MENU
klinika

Burimi i magjishëm...

Si lindi legjenda e dashurisë së përjetshme?

06.01.2022 - 22:45

         Miti i Aretuzës dhe Alfeos gjurmon historinë dymijëvjeçare të Sirakuzës, mes mrekullive të së shkuarës dhe hijeshisë së legjendës greke./Konica.al

Legjenda e lashtë e Aretusës dhe Alfeos i rri pezull ishullit Ortigia, në Sirakuzë, dhe rrethon një nga monumentet më të bukura të qytetit sicilian, Burimin Aretusa, me një atmosferë misteri dhe romanticizmi. Burimi Aretusa i Ortigias me ujë të freskët vetëm disa hapa larg detit, është pa dyshim një nga vendet më të bukura dhe më të dashura në Sirakuzë, por jo të gjithë e dinë se ky burim fsheh mistere dhe legjenda. Pikërisht në Ortigia, një rrjedhë nëntokësore e ujit të ëmbël arrin në sipërfaqe dhe rrjedh në Burimin Aretusa, vetëm pak metra larg ujit të kripur të detit. Është një burim që vjen nga ujërat nëntokësore hyblaeane, i njëjti që ushqen edhe lumin Ciane.

Sipas mitologjisë greke, Aretusa ishte një nga nimfat e shpurës së perëndeshës së gjuetisë Diana (Artemisa): gjatë një prej gjuetive të shumta, bukuroshja magjepsëse u shkëput më shumë seç duhej nga grupi dhe përfundoi duke vrapuar në lumin e mrekullueshëm Alfeo. Thuhet se ishte një ditë e nxehtë me zagushi, zemrën e Aretuzës e përshkoi dëshira për t’u larë, kështu që u zhvesh dhe u zhyt në ujërat e kristalta. Në atë moment, uji filloi të trazohej dhe Aretuza u gjend përballë Alfeos me tipare njerëzore: shumë i bukur, biond dhe me sy plot dashuri për nimfën bukuroshe. Megjithatë, legjenda rrëfen se mes tyre pati mospërputhje. Në fakt, Aretuza e refuzoi miklimin e Alfeos, aq sa nxitoi të dilte e zhveshur nga uji. Lumi Alfeo, duke parë Aretuzën kaq të re, sensuale dhe të hijshme, ra në dashuri me të dhe nuk donte që ajo të largohej. Thuajse e pafuqishme dhe e frikësuar, Aretusa kërkoi ndihmën e perëndeshës Artemis, e cila, për ta shpëtuar nga kontrolli i Alfeos, e mbështolli fillimisht me një mjegullnajë të trashë dhe filloi të fryjë fort, në drejtim të Siçilisë. Mjegullnaja mbërriti pikërisht mbi Ortigia, ku pikë-pikë bëri që Aretusa të binte përtokë: pikërisht aty u formua një burim uji i ëmbël. Alfeo, pasi humbi dashurinë e jetës, e kishte të pamundur të dorëzohej dhe çdo ditë iu lut perëndive që t’i jepnin fund dhimbjes së tij. Ndjenja e tij ishte e fortë dhe reale, aq sa për të bindur perënditë që ta ndihmonin, Alfeo i kërkoi ndihmë babait Oqean, i cili hapi ujërat e detit Jon dhe bëri që lumi Alfeo të rrjedhë derisa arriti në Siçili. Aretusa, tashmë e shndërruar në një burim uji, më në fund u bind për sinqeritetin e Alfeos dhe pranoi miqësinë e tij. Artemisa, për të vulosur dashurinë e Aretuzës dhe Alfeos, gërmoi një shpellë nën burim, në mënyrë që të bashkonte ujërat e burimit Aretusa dhe lumit Alfeo dhe t’i linte të rridhnin së bashku përjetësisht.
Burimi formon një liqen të vogël gjysmërrethor plot me peshq dhe rosa. Nuk është rastësi që burimi Aretusa quhet nga banorët e Sirakuzës “a funtana re papiri”, ndryshe “burimi i mbretit papirus”./Konica.al

Përgjatë shekujve, shkrimtarë dhe poetë të shumtë e përmendën këtë burim të bukurisë së jashtëzakonshme, shumë të pasur në jetë. Ciceroni në “Verrine” foli për të si “një burim tepër i madh, i mbushur me peshq dhe i vendosur aq shumë sa valët e detit do ta pushtonin nëse nuk do të mbrohej nga një mur masiv guri”. Autorët klasikë si Virgjili, Pindaro, Ovidi, Mosco dhe së fundmi e kanë përmendur burimin edhe personalitete letrare të kalibrit të Xhon Miltonit, Andre Zhidit dhe Gabriele D’Anunçios. Rreth pellgut ka papiruse të harlisur dhe të gjelbër, të cilët e shndërrojnë burimin në një spektakël të vërtetë për syrin. Sot Burimi i Aretusës është një nga vendet më karakteristike të Sirakuzës së vjetër: shëtitjet, perëndimet e diellit dhe një shatërvan karakteristik, një destinacion kryesor për çdo vizitë turistike në qytetin sicilian. Miti i Aretuzës është kënduar jo vetëm nga poetët, por legjenda e nimfës u tregua dhe u transmetua edhe nga historianët Timeo, Pausania, Diodoro Siculo, Strabone, Ciceroni.

Legjenda e Aretusës dhe Alfeos ka ushqyer besimin popullor, se ujërat e burimit Aretusa në Ortigia kanë fuqinë për t’u dhënë lumturi, dashuri dhe pjellori çifteve të reja që i prekin./Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen