MENU
klinika

Shkruan: Alain Bosquet

Rend, rend e dashur legjendë

03.01.2022 - 15:03

Hemingueji është më shumë se njeri, ai është stil të jetuari”./Konica.al

 

Në cilin çast e zë legjenda prenë e saj? Kuptohet, që rregulla nuk ka. Shkrimtari në kullën e tij të fildishtë, për shkak të harresës, mund të shndërrohet në legjendar. Ndodh e kundërta nëse shkrimtari që del nga kulla e tij e fildishtë, përplas derën, hedh çelësin në një fushë me kolës dhe thërret: “Shekull, për ne të dy!”, në këtë pikë mund të shndërrohet në publik, aq sa mekanizmi i përfytyrimit të tij i shpëton turmave: “ato shtrembërojnë atë që lexojnë dhe sajojnë midis autorit dhe personazheve të tij marrëdhënie, edhe ato legjendare./Konica.al/ Nëse personi që shkruan është në të njëjtën kohë i njëjti që përshkon gjerë e gjatë trotuaret e shekullit – atëherë rroftë lufta! Nuk ka arsye se përse legjenda duhet të zëvendësojë të vërtetën; në rastin më të mirë le të themi,  se ajo e shndërron në ekzemplar, i shton disa  zbukurime të tepruara, madje çon deri në karikaturë hollësi të parëndësishme. Mjafton që autori të publikojë shumë, të mos jap shumë shpjegime – asgjë nuk paguhet më shumë, sipas fjalës që Hemingueji e pëlqente shumë, se parabola: një histori, për të cilën mund të themi pa prova të sakta, se përmban një moral të vetëkuptueshëm, apo se fsheh një aspekt shumë sekret të autorit, i cili ka dashur të shprehë aksh dramë personale pa e shpjeguar atë me mënyra të dhunshme, merr pjesë në manifestimet e humorit kolektiv, qoftë ai i mirë ose i keq, nuk ka frikë nga qesharakja, jep përshtypjen ja të lirisë, ja të ngushtësisë së shpirtit asketik. Në këtë rast, legjenda prehet aty; virtyti më i rrallë i kohës sonë është mjedisi i vërtetë: vrapojmë te paroksizma dhe ekzagjerimi, sepse është shumë më e këndshme sesa të ruash një masë të ndershme.

A mos duhet vallë të sistematizojmë të paparashikuarën? Në rastin e Heminguejit, na përngjan se legjenda do ishte pa dyshim më mirë, sikur të thuhej me më shumë saktësi: legjendat kundërshtuese që përfundojnë në mite – në katër burime të ndryshme nga njëra-tjetra, që po ju propozojmë duke e ditur se një klasifikim i tillë mund të ngjasojë kategorik:

– legjenda e lindur nga vetë faktet;

– legjenda e lindur në përfytyrimin e të tjerëve.

– legjenda e nxitur nga Hemingueji;

– legjenda e shtrembëruar me vetëdije.

Cilat janë faktet e vërteta që, në një ekzistencë gjashtëdhjetëvjeçare të mbushur në mënyrë të jashtëzakonshme, ushtrojnë një mahnitje të tillë si lexuesi, ose njeriu i thjeshtë, përballë fotografisë së Heminguejit, me gjithë kundërshtinë e tij fillon befas të ëndërrojë, të shpërfytyrojë, t’i përqasë njeriut një dimension të tepruar? Me thënë të drejtën, kohë para se të arrinte moshën madhore, Heminguei ishte tashmë një qenie e veçantë për nga gjallëria, shëndeti fizik, si dhe shqetësimi për t’u çliruar nga fëmijëria e tij provinciale. Nga nevoja natyrore e trupit dhe e shpirtit,  ai nuk do t’i besojë asnjëherë këtij koncepti, që për të ishte shumë abstrakt, shumë shpejt Hemingueji vendosi të bëhej i gjithanshëm: jo sepse ishte një dëshmitar i lebetitur dhe pa rrënjë, jo sepse ishte një viktimë e kohës së tij, troshitur nga njëri vend në tjetrin, por të ishte një luftëtar në marrëdhënie të përsosura me aventurën e kohës së tij.

