MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Kanceri i zorrës së trashë: Risku dhe parandalimi

09.02.2022 - 18:58

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Kanceri i zorrës së trashë: Risku dhe parandalimi

Mjeku: Kanceri i zorrës së trashe, i quajtur ndryshe kanceri kolorektal, është një nga tipet më të shpeshtë në vendet me të ardhura të larta. Incidenca dhe prevalenca e këtij kanceri në botë kanë ardhur në rritje gjatë dekadave të fundit. Në 2019 (viti i fundit para pandemisë) në botë vlerësohet të jenë diagnostikuar rreth 1.9 milion raste të reja me kancer kolorektal dhe janë regjistruar më shumë se 900 000 vdekje. Në kancerin e zorrës së trashë përfshihen disa nozologji të dallueshme nga pikëpamja klinike, dy më të rëndësishmet janë: kanceri i kolonit dhe kanceri i rektumit.

Kujdes, kancerët e zorrës së hollë (intestini) nuk duhen ngatërruar me kancerin e zorrës së trashë. Ato janë shumë të rralla dhe nuk përbëjnë një problem të rëndësishëm të shëndetit publik.

Nivelet e riskut në Shqipëri

Incidenca ose rastet e reja që diagnostikohen çdo vit

Duket se ky kancer ka pësuar rritje të rëndësishme në vendin tonë në 10 vitet e fundit, nga nivele tradicionalisht shumë të ulëta, krahasuar me rajonin. Kjo mund të jetë e lidhur pjesërisht me prirje në rritje si pasojë e stilit të jetesës, por edhe sidomos me fillimin e programit masiv të depistimit përmes gjakut okult në fece.

Në periudhën 2017-2019 në Shqipëri janë diagnostikuar cdo vit rreth 400 raste të reja me kancer kolo-rektal, një dyfishim krahasuar me periudhën e mëparshme. Rritja e shtrimeve spitalore është më e lartë se rritja e incidencës së këtij kanceri duke dëshmuar për një numër gjithnjë e më të lartë kontaktesh të rasteve të diagnostikuara me sistemin shëndetësor.

Incidenca e kancerit të zorrës së trashë është më e lartë tek meshkujt krahasur me femrat duke filluar nga mosha 50 vjec. Incidenca është dukshëm më e madhe tek meshkujt në moshën 60-69 vjeç krahasuar me femrat. Kjo dukuri vërehet si në vendin tonë ashtu edhe në botë.

Risku për kancer të zorrës së trashë rritet në mënyrë graduale me moshën, deri në moshën 70 vjeç, për t’u ulur më pas. Risku është i përfillshëm edhe në moshat 35-40 vjeç por rreth 85% e rasteve të reja diagnostikohen në moshat mbi 50 vjec. Mosha mesatare e rasteve të reja në momentin e diagnozës është 63 vjeç.

Në periudhën 2015-2019 incidenca rezulton të jetë mesatarisht më e lartë në qarqet e Gjirokastrës, Beratit, Korçës dhe Fierit. Totali i rasteve të reja në popullatën e qarkut Tiranë përbën rreth një të tretën të totalit të rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe nga gjithë vendi.

Vdekshmëria vjetore

Vdekjet nga kanceri i zorrës së trashë zënë 6.2% ndaj totalit të vdekjeve nga tumoret. Përqindja më e lartë është tek meshkujt (53%) krahasuar me femrat (47%). Gjatë 5 viteve të periudhës para pandemike 2015-2019, vërehet një rritje e nivelit bruto të vdekshmërisë. Konkretisht në vitin 2015 vdekshmëria ishte 7.9 për 100 000 banorë ndërkohë që në vitin 2019 ishte 8.4 për 100 000 banorë, me një rritje prej 6.4%.

Megjithëse vdekshmëria bruto nga kanceri i zorrës së trashë është në rritje ndërmjet viteve 2015 e 2019, vërehet se vdekshmëria e standardizuar, për këtë periudhë, është e qëndrueshme, dhe madje mes 2019 dhe 2015 ka një ulje me pothuaj 8%. Kjo do të thotë se, nëse nuk do të kishim një rritje të moshës mesatare të popullsisë gjatë këtyre viteve, nuk do të kishim rritje të vdekjeve nga ky kancer. Në këtë mënyrë, risku specifik për çdo grup-moshë për të vdekur nga kanceri i zorrës së trashë praktikisht ngelet i njëjtë. Kjo prirje që konfirmohet edhe në vdekjet e ashtuquajtura ‘të parakohshme’ për grup moshën 30-69 vjec, mund të jetë shprehje e një diagnostimi më të hershëm dhe trajtimi në kohë të këtij kanceri.

Faktorët e riskut dhe parandalimi

Vetëm në 5% të rasteve një ndryshim gjenetik, që ka cuar në kancer kolorektal, mund të trashëgohet te fëmijët. Zakonisht personat që kanë prindër të cilët janë diagnostikuar me kancer kolorektal nën moshën 60 vjec duhet të konsiderohen me risk më të lartë.

Megjithatë, 95% e kancërve kolorektale nuk mund të shpjegohen nga trashëgimia. Ato zhvillohen si pasojë e një ndryshimi spontan gjenetik në një apo disa qeliza të zorrës së trashë. Ndryshimi spontan gjenetik nga ana e tij mund të nxitet nga faktorë të ndryshëm.

Koliti ulcerativ dhe sëmundja Crohn e rrisin gjithashtu riskun për zhvillim të kancerit kolorektal.

Shpesh është e vështirë të identifikohet një shkak për kancerin kolorektal, Megjithatë, faktorët e mëposhtëm të lidhur me mënyrën e jetesës janë parë të rrisin riskun e këtij kanceri.

