MENU
klinika

''Joan Pagëzori''

Restaurohet ikona e Kostantin Zografit

14.01.2022 - 16:31

         Pas shumë muajsh pune dhe pasion, specialistët e laboratorit të restaurimit të veprave të artit të në Berat përfunduan restaurimin e ikonës “Joan Pagëzori”.

E gjetur në kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit, me autor Kostandin Zografin, ikona iu nënshtrua restaurimit në këto faza; konsolidimi i pikturës së ikonës, dezinfektim, pastrim, rivendosje vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës.

“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve të DRTK-Berat ka nxjerr në dritë një tjetër thesar nga laboratori i restaurimit të veprave të artit të DRTK-Berat”, – thekson DRTK Berat, bashkangjitur fotografisë së ikonës, para dhe pas restaurimit.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja, për të treguar si vlerën edhe historinë që ato mbartin.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Kostandin dhe Athanas Zografi vëllezërit ishin piktorë shqiptarë të shekullit të 18-të nga fshati Dardha e Korçës. Ata janë konsideruar si piktorët më të njohur të shqiptarë postbizantinë të artit ikonografi të shekullit të 18-të dhe në përgjithësi të rajonit të Epirit.

Veprimtaria e piktorëve korçarë në vetvete është shumë e madhe, si në pikturën murale si dhe në ikona dhe shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut, në periudhën 1744 – 1783. Nga piktorët Zografë, përveç ikonash të panumërta, trashëgojmë mbi 10 ansamble pikturale murale. Mbas një studimi krahasues të materialeve epigrafike e pikturale të botuara nga autori grek Pelekanidhi, rezulton se aktivitetit të piktorëve korçarë Kostandin e Athanas Zografit, të njohur deri më sot brenda dhe jashtë atdheut, duhet t’i shtohen edhe dy ansamble pikturale, që ndodhen në dy kisha të Prespës në Greqi dhe se, fillimi i aktivitetit të këtyre piktorëve duhet nisur më 1741, në vend të vitit 1744.

Puna e vëllezërve Zografi ka një kahje të dukshme drejt barokut, me pamje lineare e figurave fetare dhe në të njëjtën kohë, duke adoptuar një stil ornamental dhe duke përdorur një shumëllojshmëri të gjerë të ngjyrave kafe dhe të ndritshme. Ngjyra kryesore e përdorur në veprat e tyre ishte në të bardhë, blu të ndritshme dhe të kuqe të errët.