MENU
klinika

''Shën e Premtja...''

Restaurohet ikona e Zografit

16.02.2022 - 15:17

        Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, po i rikthehen ngjyrat veprës së Kostandin Zografit.

Specialistët e DRTK Berat vijojnë punën për restaurimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore.

“Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë DRTK-Berat po del në dritë një tjetër ikonë. Gjatë procesit të punës për pastrimin nga verniku i degraduar i veprës “Shën e Premtja me 4 Shenjtorë” me autor Kostandin Zografi”, – thekson DRTK Berat.

Kjo ikonë është gjetur në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit.

Shën Kolli është një ndër shenjtorët më të njohur, si për Kishën Katolike Perëndimore edhe për Kishën Lindore Ortodokse. Kulti i këtij shenjtori daton që në shek. VI, ndaj edhe trojet shqiptare, nuk përjashtohen për shkak të besimit dhe devotshmërisë së hershme ndaj krishtërimit.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave të rralla dhe me vlerë, po bëjnë restaurimin që do të mundësojë shfaqjen e vlerës, si dhe historinë që ato mbartin.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi mbi ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Fotografia kryesore: “Shën e Premtja” – Muzeu i artit mesjetar Korçë

Kjo ikonë është nga më impresionueset dhe unike në mënyrën si është vizatuar dhe pikturuar. Sfondi i artë është punuar në reliev dhe është dekoruar me elegancë me motive floreale. Figura e Shën të Premtes është pikturuar në ballor dhe portreti i saj gjithë finesë me qafën e zgjatur të kujton figurat e Modilianit. Duart e saj, janë të vogla në raport me torsin. Mafori i purpurtë me tone të ndezura është dekoruar edhe ai me motive floreale të stilizuara, të cilat janë pikturuar me ar. Në të dy krahët e figurës janë pikturuar 16 skena nga jeta e shenjtores , 8 në secilën anë. Lart janë dy engjëj. Vepra ruhet në gjendje të mirë dhe pas restaurimit të fundit, dolën ne pah vlerat e saj koloristike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874