Dieta: Është vërejtur se kanceri kolorektal ka qenë më i shpeshtë tek popullatat që konsumojnë më shumë produkte mishi (sidomos mishi i kuq, sallamet etj) dhe yndyrnash shtazore dhe më pak fruta perime apo drithëra.

Aktiviteti fizik, pesha trupore, alkooli, duhani

Ka studime që tregojnë se risku i këtij kanceri mund të ulet përmes shtimit të aktivitetit fizik, uljes së peshës trupore, uljes së konsumit të alkoolit dhe lënies së duhanit.

Aspirina: Ka gjithashtu studime që dëshmojnë se marrja e dozave të ulëta të aspirinës mund të ulë riskun për kancer kolorektal në varësi të moshës dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese. Task Forca Amerikane për shërbimet parandaluese e rekomandon përdorimin afatgjatë të aspirinës me dozë të ulët tek grupe të caktuara individësh, nën mbikqyrjen e mjekut të familjes.

Në këtë mënyrë këshillat për jetë të shëndetshme që jepen për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare mund të vlejnë edhe në uljen e riskut të kancerit kolorektal!

Depistimi

Pavarësisht nga përpjekjet për jetë të shëndetshme, kanceri kolorektal është e vështirë të parandalohet. Mënyra më e mirë për kontrollin e tij dhe uljen e riskut për vdekje të parakohshme është depistmi.

Depistimi është ekzaminimi masiv i popullatës së përgjithshme për të identifikuar rastet me shenja të fshehta të një ndryshimi të hershëm në zorrë që mund të kthehet në kancer invaziv.

Depistimi mund të lejojë diagnozën e fazave para kanceroze në murin e zorrës, ose të kancerëve në faza fillestare kur mund të trajtohen më lehtë.

Duhen 10-15 vite nga shfaqja e anomalive të para në zorrë deri në zhvillimin e plotë të kancerit kolorektal. Ndryshimet tipike anormale që ndonjë herë cojnë në kancer kolorektal janë polipet. Polipet janë masa apo zhvillime në murin e brendshëm të zorrës së trashë. Ato nuk janë kancer dhe shumica e tyre nuk do shkaktojë kurrë kancer. Megjithatë disa tipe polipesh mund të transformohen gradualisht në kancer. Shumica dërrmuese e rasteve me kancer kolorektal vijnë nga polipet e quajtura adenoma.

Polipet ose masat para-kanceroze në zorrën e trashë mund të gjakosen lehtë dhe kjo të shkaktojë prani të qelizave të gjakut shpesh të padukshëm në fece. Nëpërmjet një testi të thjeshtë të quajtur të gjakut okult në fece (FOBT) mund të verifikojmë personat që kanë gjakrrjedhje të tilla të padukshme dhe pa shenja klinike. Sërisht shumica dërrmuese e personave që dalin pozitiv në këtë test nuk kanë probleme me kancerin dhe ndoshta nuk do të kenë kurrë probleme me kancerin kolorektal në jetën e tyre, por ata konsiderohen me risk të lartë dhe është e rekomandueshme të bëjnë ekzaminime shtesë të zorrës, të tilla si kolonoskopia, sigmoidoskopia etj. Këto do të lejonin identifikimin e polipeve apo problemeve të tjera në zorrën e trashë. Pas identifikimit polipet mund të hiqen duke parandaluar një kancer të mundshëm.

Depistimi i kancerit kolorektal rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Grada e rekomandimit është A që do të thotë se përfitimi është shumë i madh krahasuar me efektet anësore.

Ekzaminimet që përdoren si teknika të depistimit primar

Testi i gjakut okult në efece (FOBT)

Ka fakte të mjaftueshme se testimi cdo vit ose cdo dy vjet ulin vdekshmërinë nga kanceri kolorektal në një popullatë. Në vendin tonë ky testim është i përfshirë në ekzaminimin shëndetësor bazë për personat 35-70 vjec dhe ofrohet cdo vit në qendrën shëndetësore më të afërt. Çdo vit kryhen disa qindra mijëra testime dhe rreth 0.9% e tyre rezultojnë pozitivë dhe rekomandohen për ndjekje të mëtejshme te gastroenterologët e specializuar.

Kolonoskopia dhe Sigmoidoskopia

Kolonoskopia dhe sigmoidoskopia janë ekzaminime të zorrës së trashë përmes një tubi plastik me burim drite. Ato lejojnë mjekun të shohë me imtësi murin e zorrës së trashë dhe të identifikojë polipet apo masat parakanceroze. Dallimi mes kolonoskopisë dhe sigmoidoskopisë është se e para lejon shikimin e gjithë zorrës së trashë, ndërsa e dyta lejon shikimin vetëm të një të tretës së ulët të zorrës së trashë (rektumi dhe pjesa sigmoide). Sigmoidoskopia është më praktike dhe duke qenë se shumica e kancerëve zhvillohen në këtë pjesë të zorrës, shpesh preferohet kundrejt kolonoskopisë që gjithsesi është ekzaminim më i plotë.

Ka fakte të mjaftueshme se si kolonoskopia dhe sigmoidoskopoia kur praktikohen si ekzaminim primar depistues ulin vdekshmërinë (si edhe incidencën) nga kanceri kolorektal në një popullatë. Edhe kur kryhen një herë të vetme në jetë te personat mbi 45 vjec.

Skaneri ose tomografia e kompiuterizuar (TC)

Është ekzaminim që përdor rrezet x për të parë me imtësi zhvillimet anormale në zorrën e trashë. Ka përparësi se është një ekzaminim jo invaziv (pa nevojën e futjes së kolonoskopisë në zorrë)

Megjithatë është më e shtrenjtë, praktikohet më rrallë dhe nuk ka ende fakte të mjaftueshme mbi ndikimin afatgjatë në uljen e vdekshmërisë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN