MENU
klinika

Mentor Nazarko

Beteja elektorale e Ulqinit, pritet të fitohet nga Abazoviç, që javën tjetër bëhet kryeministër

09.03.2022 - 22:32

-Presidenti malazez mandatoi si Kryeministër të Malit të Zi, një politikn me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç,
Si e konsideroni këtë zhvillim?
Mentor Nazarko: Mendoj që më shumë sesa të theksojmë origjinën e tij etnike shqiptare do të duhet të theksojmë ciklin e zhvillimeve pozitive në të cilat ka hyrë Mali i Zi, falë këtij politikani. Nëpërmjet mandateve të katër deputetëve ai është praktikisht duke bërë lojën e “King Maker”-it, domethënë të politikanit që vendos fatet e zhvillimit të vendit. Fillimisht ka imponuar qarkullimin e elitave; mundësimin e tranzicionit; ndërprerjen e qeverisjes afatgjatë 30 vjeçare të Presidentit Gjukanoviç, nëpërmjet enjë qeverie ekspertësh që do të thotë ardhja e teknokratëve në krye të qeverisë,; ka zhvilluar goditje të fuqishme ndaj kontrabandës së cigareve që është një nga bizneset më fitimprurëse me të cilat mbahet ekonomia e këtij vendi; ka ruajtur boshtin Euro-Atlantik të vendit. Më në fund pasi ka parë që brenda kësaj qeverie kishte komponentë të fuqishëm pro-serbë, ka vendosur të tërhiqet dhe ti hapë rrugën krijimit të një qeverie të re me bazë të gjerë apo të një qeverie të re e cila do të jetë e partive të pakicave por edhe e teknokratëve të mbështetur me një shumicë shumë të rëndësishme, si ajo e partisë së zotit Gjukanovic. Brenda kësaj shumice janë të gjitha partitë e shumicës dhe pakicave etnike që e popullojnë Malin e Zi, një parti pro-serbe siç është partia SNP, duke arritur një shumicë cilësore prej 3/5. Ky është një zhvillim epokal edhe për Malin e Zi sepse I jepet fund disa periudhave të gjata udhëhequra prej zotit Gjukanovic . Kjo udhëheqje nga njëra anë ka shenjuar ruajtjen e boshtit pro-perëndimor të shtetit dhe të shoqërisë nën udhëheqjen e Presidentit Milo Gjukanoviç por nga ana tjetër e ka mbajtur vendin në atë spiralen e korrupsionit apo të performancës së ulët në indekset e vlerësimit të performancës administrative të shteteve të caktuara. Për ta përmbyllur: ky politikan shumë i ri ka mundur ta realizojë këto objektiva nëpërmjet një partie qytetare, duke sfiduar kësisoj modelin dominant të politikanëve shqiptarë- meqenëse e përmendët origjinën e tij- politikanë të cilët qeverisin ndryshe. Ky është një politikan që qeveris në një mënyrë krejtësisht tjetër, pa iu drejtuar kauzave nacionaliste, duke iu drejtuar pajtimit. Mesa duket kjo mënyrë të të bërit politikë, duke folur për kauza pajtuese, duke folur për kauza mjedisore, duke qenë bashkëbiseduesi kryesor i Perëndimit, duke e avancuar komunitetin e tij, falë përparimit ekonomik, është një qasje fituese.

Kur mandatohet kjo qeveri, a ka afate?
Dje pritej që partia SNP e cila bënte pjesë tek Fronti pro-serb, të miratonte hyrjen në qeveri. Ajo ka 5 deputetë, ndaj shumica e zotit Abazovic nga 44 deputetët aktualë bëhet me 49 deputetë nga 81 deputetë që ka Parlamenti gjithsej. Në këtë kuptim multietniciteti plotësohet ndjeshëm me praninë e kësaj partie. Besoj duke kapërcyer një vështirësi të karakterit procedural që lidhet me Rregulloren e Kuvendit të Malit të Zi, brenda 10 ditëve do të kemi krijimin e një qeverie të re të Malit të Zi, të drejtuar nga politikani Dritan Abazoviç.

A kanë lidhje këto zhvillime me luftën në Ukrainë?

Nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë por ama është në interesin perëndimor që në këtë pjesë të Ballkanit, në Malin e Zi, anëtar i NATO-s, praktikisht të mos ketë vakum qeverisjeje dhe të ruhet orientimi properëndimor. E vërteta është që krejt ndryshe nga leximi dominant që i bëhet nga mediat tona nacionale, Serbia është duke u përmbajtur (megjithëlidhjet e saj të privilegjiuara me Rusinë,) që të ketë një qasje destabilizuese në tre pika delikate të Rajonit si: Veriu i Kosovës, Republika Serbska ku ka një shumicë serbe dhe në Malin e Zi ku gjithashtu ka një shumicë, (një popullsi të rëndësishme) që deklarohet se i përket komunitetit serb. Në këto tre pika, përfshirë dhe Malin e Zi, Serbia është duke u përmbajtur -për shkak të presionit perëndimor, me siguri, por dhe për shkak të presionit amerikan me kartën e Non Grata’-ve apo instrumenteve të tjerë të presionit që SHBA dinë ti përdorin, kur dhe ndaj kujt ti përdorin. Mali i Zi është duke ruajtur një stabilitet të rëndësishëm pavarësisht shfaqes së protestave në rrugë të cilat ngjajnë të kontrolluara. Pra, nëse do të kishim zhvillim shpërthyes në Malin e Zi, kjo do të ishte ekzaktësisht ajo çfarë do të dëshironte Rusia. Rusia do donte zhvillime të tilla me karakter konfliktual në mënyrë që vëmendja të mos jetë e përqëndruar vetëm tek Ukraina, por edhe tek një vatër tjetër konflikti. Fatmirësisht kjo nuk është duke ndodhur, e kjo i detyrohet natyrisht edhe politikës pajtuese, të atij që po i prin këtyre proceseve- Z.Abazoviç. Do duhet të themi,- “i duhet dhënë Çezarit, cfarë është e Çezarit”,- ky lloj zhvillimi i detyrohet edhe vetëpërmbajtjes, rolit konstruktiv të imponuar,- do të duhet ta pranojmë,- të Serbisë. Në këtë kuptim, një pjesë e mirë e të ashtuquajturës “Logore” kritike që zhvillohet ndaj Serbisë është tërësisht jashtë realitetit dhe nuk ndihmon për asgjë. As nuk i ndihmon perëndimorët tiu çelen sytë sesa destruktive është Serbia dhe as nuk dëgjohet nga Serbia dhe as nuk ndihmon që ata politikanë që zhvillojnë një “Logore” të tillë, të fitojnë pikë të tjera nacionaliste’. Perëndimi nuk do që Serbia të rrëshkasë totalisht nën ndikimin rus, por përkundrazi nëpërmjet shkopit dhe karotës ta mbajë nën kontroll, si u duk dhe nga biseda e fundit e presidentit Makron me Vucicin.

Po e marrim të mirëqenë që Abazoviç do të mandatohet Kryeministër, çfarë nënkupton fakti që në ballkan do të ketë tre Kryeministra shqiptarë?

