MENU
klinika

''Vula Disident!''

Poetin e vranë… kishte lindur sot

20.02.2022 - 16:09

         Është i vetmi poet i varur në krejt botën, qysh nga mesjeta; është i vetmi poet me kryet e prerë për së vdekuri, qysh para kohëve homerike.

Atë Zef Pllumi shkruan për një të denuar në burgun e Ballshit, ia sharruan këmbët kur ndërroi jetë, pasi arkivoli zyrtar, një arkë e sajuar, ishte me dërrasa të shkurta, sa për një foshnjë. A thua koka e Havzi Nelës doli tepër lart mbi dhé, gropa e një shtylle ku e rrasën kambas nuk qe mjaftueshëm e thellë, dhe për këtë arsye e prenë, kushedi ku e degdisën për të mos u gjetur kurrë? Ishte shfryrje mllefi, sepse në të gjallë kryet e tij çohej nalt mbi pushtetin, mençurisht dhe trimërisht? – do të shkruante Mehmet Elezi, më parë.

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vde.kë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Havzi Nela njihet si prej poetëve kundërshtarë të regjimit komunist, i cili që prej vitit 1967 u burgos dhe internua derisa në vitin 1988 u var në mes të Kukësit, me vendim të Ramiz Alisë.

Ai lindi më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit.

Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), Nela u përjashtua për bindjet e tij kundër diktaturës, si element destruktiv.

Puna e tij e parë ishte si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat. Por shumë shpejt u dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij.

Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Krumë, Lojmë dhe Shishtavec, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.

Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.


Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën për 5 vjet.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e tij më 10 gusht 1988, në mes të qytetit të Kukësit.

Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës së 10 gushtit, u varros vertikalisht në vrimën e krijuar nga heqja e një shtylle. Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës.

Vetëm pas 30 vitesh, bashkia e Kukësit, në vitin 2018, vendosi bustin e tij dhe rindërtoi shtëpinë-muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban gjimnazi i qytetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen