MENU
klinika

A do mbajë fjalën Basha për mandatet?

10 shkurti afati i fundit/ ’Shqyrtim organeve të Vettingut’!

07.02.2022 - 18:32

Vetem 3 ditë kohë ka mbetur dhe të enjtën, në seancën plenare të Kuvendit, maxhoranca dhe opozita duhet që të kalojnë ligjin për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut.

Më 10 shkurt është dita kur duhet të votohet, por për këtë proces duhet konsensusi i opozitës sepse kërkohet edhe njëherë ndryshimi i Kushtetutës. Por maxhoranca e vendosi!

Afati maksimal për votimin e zgjatjes së mandatit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është lënë pas dy ditësh.

Por që në tetor të vitit të shkuar, në një konferencë për shtyp nga selia blu, Basha paralajmëroi se për zgjatjen e mandateve fillimisht duhej vënë në pikëpyetje aftësia e anëtarëve të KPK e KPA për të kryer detyrën.

“Vettingu vazhdon, nuk ndalet e parashikon Kushtetuta. Mundësisht tua sqaroni sa më mirë shqiptarëve. Ajo që kërkohet është zgjatja e mandateve të 14 personave që kanë pasur katër vite kohë. Para se ky vendim të merret, duhet të diskutohet fillimisht se çfarë kanë bërë këta njerëz, si ka ecur procesi, çfarë kanë bërë, a kanë pasur presion, duhet vendosur cila është më e mira përballë reformës në drejtësi. Çdo vendim i yni është më i miri për shqiptarët,”-thoshte Basha.

Por mesa duket kërkesa e tij, as që nuk u mor parasysh duke “detyruar” kështu opozitën që pasnesër vetëm të ngrejë kartonin jeshil. Ndërsa si këmbanë kanë thirrjet e ndërkombëtarëve që gjithashtu kërkojnë zgjatjen e afateve për të përfunduar gjithë procesin me të njëjtat standard për të gjithë.