MENU
klinika

Rasti i parë regjistrohet në Izrael

Zbulohet ‘Flurona’, bashkimi i Covid-it dhe gripit

03.01.2022 - 11:01

Izrael është zbuluar rasti i parë i infektimit me Covid-19 dhe grip sezonal në të njëjtën kohë tek një person.

Kjo gjendje që është quajtur “Flurona”, është identifikuar te një grua shtatzënë. Pas identifikimit të dy viruseve, rezultoi se gruaja ishte e pavaksinuar si kundër Covid-19 ashtu dhe kundër gripit.

Spitali ku ajo është shtruar njofton se gruaja po shfaq disa simptoma të lehta që “shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje” dhe pritet të dalë të enjten(6 janar).

Autoritetet izraelite po studiojnë gjithashtu nëse kombinimi i dy infeksioneve mund të shkaktojë një sëmundje më të rëndë.

Ekspertët mjekësorë në Izrael thanë se disa pacientë të tjerë mund të jenë infektuar me dy viruset, por nuk janë diagnostikuar ende, raporton The Mirror.

Çfarë dimë deri tani për ‘Fluronën’

Prof. Arnon Vizhnitser, një specialist i obstetrikës dhe gjinekologjisë dhe drejtori i Departamentit të Gjinekologjisë në një spital izraelit ka folur për gazetën lokale Hamodia për të diskutuar mbi infeksionin e dyfishtë që është shfaqur.

“Vitin e kaluar nuk kemi qenë dëshmitarë të rasteve të gripit në mesin e grave shtatzëna apo atyre që kishin lindur. Sot, ne po shohim raste si të Covid-19, ashtu edhe të gripit”, tha ai

“Po shohim gjithnjë e më shumë gra shtatzëna me grip. Është padyshim një sfidë e madhe të përballesh me një grua që vjen me temperaturë gjatë lindjes. Kjo është veçanërisht kur nuk e dini nëse është Covid-19 apo grip, kështu që ju u referoheni atyre njësoj. Pjesa më e madhe e sëmundjes është respiratore. Sëmundja është e njëjta; ato janë virale dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje pasi që të dyja sulmojnë traktin e sipërm respirator”, shtoi ai, shkruan ‘The Mirror’.

Izraeli është bërë shteti i parë në botë që ofron dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 për personat mbi 60 vjeç dhe punëtorët shëndetësorë.