Tek ai edhe paraqitja më sipërfaqësore merrte shtrirje shumë të thjeshtë, por që u imponohej të gjithëve. Djaloshar, ai ishte trupmadh dhe i bukur, një amerikan i mirëushqyer dhe pa peshë, ndryshe nga emigrantët që takojmë në Paris dhe që i përkasin po të njëjtës gjeneratë: fytyra e shtrembëruar dhe e prishur para kohe e Sinclair  Lewis, trashësia e tipareve tek Scott Fitzgerald, vështrimi shqetësues dhe ogurzi i Ezra Pound. Përjashtimi fizik që ai përbënte gënjente, të paktën me shikim të parë, këtë klishe: inteligjenca amerikane në Francë, të nesërmen e Luftës së Parë  Botërore, ishte krijuar nga të papërshtatshëm./Konica.al/ Lewis do të nisej në luftë kundër borgjezisë dhe “njeriut të rrugës”, Scott Fitzgerald  do të dehej  me horizonte të shtirura në një arratisje të vazhdueshme jashtë vetvetes, Pound do të zhytej në të fshehtat e hermetizmit poliglot. Krah tyre dhe të disa të tjerëve, Hemingueji ishte fizikisht dhe mendërisht njeriu i shëndetshëm. Trupi e kishte siguruar tashmë perandorinë  e tij mbi aftësitë intelektuale. Që në moshë të re, ai mori një numër të pallogaritshëm goditjesh, para se të mësonte që ndonjërën prej tyre duhej dhe ta kthente mbrapsht. E dimë se në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, gjatë një mësimi boksi, ai theu hundën. Guximtar, ai nuk reshti së provuari. I angazhuar vullnetarisht në frontin italian, në vitin 1918, ende nuk kishte mbushur nëntëmbëdhjetë vjeç, kur u plagos shumë rëndë. Dy dekorime dhe një rekrutim mjaftoi t’i jepte këtij djaloshi plot dell një ide shumë të qartë. Duke u nisur nga fakte të këtij rendi, ne mund të ekstrapolojmë. Por, pikërisht, faktet e jashtme vetëmjaftohen. Mjafton të tregojmë dhe provojmë se ne funksionojmë ashtu si duhet. Dëshmitarët janë të shumtë, nga njëri cep i Evropës në tjetrin. Heminguejit i pëlqenin demat, alkooli, zënkat e zhurmshme, boksi, gostitë e pambarueshme. Djaloshi simpatik shndërrohet në një njëri të fuqishëm, tashmë një mustaqe serioze e plak pa mbushur të tridhjetat. Ai përshkon sallone të panumërta mondane dhe bare të modës që të binte në sy.

Ndonjëherë është mirë të mbash largësi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nëse je një sherrxhi dhe gjuajtës i egërsirave. Hemingueji mësoi t’i donte luanët dhe më pas, t’i vriste me pak keqardhje.

Megjithatë, ai nuk mallëngjehej shumë, as për viktimat e tij dhe as për vetveten. Gjithsesi, në prag të luftës së Spanjës, ishte një njeri që mrekullitë e planetit nuk kishin shumë sekrete.  Të papriturat e çastit shumoheshin, ndërsa Hemingueji ndodhej kudo ku i interesonte të gjendej, si në orët e vështira ashtu edhe në çastet jo të natyrshme. Bëhej pjesë e spektaklit dhe nuk ishte veçse simboli i vetvetes. S’ka shumë kohë, kur mund ta quanin si një mishërim të kësaj Amerike naive, bujare dhe të ethshme. Më e saktë ishte në vitin 1936: Hemingueji ia plotëson nevojat Heminguejit. Gazetat nuk mund ta shpërfillnin më. Nuk ka nevojë të luajë rolin e partizanit, që ka ide të prera për luftën civile. Instinkti është i sigurt dhe ndodhin intelektualizma të gjetura. Vepron me zemërgjerësi dhe nuk lodhet shumë për të shpjeguar gjerësisht veprimet e tij.

Mirëpo nuk lë pas dore as aktualitetin. Suksesi i Për kë bien kambanat  mori dhenë. Ai pushtoi Hollivudin. Sigurisht, nuk kishte nevojë të mbahej domosdoshmërish si Robert Jordan; i lirë nga të tjerët për të sajuar paralele. Fizikisht, ai kishte ndryshuar. Gjerësia e shpatullave ishte gjithnjë e më mbresëlënëse, barku madhështor, supet të ngjeshura, gjoksin mbushur me qime si prej majmuni, mjekrën me një autoritet ironik.  “Babai” Hemingueji, pasi kishte qenë në një marrëveshje të mirë me natyrën, përkundër koleksionit të vetëm në botë përbërë prej vulash dhe vragash të çfarëdolloj varieteti, ishte shndërruar në një prej forcave të tij. Korrespondent lufte në vitin 1944, ai edhe një herë tjetër tregoi se nuk ndiqte tjetër veçse instinktin e tij. Rreziku nuk mund ta frikësonte më; ai grumbullonte rreth vetes ngalakaqë, vagabondë, aventurierë, disa patriotë të bindur, disa persona që mjaftonte t’i shkundte pak e t’i vinte në punë. Dhe papritur e shohim në krye të një ushtrie të vërtetë private.  Ai kryente trimëri dhe punë të mirë, atje ku Leclerc kalonte; madje ndonjëherë, ai i dilte përpara. Formalitetet nuk ishin pika e tij e fortë dhe shpesh shprehej se disa parime meritojnë edhe t’i shkelim. Shkurtimisht, ai nuk ishte veçse një komit. Rrezikonte gjyqin ushtarak: përfundonte duke e dekoruar. Ai nuk kridhej në lavdinë e tij; përkundrazi ishte i lirë të shfaqej vetvetja… ose pothuaj. Kur je një hero, një herkul, mik me Gary Cooper dhe Marlène Dietrich, kur je dikush që zë peshk deri në 300 kilogramë, a mund të quhesh end individ? Le të themi se të qenit tridhjetë ditë në muaj një njeri i rëndësishëm, nuk e dëmtonte; atij i lejohej gjithçka, derisa nuk shfaqej njëherazi as mendjemadh e as qesharak./Konica.al

