Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli deklaroi mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ se opozita në zgjedhjet e 6 Marsit futet në garë për vendin e dytë dhe të tretë. Kadilli nënvizoi se qytetarët nuk fitojnë asgjë në rast se nuk marrin një projekt politik më të mirë se ai që ofron Edi Rama.
“Në politikë ka nevojë të mendosh për mendjen tënde. Të jesh i njohur nuk të bën politikan. Edhe ata te Përputhen janë të njohur por nuk janë politikanë.
Gara është edhe personale. Sa më i vogël komuniteti aq më përcaktues personaliteti që garon. Sot po shohim një garë ku opozita garon me moton “është mirë të jesh i dyti”. Qytetari do të ketë një parti që i shërben. Një model ndryshe nga Edi Rama. Vendi i dytë dhe i tretë do jenë aty. Në Shkodër mund të ketë hapësirë për të synuar vendin e parë. Por pjesa e qytetarëve nga kjo garë nuk fitojnë. Çfarë fitojnë qytetarët nëse nuk marrin një projekt politik më të mirë se ai që ka. Edi Rama ka edhe dajre dhe aheng. Si do i përgjigjemi një qytetari. Do matemi njëherë ne kush është më i miri dhe pastaj të garojmë me atë tjetrin”, tha Kadilli.
Ai u shpreh se i vetmi shans i opozitës është të kuptojë se Basha dhe Berisha duhen braktisur për të shkuar drejt një alternative të tretë.
“Opozita shan njëri tjetrin. Mjaftojnë të shohësh akuzat që grupi i Bashës i bën Berishës dhe anasjelltas. Njëri qenka peng dhe tjetri tub oksigjeni i Edi Ramës. Bëjnë edhe akuza më të thella. Përmenden dosje të vjetra. Çfarë u themi ne shqiptarëve. Si mund të demontojmë ne veten tonë. Vetëm për t’u nxjerrë sytë njëri tjetrit. Ngjarja e datës 8 është një ngjarje e shëmtuar. E gjeti Rama përgjigjen. Nuk ka nevojë të bëjë as vjedhje votash ndoshta. I vetmi shans i opozitës është që demokratët të kuptojnë se duhet t’i braktisin të dy dhe të shkojnë drejt një zgjedhje të tretë.
Demokratët kanë vetëm një mundësi. Të zgjedhin veten e tyre. Shqiptarët që duan një qeverisje të re duan një opsion të ri”, tha ai.
Sipas Kadillit në primaret e Komisionit të Rithemelimit u zgjodhën kandidatët që donte Berisha duke e krahasuar këtë proces me zgjedhjet brenda partisë që pas largimit të tij nga drejtimi i PD.
“Në primare u zgjodhën kandidatët që donte Berisha. Ne kishim primare. Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Të gjithë e dimë që Berisha mbështeste Bashën dhe fitoi Basha. Edhe në zgjedhjet e fundit Berisha mbështeti Bashën përballë kandidatëve të tjerë.
Prandaj në botë është shpikur kufizimi i mandateve. Demokracia thelbin e ka të zvogëlojë pushtetin e njëshit dhe të zmadhojë pushtetin e masës. Fati i PD është në sfidë. Shpresoj se pas 6 Marsit demokratët do të jenë më të kthjellët. Duhet të braktisim këta lider që shohin vetëm territorin e tyre”, deklaroi Kadilli.