenc Markun, Gjergj Fishta është krijuesi i asaj që quhet ndërgjegje kombëtare, me epiken dhe me lirikën e tij.
“Ka pasur një satirë që tregohet sesi nuk duhet të jetë shqiptari përmes kësaj marrim vesh sesi duhet të jetë”.
Studiuesit theksojnë se figura të nivelit të Fishtës dhe veprat e tij, nuk janë përfshirë mjaftueshëm në tekstet shkollore.
“Tekstet duhen parë me kujdes, të vendosen në cdo cikël shkollor. Të edukohen njëherë mësuesit. Thonë nuk di me lexu, po si nuk di me lexu Fishtën kur mëson gjuhë të huaj. Teksti bashkim rrokjesh janë. Si nuk i lexojnë dot gërmat ato shqip janë. Për mua, ka mungesë vullneti për të lexuar, jo pamundësi”,- shprehet Vincenc Marku.
“Mungesa e leximit është sëmundja e kohës. Do ketë vlerë të madhe nëse institucionet arsimore do t’i japin më shumë rëndësi për përhapjen e Fishtës. Ka vepra që nuk iu ka ikur koha dhe sot”, – thekson Viktor Demaj.
Sabri Hamiti, duke u mbështetur te studiuesi arbresh Zef Skiroi, e quan aventurë tentativën për mohimin e Fishtës.
“Kthimi s’bëhet për një ditë. Kthimi duhet u lexuar Fishta origjinal, jo interpretimet. Zef Skiroi i ri, bizantologu arbëresh ka thënë: Fishta edhe Skënderbeu janë dy gjeni që lidhen dhe ai që e mohon Fishtën mohon Shqipërinë. Le ta provojë kush, aventura është e rrezikshme”, – shton Sabri Hamiti.
Homeri shqiptar, At Gjergj Fishta, dalëngadalë po rikthehet në oazin e tij të Gjuhadolit, në Shkodër, të cilën e shndërroi në vatrën e krijimtarisë së vet. Ndërsa reliktet pushojnë të sigurta larg përndjekjes, në Bibliotekën dhe Kuvendin Françeskan.