Në vitin 1954, dy aksidente të rënda aviacioni, në Afrikë, i kujtuan mbarë botës se nuk ishte i paprekshëm, por se ishte një gjigant, ashtu si pa dyshim letrarët nuk kanë njohur të dytë. Spektakli i madh përshpejton: vitin e ardhshëm, ishte dhënia e çmimit ”Nobel”. Babagjyshi i Krishtlindjeve, me mjekrën e tij të përhimë dhe me muskujt e dendura shndërrohet në një institucion planetar. Përfundimisht ai ishte një përbindësh i shenjtëruar, që nuk mbahej si i tillë. Jahtet, arenat, filmat mirëmbanin një imazh të fortë dhe të pëlqyeshëm, cilado qoftë gjallëria. Mirëpo, meqenëse i detyrohej, spektakli më i gëzuar dhe më pak i dëmshëm përfundon me një tragjedi të llahtarshme: një vetëvrasje po aq e pafytyrë, sa edhe ekzistenca e tij; pa pikë mëshire, trupi i çikëluar nëpër të gjithë muret e dhomës. Ja edhe faktet, kundër së cilave nuk munden as spekulimet e as pirgu i teorive shkencore; kundër të cilave, veçanërisht, interpretimi i veprave, për të nënkuptuar se ato nuk kanë qenë më të drejtpërdrejtat dhe më të qartat e kohës sonë, mbetet i padobishëm.  Shuma është e jashtëzakonshme dhe pa dyshim e krahasueshme me ngjarjet, që janë grumbulluar  në jetën e Viktor Hygosë ose të Leon Tolstoit. Goditja përfundimtare u mundëson përfytyruesve të parashikojnë zona të errëta atje ku gjithçka ngjan e shndritshme dhe moralistëve të përkulen para kuptimit të kësaj sfide të fundit.

Pra, le të shohim se ç’ ka qenë kjo imagjinatë, herë e ndërgjegjshme, herë-herë më shumë e çoroditur. Mund të thuhet, përballë biografëve të Hemingueit se lënda, deri në hollësinë më të papërfillshme, është e mbushur me ngjyra dhe e vlerëson më së miri marrëzinë në sinqeritetin e rrjedhshëm, saqë karikatura pothuaj pa e kuptuar vendoset pranë dëshmitarit. Me vështirësi e vë në skenë Heminguejin, saqë tashmë kemi një lloj përmbledhje  të matadorit.  Ky gjest është ngashënjyes dhe paksa bezdisës. Në veprat që i janë përkushtuar, Hemingueji shfaqet, gati pa asnjë përjashtim, si një personazh i dalë nga ndonjëra prej rrëfenjave të tij. Dëshmitë më pak të mirëshkruara dhe më pak të natyrshme nuk mund të shmangin njëfarë madhështie të padjallëzuar, sikur Heminguei të ishte, në secilën nga këto gjeste, një farë mbinjeriu. Kushdo që e ka takuar ngjan si i eklipsuar nga gjallëria e tij; e dëshiron ose jo, ai e përshkruan atë me fjalë të tepruara. Heminguei kishte grumbulluar pranë tij, pak ditë para çlirimit të Parisit, disa komitë. Nën penën e ngashëryer dhe mahnitëse të Philip Young, në vitin 1952,  përleshjet e vogla për të cilat ai ishte edhe përgjegjës shndërrohen në operacione lufte heroike: “Me gjermanët në dy krahët e tij dhe para tij, ai nuk ishte më i aftë t’i dërgonte të dhëna prapavijës, të kërkonte ndërhyrjen e tankeve për t’i bërë ballë më mirë… Në Rambuje, ai mori drejtimin e një grupi luftëtarësh francezë të çrregullt, ngriti kazermën e përgjithshme në një hotel dhe filloi operacionet me shtrirjeje të gjerë.  Vuri të ruhen rrugët, dërgoi patrulla me qëllim që të tërhiqte zjarrin e gjermanëve që i shfaqnin papritur pozicionet e tyre, madje dërgoi edhe disa civilë me biçikleta, që sollën njoftime të së njëjtës natyrë./Konica.al/ Kur Leclerc mbërriti në qytet për të përgatitur aty marshin zyrtar në kryeqytetin e Francës, Heminguei i paraqiti  shefit të shtatmadhorisë të gjitha skicat dhe njoftime të tjera, që ai kishte mbledhur. Sipas mendimit të një koloneli të OSS, falë këtyre njoftimeve marshi i famshëm i Leclercut duhej t’ia dilte mbanë.” Kështu lindi, me njëqind dëshmi të tjera të së njëjtës natyrë, legjenda e Heminguejit,  pothuaj pa e kuptuar ushtar i kauzës së drejtë dhe hero i luftës.  Për Heminguejin gjatë fushatës përtej Rinit, i njëjti Philip Young shkruan: “Papritur tetëdhjetë e tetë gjermanët u futën në veprim. Si një trup i vetëm, të gjithë njerëzit u plasën përdhe, sipas urdhrit, dhe filluan të kërkonin duke prekur me dorë në shpresën për të kapur ndonjë kaskë… Hemingueji, ai, qëndronte gjithmonë në tryezë, kokëzbuluar, me shpinë nga drejtimi ku vinin goditjet; hante darkën, i vetëm.”John Groth, në vitin 1946, sjell ndërmend një episod  të po së njëjtës fushatë: “Kishte pamjen që unë njihja, sepse e kisha parë në fotografi, besnik ndaj asaj që përfytyroja: pranë tryezës me disa granata dhe konjak para,…. Gjermanët që banonin aty – fermeri, bashkëshortja dhe vajza e tij – ishin mbyllur në papafingo para vajtjes sime atje. “Babai” … përpiloi planin mbrojtës për natën. Deri në mëngjes do ngrinte ruajtjen.” Pas imazhit të njeriut trim shfaqej ajo e një tjetër legjende: i gjalli dhe, veçanërisht, pijaneci. Rrëfenjat nuk mungojnë, ku Heminguei, pas shumë dehjesh me pije, ruante njëherazi dinjitetin buçitës dhe ekuilibrin e tij. Në një libër të mrekullueshëm, gjithë frymëzim, dashuri dhe sinqeritet, Hemingueji, një mik i vjetër më kujtohet, Jed Kiley shkruan: “Atëherë, një ditë të muajit gusht 1954, mora një goditje. Pashë një fotografi të tijën në gazetë; po merrte çelësin e qytetit në La Havane, ose një provë nderimi të atij kalibri. Ishte kthyer në atdheun e tij, në Kubë. Ndodhej atje, mbi podium së bashku më Zonjën Mary (Mary Hemingueji, bashkëshortja e tij e katërt) dhe në cep një grup njerëzish të rëndësishëm. Duhet ta kenë ndaluar për ta shpënë atje, flisja me vete, apo mos vallë e kanë rrëmbyer. Gjithsesi, ia doli mbanë të përdorte mënyrat më energjike. Nuk ishte e lehtë ta dekoroje, djalin. Por nuk ishte kjo ç’ka më trondiste. Ishte vetë fotografia. E këqyrja nga afër dhe nuk mund të gabohesha: ai nuk kishte gotë në dorë.”

