Intervista e Jacques Attali
Jacques Attali, 78-vjeçari, ekonomist, inxhinier, këshilltar, kompozitor, shkrimtar mund t´ia lejojë vetes të dedikohet gjërave që vërtet e apasionojnë.
Kohën që të gjithë ishim të karantinuar ai e shfrytëzoi më së miri sepse shkruajti ¨Ekonomia e jetës¨, libër që flet mbi historinë e muzikës, impaktin që ka mjekësia në ekonomi, të ardhmen e pronës, punën dhe seksualitetin.
Në libër ai shkruan që duhet të jemi të përgatitur për krizën ekonomike, filozofike, sociale dhe politike që do vijë në përmasa të paimagjinueshme. Ai këmbëngul që qeveritë duhet ta kthejnë vëmendjen dhe t´i japin prioritet shëndetit, higjenës, ushqyerjes, energjisë së pastër dhe edukimit.
Attali ka lindur në një familje franko-izraelite që ka banuar në Algjeri, ai është skalitur në djepin e elitës, prej tij pritet që të vijë ndonjë ide ¨out of the box¨ dhe që sigurisht falë tij t´i kthejmë sytë nga njerëzimi.
Siç ia ka arritur qëllimit kur shprehej se receta kundër populizmit është kur një shtet resht së deklaruari që ¨dje ka qenë më mirë se sot¨ apo kur denonconte: ¨Acarohem kur ekonomia e kriminelëve përfiton nga fatkeqësia e njerëzve¨.
Keni qenë këshilltar i disa presidentëve: Mitterrand, Sarkozy, Hollande dhe Macron. Kush do ishte këshilla e parë që do t´iu kishe dhënë nëse do ishim në fillim të vitit 2020 kur sapo kishte nisur pandemia në ¨situation room¨ në Elize?
Për hir të së vërtetës kam qenë këshilltar vetëm i presidentit François Mitterrand, të tjerët që keni përmendur i kam pasur miq dhe thjesht iu kam dhënë këshilla miqësisht. Ajo çfarë këshillova ishte që Franca dhe shtetet e tjera perëndimore duhet të adaptonin ekonominë e luftës, kjo kërkonte riorganizim sidomos në disa sektorë: shëndetësia, higjena, sportet, kultura, infrastruktura urbane, ushqyerja, agrikultura, mbrojtja e tokës. Këtyre duhet t´iu shtoj sigurinë, mbrojtjen, riciklimin, menaxhimin e mirë të ujit, energjinë e rinovueshme, ekologjinë, mbrojtjen e biodiversitetit, edukimin dhe kursimin.
Nuk i implementuan masat që ju sugjeruat?
Këmbëngula publikisht disa herë, asgjë nuk u zbatua, fatkeqësisht.
Një nga sugjerimet e mia ishte që ne po gabonim që po merrnim si shembull Kinën në vend që të merrnim si shembull Korenë e Veriut, shtet demokratik që është mësuar me këto pandemi, megjithëse ka një popullsi prej 51 milionë banorësh, vetëm 2000 humbën jetën nga Covid. As nuk u karantinuan as ekonominë nuk e ndërprenë.
Ne gazetarët gjithmonë i pyesim mendimtarët e mëdhenj për leksionet që kemi marrë nga Covid-i por unë do të të pyes nëse ne nuk kemi marrë asnjë mësim dhe në fakt po kthehemi pas në çfarë skenari politik, social dhe ekonomik do të gjendeshim?
Shumë duan të rikthehen në një botë në të cilën nuk vigjiloheshin nga askush. Të duash të kthehesh pas është ta dënosh veten të vuash më fort incidentin e radhës që do pësojë njerëzimi.
Atëherë?
Mjafton të rikujtojmë pandeminë e viteve 20 të shekullit të kaluar, pas pandemisë, dolën në pah Franco, Hitleri dhe plasi Lufta e Dytë Botërore. Kjo do të na ndodhë edhe neve nëse ne nuk ndryshojmë qasjen ndaj pandemisë. Duhet të jemi në mënyrë egoiste, altruistë, të kuptojmë që është në interesin tonë që të tjerët të vënë maskën, të vaksinohen e kështu me radhë.
Janë ngritur dyshime mbi demokracinë e këtij sistemi, nuk janë lënë pas dhe gjigandët e teknologjisë. Cili është shqetësimi juaj më i madh?
Në fakt, kam shumë shqetësime. Lufta është mundur sepse gjithmonë shihet si zgjidhje për të shlyer borxhet dhe problemet e mëdha ndaj ekziston një kërcënim serioz për luftë. Më shqetëson sidomos situata në Kinë, ka gjasa të shpërthejë ndonjë revolucion, sepse njerëzit janë shumë të nevrikosur me faktin që një grusht njerëzish po fitojnë shuma marramendëse ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë është jashtëzakonisht e varfër.
Më lejoni t´ju citoj ¨Njerëzimi ishte tejet i vetëkënaqur: kishte humbur sensin e tragjikes¨. Tanimë, vdekja dhe vuajtja kanë zënë hapësirë të madhe në shoqëritë e zhvilluara, a po sjell kjo një ritakim me thelbin tonë njerëzor?
Pandemia në fakt nuk na rikujtoi faktin që vdekja ekziston, por që ne jemi të destinuar të vdesim.
Shumë njerëz e kanë përjetuar kur kanë parë se si nëpër spitale zgjidhej se kush do të jetonte e kë do të linin të vdiste.
Prej dekadash ia kishim vënë mision vetes ta fshihnim vdekjen, tani po fshehim ata që kanë humbur jetën nga virusi.
Leksioni është shumë i qartë: nëse vdekja vazhdon të jetë po aq intime dhe e parashikueshme, do ta tolerojmë; kur merr dikë në një aksident rrugor a ngjarje e ngjashme do ta bëjmë sërish vdekjen të patolerueshme.
Kjo krizë do t´ia vlejë nëse njerëzit do t’i rikthehen vetvetes, familjes, fqinjve, miqve, atyre që duam.
Intervista u përkthye në shqip nga Albana Murra.