MENU
klinika

Shqetësuese në Kosovë

8 raste të dhunës fizike ndaj grave në 24 orë

08.01.2022 - 11:07

Dhuna në familje, konkretisht rastet kur burrat po sulmojnë gratë e tyre po shënon shifra alarmante në vendin tonë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit, janë raportuar 8 raste kur burrat në qytete e fshatra kanë kanosur fizikisht gratë apo ish-gratë e tyre, shkruan Reporteri.net.

Ky fenomen është bërë tejet shqetësues, kur kihet parasysh faktin se vetëm para pak ditësh një burrë në Llaushë të Skenderajt e vrau gruan e tij.
Gazeta Online “Reporteri.net”, raportoi dje për 10 vrasjet e grave që tronditën vendin tonë në 10 vitet e fundit.

Më poshtë gjeni të gjitha rastet e raportuara në 24 orët e fundit, ku burrat kanë sulmuar fizikisht apo kanë kanosur gratë e tyre.

Podujevë Viktima femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Prishtinë Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën femër shtetase e Rumanisë, me të cilën bashkëjetonte. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjilan Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Pejë Viktima femër kosovare ka njoftuar se edhe pse ishin ndarë me marrëveshje me bashkëshortin e saj-të dyshuarin mashkull kosovar prapë i njëjti ka shkuar në lokacionin e viktimës dhe e ka kanosur me sms. I dyshuari me datë 07.01.2022 është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Pejë Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte ushtruar dhunë psikike duke përdorur fjalë fyese ndaj bashkëshortes së tij. Viktima është dërguar në strehimore së bashku me një fëmijë të moshës dy vjeçare. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Vushtrri Viktima femër kosovare ka njoftuar se është kanosur nga ish i dashuri i saj, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Vushtrri Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte kanosur përmes telefonit viktimën femër kosovare ish bashkëshorten e tij. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fsh. Zerovnicë, Zveçan Ankuesja femër kosovare ka raportuar se nga një i dyshuar mashkull kosovar me të cilin ishte më herët në lidhje ka pranuar disa mesazhe telefonike me përmbajtje kërcënuese. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime. /Reporteri.net/.