Hero, i kryqëzuar, energjik, pirës, Heminguei në të gjitha rrëfenjat shfaqej si një lloj Herkuli. Vazhdon përsëri Jed Kiley të sjellë episodin ku shkrimtari maskohej në një princ rabëlezian, i cili ia del mbanë në gjithçka, sepse, deri në vitet e tij të fundit, ai ishte veç të tjerave, njeriu i shansit, gjiganti i Baraka-s:

“Thuhet se ai sapo ka kundërshtuar pesëdhjetë mijë dollarë për të drejtat kinematografike të  Lamtumirë Armë, shpjegon F. Scott Fitzgerald. Ai donte o njëqind, o asgjë.

– Çfarë? Klitha unë.

– Po, po, ashtu si e dëgjove, – u përgjigj Scott. Dhe unë që e mbaja veten si shumë mirë të paguar, kur më propozuan dhjetëmijë për një nga librat e mi.

– Ai nuk është shkrimtar, – u shpreha.  Ai është biznesmen.

– Jo, – m’u përgjigj Scott-i . Është shkrimtar i madh. Nëse nuk do të isha i bindur, atëherë nuk do isha përpjekur ta vrisja sot.

– Ta vrisje? – sokëlliva.

– Sigurisht, – u përgjigj Scott. Isha unë, kampioni, dhe kur ai na lexoi mburrjet, e kuptova se kishte diçka në mendje. Atëherë lashë t’i rrëzohej një parvaz qelqi mbi kokë, ndërkohë që po pinim. Por është e pamundur të vritet ai tip. Ai nuk është njerëzor.

– E plagose? – e pyeta unë.

– Jo shumë, – u shpreh. Rreth dymbëdhjetë të qepura.

– Sa keq! – pëshpërita.”

Pathyeshmëria fizike, në të gjitha aspektet e saj, ishte një nga format më të thjeshta dhe më mashtrueset e një legjende si ajo e Heminguejit. Aksidentet e tij ishin të panumërta. Dimë se më 8 korrik 1918, në Fossalta di Piave, tre ushtarë italianë u vranë fare pranë tij. Ai mbajti hopa njërin prej tyre që ishte duke dhënë shpirt, për ta çuar në prapavijë, kur një e shtënë e plagosi në këmbë dhe në gju. Nga këmba e tij e djathtë nxorën dyqind e tridhjetë e shtatë shrapnela. Të tjera fatkeqësi e pasuan. Në vitin 1954, ai theu dhjetë brinjë. Mbas aksidentit të aviacionit në vitin 1954, mjeku kurues, pak i dyshimtë në literaturë, hartoi edhe një buletin.

[…..]

Ky njeri, që shpejt vendos, shpejt interpreton, nuk ka as turp e as kujdes. “Si një samuraj, – shprehet Leicester, Ernest Hemingueji mendonte se trupi e kishte tradhtuar.” Për më tepër, para asaj surprize të fortë, njerëzve të ndjeshëm u lejohet gjithçka.

Do sajojmë motive, mendime të holla, një pasion të befasishëm, një mëri, përsëritjen e ndonjë gjesti tashmë familjar në xhungël, një plan të sertë, një qëllim pervers të një djallëzimi ndreqës: legjenda dobësohet pak nga pak dhe atëherë mund ta kapim nga ndonjë gjest i pandreqshëm, në të njëjtën kohë sublim dhe i neveritshëm. Po, i lejohet ta zgjasë dramën në vetvete, ashtu siç është mendjemadh për ta bërë atë. Dykuptimësia e tragjedisë nuk ka qenë ndonjëherë më e kotë dhe më pjellore. Kishim dëshirë të shpreheshin edhe disa të afërm të afërt të Heminguejit, por të ishin sa më pak dyshues për letërsi me cilësi të dobët. Shprehën atë që kishin parë dhe, edhe në rastin e Malcolm Cowley, u kënaqën që e kujtuan. Megjithatë, a ndihmuan vallë në mbulimin me lavde të së vërtetës, duke e shndërruar atë në një ekzemplar, ta zhvishnin atë nga diçka që, në cilëndo biografi, quhet monotoni dhe përsëritje? Nuk të lënë këtë përshtypje… faktet e zbuluara, qofshin ato të shprehura ose jo, nga vetë kuptimi i tyre janë shumë mbresëlënëse. Gjithashtu, duhet të shpalosim hapur se deri në çfarë mase Hemingueji nuk e inkurajonte ekzagjerimin, kur donte të bënte figurë të mirë para duartrokitjeve të turmave. Megjithatë, duhet thënë se ishte shumë i zgjuar; ai e pranonte personazhin, nuk i gjente justifikime bizantine, nuk vinte shumë në dukje ndonjëherë anën karikaturë dhe, në çastet e padurimit, parapëlqente të vepronte sikur të kishte dëshirën e fshehtë  për të kaluar caqet e saj dhe, shkurtimisht, të ishte i pabesë. Madje, ndonjëherë i ndodhte të tregonte edhe një farë bashkëfajësie: në ato çaste ai ishte një lloj Heminguei në katror, ekzibicionist dhe i gëzuar, ndoshta jo edhe pa ndonjë fije tërbimi. Ne i shkruam Znj. Mery Hemingueji: “Cila ishte reagimi i Heminguejit para legjendës së tij të mirëfilltë, të tillë siç e zbulon ai tek të tjerët? Me fjalë të tjera, a kishte prirje të pranonte disa teprime të cilat i kishim grumbulluar përreth tij? Apo ndoshta këtë lloj publiciteti ai e trajtonte me përbuzje? E pëlqente apo nuk e pëlqente imazhin që kishim krijuar për të?”

Znj. Mary Hemingueji na u përgjigj: “ Për t’u dhënë një përgjigje të shkurtër dhe të shpejtë, do thosha se zakonisht Ernesti ishte i errësuar në mendje, ndonjëherë i mërzitur dhe ndonjëherë i neveritur nga hollësitë legjendare që ildisnin për të./Konica.al/ Ai nuk ka treguar asnjëherë ndonjë simpati e as ndonjë dëshirë për të pranuar tepritë që grumbulloheshin rreth tij, përveçse si qenie njerëzore dhe këtë zhanër publiciteti e quante si një nga idiotësitë më të mëdha të shekullit. Në të vërtetë, nuk di t’u them nëse e pëlqente apo jo imazhin që kishin formuar për të; dukej sikur e merrte për abuzive dhe budallallëk.

Kjo dëshmi nuk u heq asgjë fjalëve të vet Heminguejit, ashtu siç  i kanë riprodhuar, në mënyrë shumë skrupuloze, disa nga familjarët e tij. Ato nënkuptojnë një besim të madh në vetvete, një vrazhdësi gjithë humor, një frymëzim asnjëherë të përgënjeshtruar.  Ai flet për veten sikur të fliste për ndonjë boksier dhe ka këtë mëkat të bukur: të shpjerë gjithçka, madje dhe letërsinë, në një çështje lufte fizike. Lillian Ross ai i deklaroi: “E fillova në mënyrë shumë modeste, dhe arrita të mundë edhe zotin Turgeniev. Më pas, ndoqa një stërvitje shumë të fortë, dhe munda zotin Mopasan. Pata dy barazime me zotin Stendal, dhe besoj se tek e dyta pata një përparësi të lehtë. Por asnjë nuk do të më gënjejë të ngjitem në ring me zotin Tolstoi; vetëm po të më marrë perëndia mendtë ose do më duhet të vazhdoj të përmirësoj formën time.”

