Historiani i njohur korçar Ilia Balluri, na kthen shumë pas në kohë, në dëshmitë e shumta të Korçës aristokrate! Gratë qytetare, të qytetit të Korçës përpara 130 – 140 vjetësh.
Shkas për këto rreshta që po shkruaj në vazhdim, është fotoja e sjellë te një statusi im më poshtë, rreth një poeteje ruse që rininë e vet, e kaloi në fund të shekullit të 19-të pra rreth, 130 – 140 vjet më parë, – shkruan ai në ”Facebook”.
Dua të them me bindje se edhe vajzat qytetare të Korçës, të asaj periudhe kanë qënë jo më pak të qytetëruara, të hapura, të hijshme, të ngritura, e fine; njohëse të mënyrave evropiane, të veshjeve, sjelljeve dhe njëkohësisht edhe nëna shëmbëllore.
Fotoja që po sjell këtu, është e gjyshes sime Olimbiadha Ballauri, nëna e babait tim Vasilit, dalë në Korçë më 1904, nënë kjo në këtë kohë, e tre fëmijve kundrejt edhe tre të tjerëve që do të lindte pas këtij viti. Olimbiadha, me origjinë në shekuj vetëm prej qytetit të Korçës, kish mbaruar Liceun grek, nuk ndante librin prej dore, rriti e edukoi gjashtë fëmijë, tre prej të cilëve më shkollë të lartë që në ato kohëra të largëta. Ajo vlerësohej, për forcën e saj si zonjë e nderuar dhe e zgjuar shtëpie, për sjellje të përkryera siç dhe theshin ata që e njihnin, e njohur si grua aktive në rrethet e kishës, etj, me një dashuri të veçantë për qytetin e saj, Korçën.
Dhe si Olimbiadha, në qytetin tonë kish edhe plot gra të tjera të njohura, fotot e të cilave gjenden akoma në shtëpitë qytetare të vjetra të Korçës, shumë prej të cilave kam patur rastin t’i shikoj edhe unë.
Fotoja tjetër, është e Katerina Maos, po ashtu e vitit 1904, me atë veshje fine të tipit thuajse barok, me jakë të fustanit të gjërë, të bardhë prej dantelle që kushedi, prej nga e kishin sjellë. Maot, ishin fis i njohur dikur në qytetin tonë, ishin kushërinjtë tanë, tregtarë, të pasur, me origjinë prej Voskopoje dhe me aktivitet në Vienë, Bukuresht e gjetkë.
Vajzat qytetare të Korçës, përpara 130 – 140 vjetësh, kanë qënë stolia e qytetit tonë, i jepnin këtij qyteti një tjetër shije, një tjetër ëmbëlsi, një ndriçim e pastërti, një tjetër nivel dhe ato, frymën e tyre delikate e nazike të asaj kohe, ua transmetuan brezave të Korçës, deri në ditët tona.
Si mund të mos këndoje për to, për bukurinë e tyre, syçkat,.. buzkat, etj, siç thonë edhe këngët e serenatave që shumica e tyre, janë krijime të kësaj periudhe? Si mund t’i fshihje dhimbjet që shkaktonte shikimi, forca, dinjiteti i tyre femëror që shprehen aq bukur, në kantadat e qytetit tonë?
Korça, në është Korça që është sot, kjo ka ndodhur kështu sepse, në këtë qytet komuniteti i tij së pari, i ka dhënë një dinjitet të veçantë femrës, gruas, vajzës, nuses dhe mbi të gjitha, nënës…
Pra, për mendimin tim, Korça është Korçë, në radhë të parë falë vendit të nderuar që ka pasur këtu femra, në këtë qytet.
Ilia V. Ballauri ©