E theksoj që Abazoviç është në krye të një partie qytetare e cila ka marrë votat më së shumti nga zona të populluara nga malazezë, në Podgoricë për shembull, ndërsa në Ulqin që është qyteti më i madh shqiptar apo komuna më e madhe shqiptare ka një numër të vogël votash. Ndaj tij janë zhvilluar fushata të ndryshme demonizuese të cilat e kanë pikturuar si çetnik shqiptar për shkak se ai bëri koalicion me partitë e opozitës të cilat ishin më së shumti pro-serbe. Sot të gjithë ata që e kanë etiketuar kështu do të duhet ti kërkojnë falje pasi ai ka mundur që brenda një kohe të shkurtër,-një viti e gjysëm- të arrijë për Malin e Zi ( por edhe për popullsinë shqiptare), zhvillime të cilat partitë e tjera shqiptare nuk kanë mundur që t’i realizojnë për 30 vjet të pluralizmit dhe të shkëputjes së Malit të Zi, si Republikë më vete. Kjo ka ndodhur për shkak të një qasjeje shumë inteligjente, dinamike për shkak të disa veprimeve të cilat kanë qenë me karakter unik, kanë qenë të guximshme. Ato kanë prishur status quo-në politike të grupeve që kontrollojnë ekonominë e këtij vendi, veçanërisht ato që mbështeten tek kontrabanda e cigareve. Brenda kësaj qasjeje duhet parë dhe rikthimi i pronave të rëndësishme që i përkasin komunitetit të Ulqinak nga një ish bazë ushtarake- Baza e Valdanos, ashtu dhe,rikthimi i pronave të mëdha publike në duart e Komunës, si Kriporja e qytetit . Ai beson tek një plan zhvillimor i Ulqinit i cili do ta ribrendonte atë ndërkombëtarisht. Praktikisht- ndonëse është komuna me vijën bregdetare më të gjatë të Malit të Zi,madje edhe me sipërfaqen më të madhe, Ulqini është praktikisht zona më e pazhvilluar e Malit të Zi. Ulqinakët, duke iu referuar komunitetit shqiptar,njohin mjerisht dy dukuri dramatike të cilat janë duke e çuar kah pakësimi apo kah zhdukja, siç është rasti i bashkësisë katolike. E para, është një emigracion i madh, drejt SHBA apo shteteve të tjera dhe së dyti, asimilimi i sforcuar për shkak të nevojës për të siguruar integrim shoqëror apo punësim brenda Malit të Zi, asimilim i cili sheh shumë shqiptarë muslimanë që deklarohen si boshnjakë. Pra në shekullin e XXI, të ashtuquajturat subjekte shqiptare nuk kanë mundur të ndalin politika të tilla, nuk kanë mundur të ndalin zvogëlimin e komunitetit shqiptar këtu, ndonëse të bashkuara, të koordinuara me Tiranën, mund të kishin bërë atë që po bën Dritani sot, dmth rolin e kingmaker-it. Z.Abazoviç i cili ka origjinën shqiptare, origjinë qytetare nga qyteti i Ulqinit, pra autokton, -madje thuhet se ka origjinë nga Kruja, nga fisi Abazi, – ka identifikuar zhvillimin ekonomik, përparimin social të këtij qyteti, njëlloj si qytete të tjera bregdetare, si rrugën që do të mundësojë avancimin individual dhe kolektiv të shqipatrëve. Në këtë vepër të tij, sigurisht ai ka zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, marrëdhënie të mira me Kosovën. Ai ka identifikuar disa projekte zhvillimore të cilat lidhin Malin e Zi apo Ulqinin me Shqipërinë siç është projekti i urës mbi Bunë që do ta shndrronte këtë në një zonë unike turistike bashkë me zonën e Velipojës apo të Shkodrës, natyrisht e shoqëruar dhe me një korridor rrugor për të cilin flitet, që është Korridori Blu, që lidh gjithë bregdetin Adriatik të Ballkanit.

Në Ulqin do të zhvillohen zgjedhjet lokale, a do të sjellë nominimi i Abazoviç rritje të partisë së tij qytetare?

Unë besoj që po, sondazhet japin një rritje domethënëse, të jashtëzakonshme të partisë që ai udhëheq, Partisë Ura. Kjo Parti është praktikisht lokomotiva fituese e një treni elektoral partish, të cilat janë bërë bashkë falë udhëheqjes së tij në një koalicion që është koalicioni më i madh multietnik që është parë në këtë komunë, ku bëjnë pjesë disa parti jo vetëm shqiptare por edhe parti sllave. Motori i rritjes elektorale të kësaj partie të këtij koalicioni që në një farë kuptimi është lista e Abazoviçit, i detyrohet me siguri faktit që ai gëzon mbështetje tek të rinjtë. Në shtetet e vogla, si këto tonat, në realitete fisnore apo klienteliste siç janë komunat shqiptare që gjithashtu janë të vogla, ‘arma e ndryshimit’ apo ndryshimi arrihet vetëm nëpërmjet të rinjve. Sondazhet e zhvilluara, tregojnë që rinia e sheh me shumë entuziazëm ardhjen e tij në krye të qeverisë qëndrore, e mirëpresin me krenari këtë zhvillim epokal. Është epokal, sepse de jure shqiptarët përfaqësojnë një pakicë të vogël në Mal të Zi- shqiptarët e deklaruar apo të regjistruar si të tillë. E pra, është një komunitet kaq i vogël, i fesë myslimane që po I afron kryeministrin një vendi shumë delikat. Natyrisht ky është tregues I qartë I urtësisë së tij, pra faktit se kartat me të cilat ka luajtur kanë qenë të pranueshme, mobilizuese për të gjithë shtetin,e popullsinë e re të tij. Ky është një zhvillim që e bën krenar dhe e ka mobilizuar dhe e ka fuqizuar ndjenjën kombëtare tek të rinjtë, por pse jo edhe tek të gjithë banorët e Ulqinit. Ky është shkaku pse të gjithë sondazhet e japin fitues të më shumë se gjysmës së vendeve, apo të ulseve, të Këshillit Komunal, I cili është përbërë nga 33 asambleiste’ apo këshilltarë komunalë. Prej këtyre do të zgjidhet Kryeqytetari i ri i Komunës, i cili pritet të jetë gjithashtu shqiptar. Mbi të gjitha jemi duke asistuar në një erë’ të fuqishme pajtimi në një vend kaq të vogël, kaq delikat, në të cilin përplaset lindja dhe perëndimi, në të cilat Serbia ka ndikim të fuqishëm në të cilën Rusia bashkë me Serbinë kanë bërë një tentativë për grusht shteti, ky është një zhvillim epokal në të cilin shohim të afirmohet modeli I një politikani të ri I një anti modeli dominant, një politikan I cili është shqiptar etnikisht por punon mbi kauza mbietnike të cilat janë moderne, të cilat janë pajtuese, progressive dhe që do të shndrrojnë shumë shpejt trendin e politikave të këtij vendi kaq interesant dhe me pozitë strategjike në Ballkan dhe në Adriatik.

Ju jeni në Ulqin tani, si e shihni kontekstin politik atje? Çfarë mund të sjellë Ura’ apo faktori shqiptar?

Së pari do ti japë fund një tradite keqqeverisje të kësaj komune kaq të rëndësishme, jo thjesht për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve që e popullojnë atë në shumicë, por të gjithë Malit të Zi. Ulqini është një vend i bekuar nga Perëndia, -ndonëse unë jam ateist-sepse ka një shtrirje bregdetare shumë të gjatë, pra është I ekspozuar detit. Në një shtrirje prej afro 12km me bregdet ranor, shkëmbor shumë të bukur, ka fushë; ka një lumë të lundrueshëm, I vetmi I lundrueshëm në Ballkan që është pasuri natyrore e jashtëzakonshme, ka pyje, mal, liqen, histori të jashtëzakonshme, kështjella,ka qytetërime të vendosura njëra mbi tjetrën, një trashëgimi monumentesh kulturore, historike, arkeologjike të jashtëzakonshme që lidhet me figura të historisë sonë kombëtare si Skënderbeu, të cilat janë lënë pas dore. Ky është një vend I cili në dekadat e fundit nuk ka njohur zhvillime të mëdha në fushën e turizmit, ndonëse në vitet 80’ ishte një lloj Meka’-e e turizmit gjerman në ish Jugosllavinë e dikurshme. Pse? Nuk ka investime të mëdha siç njeh Budva që është një destinacion I turizmit shqiptar, por dhe i kazinistëve shqiptarë. Falë stabilitetit, Ulqini mund të jetë shumë tërheqës për investimet nga vende të ndryshme. Që vitin që shkoi, Ulqini njohu një boom’ vizitorësh, turistësh për shkak të një strategjie të re të ribrendimit’ të qytetit dhe janë duke u zhvilluar negociata me investitorë të mëdhenj strategjikë. Ulqini ofron një pafundësi mundësish. Zhvillimi ekonomik, është vektori më I rëndësishëm I cili do frenojë hemorragjinë e ikjeve të popullsisë nga vendi, pra do ti ofrojë punësim të rinjve, zhvillim, mirëqenie, kjo është e para. Natyrisht falë ndërlidhjeve me Shqipërinë, falë një roli më aktiv të Qeverisë Shqiptare do të kemi dhe një përmirësim të cilësisë të shkollimit shqip dhe të një administrate të mbështetur tek të rinjtë, tek një klasë e re udhëheqëse, krejt ndryshe nga ata të ashtuquajtur dinosaurë’ të politikës shqiptare të cilët iu ngjajnë shumë atyre princave feudalë të kohës së Skënderbeut të cilët grindeshin me njëri-tjetrin dhe kjo I ofronte një mundësi pushtuesve turq që të përparonin në tokat e tyre. Kjo praktikë, ky realitet I partive, partizave’ të vogla është duke marrë një goditje të fuqishme. Mbi të gjitha mendohet, besohet, shpresohet se një realitet I qëndrueshëm në nivel politik qëndror dhe afirmimi I një force të re politike qytetare në krye të Ulqinit, në krye të një liste partish apo të një koalicioni të gjerë partish, -më të madhin në historinë e Ulqinit,- do të ofrojë stabilitetin e nevojshëm dhe një pikë referimi për investitorët e mëdhenj. Falë urës, falë rrugëve të komunikimit ndërshqiptar brenda 5 minutash mund të kalohet-është diçka e paimagjinueshme-, lumi I Bunës I cili ka shërbyer si një lloj Muri I Berlinit’ të shqiptarëve, sepse në atë lumë edhe janë vrarë njerëz që kanë tentuar ta kalojnë, -ajo pjesë e Shqipërisë, Velipoja apo Shkodra me Ulqinin do të jenë pjesë e një oferte turistike unike. Ulqini është një qytet i ndërlidhur në mënyrë jetike me Shkodrën dhe për fat të keq pavarësisht fjalëve asgjë nuk ka ndodhur cilësisht në këto 30 vjet të hapjes së Shqipërisë. Le të shpresojmë se një erë e re pritet të fryjë në këto vise. Kombi Shqiptar- po hyj dhe unë në rrafshin e atyre patetizmave nacionalistikë’- I cili ka vuajtur nga ato valët e hordhive pushtuese të popujve a kombeve të tjerë, do ta rigjejë atë kompaktësinë në trojet të cilat I ka banuar historikisht siç është Ulqini, një komunë me pasuri historike, me gjurmë qytetrimore të jashtëzakonshme dhe unike.