Shumë vite më vonë, ai përsërit të njëjtat formula. Gjatë një rrëfimi njëherësh fisnik dhe të pikëlluar, ai i shprehet Kurt Singer: “Gjithë shoqëria ndodhet mbi ring. Mund të mbijetosh vetëm nëse i kthen goditjet dhe unë jam gjithmonë gati për të veshur dorezat e boksit. Sigurisht që ende merrem me boks. Do të luftoja deri në ditën e fundit, dhe atë ditë do të luftoja kundër vetvetes, për ta pranuar vdekjen si diçka të bukur, të njëjtën bukuri që shohim të diel pas të diele, në arena. Kur të dorëzohem, turma do të më sodisë  me të njëjtin interes  mospërfillës si putanat, kur ato sodisin demin.”

Nëse do të dëshironim me ­çdo kusht të kërkonim çelësin e qëndrimit në këto fjalë, nuk do zbulonim tjetër veç temës së vetmisë së lavdishme, të pathyeshmërisë, të shembullit që i jep njerëzimit mahnitës, të betejës së nevojshme, burrëri, sfidës ndaj vdekjes. Nuk duhet të mashtrohemi: gjithmonë drejt kësaj teme kthehet biseda e Heminguejit, si në një parabolë të përjetshme, megjithë mijëra variantet e tij.

Disa prej tyre janë qesharake; mbas aksidentit të avionit, kishin lajmëruar vdekjen e tij dhe ai shkruan: “Artikujt nekrologji, çfarë fëlliqësire kur lexojmë ato që kanë shkruar për veten tonë!” Variante të tjera kanë më shumë tërbim dhe një madhështi të pakundërshtueshme. “Shpirti im, – i rrëfen ai Kurt Singer, ndoshta nuk ka për të shpëtuar. Përse dreqin kujdesen aq shumë të shpëtojnë shpirtin e tij? Është detyrë e individit që ta humbas mendjen e tij me zgjuarsi, sikur të shiste pozicionin e ndaluar; nëse nuk je i zoti ta mbash atë vend, atëherë duhet ta shesësh sa më shtrenjtë të jetë e mundur … Nuk është e vështirë të vdesësh. U jep fund shqetësimeve!”

Por jo gjithmonë kemi të bëjmë me të njëjtën mendjemprehtësi. I pëlqen apo jo, ai mbron Heminguejin, sherrxhiun, heroin, njeriun e lirë të aftë të përfshijë të gjitha çështjet pa e vrarë mendjen shumë se ku gjendet e vërteta jetëgjatë. Pëshpëriten edhe për të dashurat e tij, që i kërkojmë më pak të bujshme sesa do t’i dëshironte ai? Ai sulmon, ngatërrohet, nuk bind asnjë njeri: “Shkrimtarët kanë frikë nga unë. Ka qenë njëri që ka shkruar një biografi të Ava Gardner; eh, mirë, një fjali e vetme i mjaftoi për të thënë se unë i kisha lënë takim këtu në La Havane. Që të gjithë kanë të njëjtën kujdesi, kur flasin për miqësinë time me Marlène Dietrich. Ne njihemi që prej shumë kohësh. Unë e quaj chleuh dhe nuk besoj se ndonjë tjetër do guxonte të bënte të njëjtën gjë. Chleuh, Mary dhe unë, jemi dalldisur shumë herë dhe do t’i thyeja turinjtë cilitdo që do të përzihej në marrëdhëniet tona. Nuk është punë e tyre … e vërtetë apo jo kjo marrëdhënie.” Mos vallë maskohet, nga frika se mos shfaqet nën ndonjë dritë më pak të dobishme? Për mbrojtje, ai mërzit bashkëbiseduesin e tij  mes nocioneve, të cilat janë alibi po aq të turbullta. Aventurat dashurore janë ato që në ekzistencën e tij ngjajnë si më pak fitimtare; kërshërive ai u përgjigjet me një lloj kryqëzate paksa bombastike: “Në librat e mi nuk ka kuptime të  errëta e  as të fshehura, as simbole, madje mundohem të shmang ndjeshmërinë. Gjuetarët nuk ia kanë ngenë të merren me ndjeshmërinë. Kafshët çiftohen pa emocione të brishta. Pa psherëtima të amështa në aktin seksual! Në djall mendjemprehtësitë e sallonit.

Burrat hanë gratë. Gratë hanë burrat.”  Edhe kur e zëmë  në befasi tek ëndërron një pleqëri hipotetike, Heminguei shpjegohet me fjalë të kota, me zgjuarsi e i fuqishëm, natyrisht i shtënë pas vetëkënaqësisë së arsyeshme; nëse nuk arrin deri në kapadaillëk ose mburrje, megjithatë ai është i ndërgjegjshëm se për veten e tij duhet të japë një imazh të këndshëm, që do të bënim mirë ta adhuronim. Gabim fitoreje, ai ende do të ketë se me çfarë të habisë, i qetë dhe i pushtetshëm.  “Do më pëlqente të kthehesha në Paris, – i thotë ai Lillian Ross. Do të vij nga dera e vogël, nuk do të jap intervista; s’dua reklamë, jo stërhollime gjërash, si dikur në kohërat e vjetra. Do të futem në kafenetë ku nuk njoh asnjë: ku të jetë vetëm kamerieri dhe zëvendësuesi i tij. Do të shikoja të gjitha filmat e rinj dhe më pas ata të vjetrit, do ndiqja kurset e çiklistëve dhe ndeshjet e futbollit, do shikoja vrapuesit dhe boksierët e rinj. Do të gjeja restorante të mirë dhe me çmime të lira, ku na mbajnë edhe peshqirin. Do të shëtisja gjithandej nëpër qytet dhe do vërej se ku i kam bërë gabimet e mia dhe ku kam pasur idetë e duhura. Më pas do studioja formën e stërvitjes dhe do përpiqesha të zgjidhja fituesit një pasdite kaltëroshe dhe të vagëlluar dhe, pastaj, ditën tjetër do shkoja të luaja me ta në Auteuil ose në Enghien.”

