MENU
klinika

Cilin duhet të përdorni?

Ndryshimi midis kremit të diellit me filtra fizikë dhe kimikë

19.02.2022 - 08:56

Ju ndoshta e dini tashmë rolin që luan kremi kundër diellit në rutinën e kujdesit të lëkurës. SPF-ja ju ndihmon të mbroheni nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të dëmshme të diellit, të cilat mund të kontribuojnë për shenjat e imta, rrudhat, shenjat e plakjes së parakohshme dhe kancerin e lëkurës.

A jeni duke përdorur një krem me filtra fizikë apo kimikë? A ka rëndësi se cilin përdorni? Epo, mundet. Ka të mirat dhe të këqijat për të dy llojet.

Fizikë: Të njohur më shpesh si kremra minerale, funksionojnë duke krijuar një pengesë fizike në lëkurë që e mbron atë nga rrezet e diellit. Këto kremra ofrojnë mbrojtje me spektër të gjerë duke reflektuar rrezatimin larg lëkurës dhe gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e dëmtimit të lëkurës, duke përfshirë hiperpigmentimin dhe rrudhat.

Shumica e kremrave mineralë të diellit janë të formuluar me oksid zinku dhe oksid titani, dy përbërës të njohur si të sigurt dhe efektiv.

Një nga disavantazhet lidhen me faktin se këto kremra janë të vështirë për t’u përhapur dhe priren të lënë pas një ngjyrë të bardhë të dukshme në lëkure.

Kimikë: Këta kremra nuk qëndrojnë në lëkurë dhe nuk bllokojnë rrezet. Në vend të kësaj, përmbajnë përbërës aktivë që thithin rrezet UV përpara se lëkura t’i thithë ato. Për shkak se janë të formuluara për t’u përthithur mirë nga lëkura, kremrat me filtra kimikë kanë tendencën të qëndrojnë pa problem në lëkurë, pa u ndjerë ngjitës dhe nuk lënë shenjë.

Me fjalë të tjera, një krem me filtra kimikë absorbohet në lëkurë dhe më pas thith rrezet UV që të mos dëmtojnë lëkurën, ndërsa kremi me filtra fizikë qëndron në lëkurë dhe reflekton rrezet e diellit.

Cili lloj është më i mirë?

Nuk ka një fitues të qartë. Kremi kundër diellit më efektiv është ai që do të përdorni. Dermatologët vënë në dukje se njerëzit janë të ndryshëm për mënyrën se si kremi ndihet në lëkurën e tyre.

E rëndësishme është që të përdorni një të tillë. Megjithatë, njerëzit me lëkurë të ndjeshme është më mirë të përdorin një krem mbrojtës me filtra fizikë, pasi ka më pak rrezik për të irrituar lëkurën.