Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncon se afera e inceneratorëve iu ka kushtuar shqiptarëve 430 milionë euro.
“430 milionë euro i kanë kushtuar shqiptarëve nga inceneratorë, para që i mungojnë shëndetësisë, prindërve për fëmijët e tyre, para që i mungojnë pensionistëve, që i mungojnë familjeve të hequra padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. E qartë është sot se si përmes skemës së inceneratorëve u janë grabitur këto qindra milionë euro. Falë punës së anëtarëve tanë në Komisionin Hetimor çdokush mund të shohë tani se sa janë vjedhur paratë e shqiptarëve. Paratë janë paguar ndërkohë që puna nuk ka nisur. A mund të kryejë një qeveri 17 veprime brenda një dite? A mund të paguheshin 35 mln euro për Inceneratorin e Tiranës kur nuk ka përfunduar as 50% e punës. Kandidatja aktuale për Bashkinë Durrës nga PS ka firmosur për 10 milionë euro dhuratë kompanisë së inceneratorëve. 10 milionë euro dhe Durrësi është u mbytur nga plehrat. A e mbani mend kush e urdhëroi pagesën nga Bashkia Durrës dhe Bashkitë e tjera? Sigurisht Edi Rama”, tha Basha.
Në një konferencë për shtyp nga selia e PD, kryedemokrati i bëri thirrje SPAK që të veprojë dhe mos të presë shkarkimin e ministrit të radhës për të bërë arrestimin.
“I kërkoj të veprojnë sot me arrestimin e përgjegjësit. Nuk mjafton arrestimi i bishtit, SPAK mos të presë që të shkarkojë ministrin e radhës që pastaj ta arrestojë. E qartë është se kurbani i radhës për këtë afere po bëhet gati me shpresën që të shpëtojë koka e kësaj afere, por nuk ka shqiptar, nuk ka njeri mos e kuptojë që e gjithë kjo skemë korruptive nuk mund të ndërtohej dhe zbatohej pa miratimin e Edi Ramës. Ndaj kjo është thirrja që kam ndaj SPAK”, tha Basha.