MENU
klinika

Scriptorium

“Rrjedha e Historisë”

23.02.2022 - 16:51

Yuval Harari/

Në zemër të Ukrainës nis një pyetje thelbësore mbi historinë: a është ndryshimi i mundur? A mund ta ndryshojnë njerëzit mënyrën si sillen, apo historia përsëritet dhe njerëzit janë të dënuar t´i ripërjetojnë tragjeditë edhe pse të zbukuruara?

Një nga shkollat e mendimit e mohon katërcipërisht mundësinë e ndryshimit dhe argumenton se bota është xhungël dhe e vetmja forcë që ndalon një shtet për të sulmuar një shtet tjetër është forca ushtarake. Kështu ka qenë që në krye te herës dhe kështu do vazhdojë të jetë, ata që nuk besojnë tek ligji i xhunglës jo vetëm që e gënjejnë veten por e vënë veten edhe në rrezik. Nuk do të mbijetojnë gjatë.

Një shkollë tjetër mendimi argumenton se ligji i xhunglës nuk është fare i natyrshëm. Njerëzit e kanë fabrikuar, njerëzit mund t´a ndryshojnë, provat e para arkeologjike për luftë datojnë 13 mijë vjet më parë. Në dallim nga graviteti, lufta nuk është forcë e natyrës. Intensiteti dhe ekzistenca e saj varen nga faktorë teknologjikë, ekonomikë, kulturorë. Ashtu si ndryshojnë këto faktorë ashtu ndryshon dhe lufta.

Nëse beson se ndryshimi është i pamundur dhe se njeriu nuk e braktisi kurrë xhunglën, e vetmja zgjidhje e mbetur është luajtja e roleve të presë dhe grabitqarit, ndaj shumica e liderëve në botë do të kishin dashur të ishin kthyer pas në kohë në rolin e grabitqarëve, emrat e tyre do t´i ishin shtuar listës së emrave që duhen mësuar përmendësh për provimin e historisë.

Por ndryshimi është i mundur. Ndoshta ligji i xhunglës është një zgjedhje, nuk është i pashmangshëm? Nëse po, secili lider që pushton vendin fqinj do të ketë një vend në kujtesën njerëzore, ai do të mbahet mend si njeriu që përmbysi arritjen tonë më të madhe. Sapo ne ishim të bindur që e kishim lënë pas xhunglën ai na zvarrit sërish atje.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë në Ukrainë, por si historian besoj se ekziston ndryshimi dhe ky besim i imi nuk përbën naivitet por realitet. E vetmja konstante në historinë e njerëzimit është ndryshimi dhe këtë leksion ne mund ta mësojmë nga ukrainasit.

Për breza të tërë ata kanë jetuar nën tirani dhe dhunë, plot dy shekuj zgjati autokracia cariste. Përpjekja për pavarësi u shkatërrua nga Ushtria e Kuqe që solli në pushtet sërish Rusinë. Ukrainasit do të përjetonin urinë e tmerrshme ¨Holodomor¨, terrorin Stalinist, pushtimin nga nazistët dhe dekada nën diktaturën e pashpirt komuniste.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, historia sikur donte të na siguronte që Ukraina do të ishte sërish pre e tiranisë së pamëshirshme- të gjorët nuk njihnin tjetër trajtim.

Por ata zgjodhën ndryshimin, përpos historisë, përpos varfërisë së skajshme dhe përpos barrierave, Ukraina themeloi demokracinë. Në Ukrainë, ndryshe nga Rusia dhe Bjellorusia, kandidatët e opozitës mbetën të njëjtët. Në 2013-2014, kur u përballën me kërcënimin e rikthimit të autokracisë, u ngritën në revolta për të mbrojtur lirinë e tyre. Demokracia e tyre është e njomë, ashtu siç është dhe ¨paqja e re¨. Të dyja janë të brishta e ndoshta jetë shkurtër, por janë të mundshme dhe mund të hedhin rrënjë. Gjithçka e vjetër dikur ishte e re, zgjedhjen e kemi ne njerëzit në dorë.

Yuval Noah Harari është intelektual, historian dhe profesor në Universitetin e Jeruzalemit. Ai është autor i disa librave best seller si: ¨Sapiens: A Brief History of Humankind¨, “Homo Deus: A Brief History of Tomorrow”, “21 Lessons for the 21st Century¨.

Artikulli publikuar në ¨The Economist¨ u përkthye në shqip nga Albana Murra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Historia e një romani”

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“A ka më rebelë?”

BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Sekreti i lumturisë”