MENU
klinika

Paralajmërojnë ekspertët në Serbi

“Islamizmi po zbehet, po rritet ndjeshëm ekstremizmi i djathtë”

12.02.2022 - 14:50

Ekstremizmi islamik në Serbi po zvogëlohet, por ekstremizmi i ekstremit të djathtë është në rritje, sipas hulumtimit nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, BCBP dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të paraqitur të premten.

Izabela Kisic, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, deklaroi: “Në përgjithësi, ekstremizmi islamik është në rënie të ndjeshme, aktualisht nuk ekziston rrezik real i aktiviteteve të dhunshme ekstremiste të këtij lloji”.

“E djathta ekstreme në Serbi ka qenë në një rritje serioze prej vitesh, gjë që mund të shihet në numrin në rritje të akteve të dhunshme, të motivuara ideologjikisht,” shtoi ajo.

Kisic shpjegoi se faktori kryesor që fshihet pas ekstremizmit të krahut të djathtë “është narrativa mbizotëruese politike për të kaluarën, domethënë për luftërat e viteve 1990”.

Strategjia e Serbisë për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, e cila skadoi në fund të vitit 2021, u fokusua kryesisht, në ekstremizmin dhe terrorizmin islamik, duke neglizhuar rrezikun nga e djathta ekstreme, thanë ekspertët.

Studiuesja e BCBP, Marija Ignjatijevic, tha se komuniteti boshnjak në pjesën jugperëndimore të Sanxhakut, ka treguar një nivel të lartë të rezistencës ndaj këtij ekstremizmi islamik, pavarësisht fokusit përpjekjeve të shumta të aktorëve ndërkombëtarë dhe atij vendas.

Hulumtimi i saj identifikoi tre faktorë kryesorë të kësaj qasjeje në Sanxhak.

“I pari është roli i komunitetit lokal, i dyti është roli i individëve të shquar në komunitet dhe i treti është roli i diasporës, i cili është shumë specifik për rajonin e Sanxhakut,” tha Ignjatijevic.

“Diaspora, e cila nuk është vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në Turqi, ka luajtur një rol të madh në zbutjen e problemeve ekonomike të këtij rajoni dhe ka ndihmuar në mënyra të ndryshme në zbutjen e faktorëve ekonomikë pas radikalizimit”, shtoi ajo.

Ekstremizmi i djathtë në Serbi ka qenë prezent për dekada, veçanërisht që nga luftërat jugosllave në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Predrag Petrovic nga BCBP tha se në dy vitet e fundit, disa ekstremistë kanë shtuar në retorikën e tyre dhe tezat anti-imigrantëve, të cilat nuk ekzistonin më parë.

Petroviq tha se opinioni anti-migrant në popullatën e gjerë ishte zgjeruar.

“Kemi gjetur një rritje të ndjeshme të qëndrimeve kundër emigrantëve në mesin e qytetarëve serb, të cilët besojnë se emigrantët rrisin shkallën e krimit, përbëjnë kërcënim për shëndetin e qytetarëve, përkeqësojnë kulturën dhe vlerat serbe, si dhe kërkojnë islamizimin e dhunshëm të Serbisë,” deklaroi Petrovic.

“Qytetarët serbë mbështesin politikat anti-imigruese në drejtim të kufizimit të numrit të emigrantëve dhe në drejtim të dëbimit të emigrantëve”, shtoi ai.

Petroviç shtoi gjithashtu se hulumtimi tregoi se shumë serbë mbështesin aktivitetet e grupeve të tilla anti-imigrantëve, pavarësisht se kanë të ngjarë që të mos bëhen pjesë e tyre.