Po, Babai, e mban veten për të thjeshtë, “popull”, magjepsës nga fare pak melankoli, i denjë për të gjithë lexuesit, madje edhe atij më të përulurit, i pranueshëm për të gjithë, si për të varfrit dhe për borgjezët.  Instinkti vazhdon të jetë triumfues: ai nuk mburr kurrë njeri, nuk përjashton cilido qoftë nga simpatia e tij. Mos e dozon vallë sjelljen e tij? Kjo do ishte e tepërt nëse ia kërkonim këtë gjë; më saktë, ai ka zgjedhur njëherë e përgjithmonë të hiqet si një njeri që nuk i ka borxh asgjë universit dhe se nuk merr pjesë për asnjë çështje të përpiktë. Me kalimin e kohës kur edhe vitet ia lënë vendin njëri-tjetrit, ai thotë të njëjtën gjë. Ideali i tij është në jetën aktive, në muskujt e tij dhe në muskujt që ai u ka veshur personazheve. Ai i deklaron Kurt Singer-it: “Ja si do doja të isha kur plakem, një i moshuar mendjehollë dhe që nuk mërzit asnjë person. Atëherë, do të doja të shikoja boksierët e rinj, kuajt, baletet, çiklistët, vajzat, toreadorët, piktorët, avionët, të poshtrit, të zakonshmit e kafeneve, laviret e njohura ndërkombëtare, restorantet, vjetërsimin e verës, lajmet dhe, veçanërisht, të mos shkruaj as edhe një rresht për gjithë këto. Por, do t’u shkruaja letra të pafund miqve të mi dhe anasjellas. Madje, do të doja të bëja dashuri deri në moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare, si Clemenceau.”

Lëmsh e li, këto bukuri do të krijonin një portret zbavitës dhe ndoshta shumë të papërmbajtshëm.

Hemingueji e kupton sak kështu, se është shumë e rrezikshme të shesësh mend dhe shumë e shkathët për të stisur, tullë pas tulle, statujën tënde të mirëfilltë, të thjeshtë, monumentit që, të tjerët, nuk reshtin së ndërtuari. Herë pas here, ndonjë replikë e shpejtë dhe fshikulluese jep më rezultat se një fushatë e tërë publiciteti. Një ditë e pyesim nëse i ka shkuar mirë udhëtimi me jaht; ai përgjigjet duke u ngërdheshur dhe shton: “Nuk kam pirë shumë alkool.” Atëherë e pyesim për vaktet në bord, dhe përgjigja e tij është: “Peshq fluturues të gjallë.” Një mikut të tij që po inspektonte me ngathtësi instrumentet e peshkimit, i tha: “Grepi dhe toja më kanë kushtuar nëntëqind dollarë. Nëse m’i zhdredh, të hodha nga bordi.” Një herë tjetër, disi çakërrqejf, ai kapërdiu gotë pas gote, një duzinë koktejle dhe si për të rimarrë veten, i shoqëroi ato me një rum të dyfishtë përzier me koka-kola. “Përse koka-kola?” – e pyetën. Dhe përgjigja e tij ishte: “Sepse, sot nuk kam ngrënë mëngjes.”

S’na mbetet tjetër veçse të shohim atë vullnetarisht kemi bërë për këtë gjigant, për të rritur edhe më shumë gjigantizmin e tij dhe për ta paraqitur atë në një ditë edhe më të veçantë. Do t’i lëmë mënjanë paralelet pak a shumë bindëse të ravijëzuara midis personazhit dhe autorit. Sigurisht, Jake Barnes, heroi i Dielli ngrihet gjithashtu, i përkasin “gjeneratës së humbur” si Hemingueji dhe po ashtu si ai endet në Parisin e viteve njëzet; për shembull, Harry Morgan i Të kesh ose jo a nuk ka të njëjtin pasion si Hemingueji për çështjet e vështira, goditjet, vrazhdësinë, rrezikun, situatat njëkohësisht sublime dhe të dykuptimshme? A nuk kërkon edhe ai vdekjen e vrazhdë, sipas mënyrës së Francis Macomber, frikacak me guximin dhe padyshim i pafuqishëm me trimëritë e dashurisë? Për sa i përket Robert Jordan në Për kë bie ajo kambanë, nuk mendoni se është një variant i thjeshtëzuar i Heminguejit, më pak buçitës, më shumë i qetë, po ashtu edhe më romantik? Kush më mirë se Santiago, në Plaku dhe deti, refuzon të dallojë fitoren nga disfata, triumfin nga dështimi, këto dy gjendje shpirtërore të cilat, si në jetë ashtu edhe në të shkruar, Hemingueji është mishërimi vetë? Shkrimtari, me të arritur një farë lartësie dhe një farë dhuntie te vetvetja, përfundon duke u bërë një trup i vetëm me veprën e tij: ai e vazhdon, merr përgjegjësitë, merr frymë njëherazi me të. Që të dy janë, në përfytyrim si në arsyetim, gjithnjë e më shumë të pazbërthyeshëm.

