Më 9 janar 1872, Mr. Robout, miku i piktorit të mirënjohur francez Jean-Baptiste-Camille Corot (1796-1875) e pa atë duke e punuar në studion e tij, tablonë “Shqiptarja (L’Albanaise)”, siç e dëshmon ai në librin e tij me kujtime për Corot.
Kjo pikturë, shumë pak qëndroi në atelierin e piktorit, pasi atë kohë, tablotë e tij shiteshin shumë. Për tregtarët e pikturave, por dhe për kritikët, ai ishte një nga piktorët më të parapëlqyer të gjeneratës së tij.
Revolucioni grek për pavarësi, ngjarjet nga Ballkani, Suliotët, bëmat e Ali Pashë Tepelenës, etj., i bënë shumë piktorë që të kthenin sytë drejt një realiteti të stuhishëm. Shumë piktorë trajtuan temën shqiptare, siç bëri Delacroix me Marko Boçarin, Auguste Decamps me Arvanitasit apo Louis Dupré me Suljotët, etj. Vetëm tre vite para vdekjes, piktori Corot na la një tablo të mrekullueshme me temë shqiptare të titulluar ”Shqiptarja” (L’Albanaise).
Kjo tablo është punuar nga Corot në dimensionet 83x65cm dhe sot ndodhet në muzeun e Bruklinit në New York, ashtu si dhe disa piktura të tjera të tij.
Në këtë tablo, si model ka shërbyer një vajzë 15-vjeçare, zonjusha Darmelas, e cila, pozonte herë pas here në studion e tij, por që në këtë tablo duket më e rritur. Piktori i madh, i shquar për peisazhet dhe portretet, kishte bërë së pari dy skica, ”croquis”, që u ruajtën më pas.
Një vit më vonë, pas vdekjes së Corot, Robout e pa rastësisht këtë portret, të cunguar dhe të zvogëluar në dimensionet 74x65cm aq sa ekziston edhe sot, për çka u shqetësua pa masë dhe zbuloi se pas shitjes së këtij portreti, jo vetëm që ajo ishte cunguar dhe prerë nga ana e krahut, duke u retushuar me penel, por i ishte zhdukur edhe vula e shitjes, duke shtuar mbi tablo një firmë të huaj.
Ndërhyrja e mikut të piktorit e shpëtoi këtë vepër, që, bashkë me disa tablo të tjera nga Corot, punuar në vitet e fundit të jetës së tij, janë mjaftë të njohura nga kritika e huaj, si “Zonja Foudras”, (që gjendet sot në “Art Gallery Museum” të Glascow), apo “Hebreja e Algjerit” dhe “Cigania me mandolinë” (“Museu de arte”, Sau Paolo), etj.