A ka bërë Abazoviç atje një koalicion më të madh? Çfarë model politikani është Abazoviç, ju e keni intervistuar atë, mund të na tregoni?

Ai është një politikan I ri, I cili në pjesën e parë të karrierës së vet politike ka zhvilluar një model afirmativ i cili në një kuptim mund ti ngjajë atij të Albin Kurtit. Është një model denoncues i veprimtarisë korruptive të qeverisjes së mëparshme, një model i politikanit që ka guxuar, ndonëse nuk ka përfaqësuar ndonjë parti të madhe, apo komunitet të madh. Ky guxim, kjo kurajë e bëri atë të famshëm anembanë Malit të Zi dhe Ballkanit dhe duhet të mbajmë parasysh se ai nuk është një politikan që ka vetëm një karizëm’ të fuqishme, por dhe që ka aftësi oratorike të spikatshme. Dritan Abazoviç është një politikan që ka patur për për temë doktorature “Etika e Globalizmit”, një politikan që ka në themel të formimit të tij akademik të nivelit të lartë, që ka rezultate të shkëlqyera, si në Universitetet e Malit të Zi, por dhe Sarajevës. Siç e thashë, pas një periudhe të parë në opozitë- me karakter denoncues, përplasës, të guximshëm, ai është duke ofruar një faqe të re të të bërit politikë, që është pajtimi, kapërcimi I ndarjeve etnike ndërfetare, ndërkulturore apo ndëretnike. Është duke realizuar koalicionin më të madh të partive shqiptare, . Pra ai jo vetëm që i bashkoi partitë malazeze në nivel qëndror, por është duke bashkuar edhe partitë shqiptare këtu. Natyrisht në nivel të Ulqinit janë dhe dy subjekte rivale, sepse është lehtësisht e kuptueshme nisur nga dinamika sesi kanë rrjedhur gjërat këtu, që të ketë edhe parti që nuk pranuan të hynin në këtë koalicion. Dritani është një politikan I cili nga njëra anë ka fituar mbështetjen dhe bashkëpunimin e Tiranës zyrtare,vecanërisht të Z.Rama me të cilin ka kultivuar marrëdhënie personale të fuqishme, (kjo pavarësisht përpjekjeve të rivalëve të tij politikë të cilët janë munduar ta demonizojnë) nga ana tjetër e ka rritur profilin e tij ndërkombëtar për shkak të komunikimit dinjitoz me liderë të ndryshëm botërorë. Sot ai është pika e vetme e referimit për SHBA, hiq presidentin Gjukanovic. Ai e ka rritur kësisoj profilin e tij ndërkombëtar dhe këtu dua të veçoj një takim me Atin e Shenjtë’,- ndërsa përkujtojmë se në Ulqin jeton një komunitet katolik krenar I cili e zhvillon besimin e tij në kishat nga më të bukurat, më të vjetrat e rajonit, ndërsa për shkak të ndryshimit të përbërjes demografike, e fetare, këto kisha kanë shërbyer si vende besimi edhe për ortodoksët, pra kishat janë detyruar të përshtaten me dy altarë. Takimi I tij me Atin e Shenjte’ ka qenë një surprizë për gjithë komunitetin katolik, për gjithë Malin e Zi, për mesazhet që u përcollën dhe për premtimin se Papa do të vizitojë për herë të parë Malin e Zi, këtë vend kaq të vogël. Pra është një model shumë interesant politikani që nuk e ka mbështetur suksesin e tij tek afirmimi i një lloj shqiptarësie’ ekskluziviste, agresive ndaj të tjerëve, siç bëhet shpesh rëndom në Ballkan, por nëpërmjet pajtimit duke shërbyer si një model referimi, jo thjesht për rininë shqiptare por për rininë malazeze, pra për komponenten sllave të këtij shteti. Nga një anë, Abazoviç në pjesën e parë të karrierës së tij ka qenë politikan me aftësi të spikatura denoncuese, si Kurti, bashkëqytetar i tij me origjinë nga Katërkolla, nga ana tjetër, në pjesën e dytë të karrierës së tij ai ka qenë një politikan që ka zhvilluar fuqishëm, -falë pragmatizmit të tij, inteligjencës me të cilën e ka shfrytëzuar këtë numër votash deputetësh,- aftësi pajtuese, negociuese, KJo karrierë, këto cilësi e bëjnë kësisoj një politikan unik. Në fund të fundit në politikë kanë shumë rëndësi rezultatet. Nuk ka rëndësi qëllimet që i shpall, apo retorika, fjalët që thua. Fatmirësisht ai po arrin sukses, si duket qartë nga mënyra sesi po zhvillohet kjo periudhë kaq delikate negociatash për krijimin e qeverisë së re, një situatë e kontrolluar, e përmbajtur, pavarësisht protestive që janë të ligjshme për këtë ndryshim qeverie. Të gjitha këto janë produkt I një modeli të ri politikani I cili rrezaton jo thjesht dhe vetëm në kufijtë etnikë, të një vendi të vogël siç është Mali I Zi por edhe më gjerë, në Ballkan.

Po zhvillimet e zgjedhjeve vendore të pjesshme në vendin tonë si I komentoni?

Ishte një test I pjesshëm, I zgjedhjeve të pjesshme lokale të cilat nga njëra anë konfirmuan afirmimin e një dukurie të pritshme, të imagjinueshme që unë e kam quajtur dukuria e homologimit të votës popullore tek një person, tek një figurë siç ishte ajo e Kryeministrit që është duke zhvilluar mandatin e tij të tretë. Pra vota konsolidohet, në shtetet tona të vogla, tek e njëjta figurë qëvqeveris prej një kohe të gjatë. Është një dukuri që njerëzit identifikojnë në mënyrë të qëndrueshme tek Kryeministri apo tek Presidenti, diku tjetër, shpresën apo bindjen se ai është më I miri I më të këqijve. Kurse në pikpamjen e zhvillimeve të opozitës, duket qartë se kjo që ndodhi ofron një sfidë të fuqishme për autoritetin e Kryetarit të PD Basha,, i cili nuk ka mundur të afirmojë brenda një kohe të shkurtër nga përplasja e parë publike me Z.Berisha, se ai përfaqëson, shpresën, alternativën e vetme të të bërit opozitë ndaj këtij modelit tjetër dominant, që është modeli I Z.Rama. Natyrisht, ndërsa pritet që të kemi përpjekje bashkuese brenda opozitës të cilat ndoshta do të shihnin të fuqizohej krahu i z.Berisha apo roli I tij udhëheqës brenda opozitës, është për të ardhur keq ajo dyfytyrësia që po karakterizon një pjesë të politikanëve të kampit të Z.Basha që mezi kanë pritur një rezultat që ishte I pritshëm, për t’i kërkuar llogari atij vetëm 2 muaj pasi i shfaqën një besnikëri të admirueshme në kuvendin që pamë në Pallatin e Kongreseve. Pra janë zhvillime të cilat nga pikpamja e jetës së ketyre bashkive për të cilat u votua, janë deridiku të rëndësishme sepse i hapën rrugë zhvillimeve të tjera që priten të përcaktojnë formën e opozitës vitet e ardhshme. Natyrisht ato që po ndodhin në këto dy ditë nuk janë shpresëdhënëse për opozitën…

Intervistë për RTSH24, e gazetares Aurora Pengu

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë/ "Të dënuar të bashkëjetojnë"

Mentor Nazarko: Rama duhet të kalojë më shumë kohë me Kurtin

Flet për rolin e Serbisë, kishën dhe interesin e Shqipërisë

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi: Ku ndahem me Gjukanoviç, pse jam kritik i fortë i tij

Ja pyetjet që do t'i drejtohen zëvendëskryeministrit të Malit të Zi

Raporti me Ramën, Kurtin dhe Shengeni Ballkanik, Dritan Abazoviç rrëfehet sonte për Mentor Nazarkon