Mirëpo,  ai që duhet të a përmbaj më veçanërisht, është lloji i ekstrapolimit gjë të cilën Hemingui e ka trashëguar vazhdimisht, nga ana e atyre që, me dëshirë të plotë, kanë dashur të shohin tek ai më shumë se Heminguei. /Konica.al/Ende nuk kishte mbushur njëzetekatër vjeç kur, e para, Gertrude Stein, e shndërroi atë në një kanakar, një qenie të jashtëzakonshme, një “kampion” të së ardhmes. Adoleshent, ai pëlqehej ende nga perëndeshat e vogla të Rive Gauche, të gjitha gati për ta ulur mbi një piedestal. Një vajzë e vjetër me rëndësi, çuçuritje salloni, një stil që qëndron tek përsëritja e katër ose pesë herë e të njëjtës gjë me qëllim që lexuesi të ndjejë një lloj veleritje: nuk i duhej më shumë, në vitet Njëzet, për të nxjerr në dukje një shkrimtar të ri. Atë që Gertrude Stein, as që e çonte ndër mend, ishte se ajo e pajiste njkohësisht me një mit dhe, sidoqoftë, me një profil prej karikature që asnjë, gjatë tridhjetë viteve, nuk do merrte guximin ta korrigjonte.

Shumë shpejt, filluan të imitonin klishenë që Gertrude Stein  e kishte ngritur me aq këmbëngulje. E quajtën si miklues të  lajkatonin Heminguejin. Dilluan të rrëmonin në jetën e tij për të nxjerr në dritë atë që godiste imagjinatën. Gjithmonë mbeteshim të befasuar, jo vetëm nga nga ajo ­çfarë zbulonim, por edhe nga dashamirësia(përkrahja) e jashtëzakonshme dhe nga fati i padëgjuar që ai kishte. Debutant dhe relativisht me talent  në moshën njëzet e tre vjeçare, i kthyer nga lufta, ai u bë objekt bisede e kronikave. Siç e sjell  G. –A.  Astre në Hemingueji nga vetvetja, The Sun i Nju Jorkut i kishte përkushtuar një reportazh prej  pesëqind fjalësh: “Një hero kthehet në atdhe, me sa duket me më shumë plagë se asnjë nga ata që, me ose pa uniformë, kanë sfiduar shrapnelat e fuqive të mëdha.” Ngritur në qiell si qenie njerëzore – pa respektin më të vogël  për të vërtetën – dhe linçuar si shkrimtar nga një prej thurëseve të mëdha të lavdisë në Paris, Hemingueji, që në moshë fare të brishtë, u mësua me superlativat. Të gjithë gugurasin kur kalon ai, duartrokasin, përkulen …. dhe zbavitet (e vënë në lojë) pa prapamendime.  Në këto kushte, do të habiteshim më shumë, që nuk është dhënë më shumë në lajkatimin e vetvetes. Ndoshta thellë në shpirtin e tij sipas gjasës kishte më shumë përçmim dhe ndërgjegje reale sesa kujtonin bashkohësit e tij.

Një nga mënyrat më të thjeshta që ne kemi për t’i treguar një shkrimtari se ai është gjithashtu një shembull, një forcë manjetike dhe një legjendë, është ta përgjasojmë kur flasim për të.  Se pas Ring Lardner, paraardhësi i tij i vërtetë, Heminguei ndihmoi duke i dhënën prozës romaneske amerikane atë ton ligjërate të drejtpërdrejtë dhe pa dredhi, kjo është e pakundërshtueshme, por nuk shpjegon përshtatshmërinë e vërtetë nga e cila janë pikëlluar të gjithë ata që dëshirojnë ta mbushim me lavde. Jed Kiley, nga ana tjetër aq mallëngjyes, shtiret si Hemingueji. Janë dhjetë a dymbëdhjetë për të ndjekur frymën e tij, për të përdorur fjalorin e tij, për të kopjuar replikat e tij fshikulluese, për të skicuar personazhe që, në mënyrë të pashmangshme, përfundojnë në shëmbëlltyra të Vrasësve.  Zgjatimet shpirtërore të Hemingueit burojnë gjithashtu nga stili i tij; dhe, siç shprehet edhe Ingrid Bergman për të: “… Hemingueji është stil të jetuari”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Romancieri aventurier i Nobelit!

Ernest Heminguej, shkrimtari në frontin e jetës

Ish-gruaja e pohoi

Ernest Heminguej ishte kopjac?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit