MENU
klinika

Kush e "frymëzon" Putinin?

Filozofi që fshihet pas fashizmit rus…

23.03.2022 - 15:07

         Dikur agjent sekret i KGB-së në regjimin komunist, duket se Vladimir Putin ka ndërruar mendje, për sa i përket asaj epoke. Deri pak vite më parë, rëninien e Bashkimit Sovjetik ai i cilësonte, si “ngjarjen më tragjike në histori”.

Por, koha dhe pushteti gjithmonë e më totalitar me të cilin dominon Kremlinin dhe përditshmërinë politike në Rusi, ka bërë që t’i ndryshojë pikat e referimit.

Një nga këto, shpesh herë i cituar nga vetë Putini, si pasojë edhe nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, është filozofi Ivan Ilyn që, paradoksalisht, cilësonte pikërisht revolucionin bolshevik, nga ku lindi Bashkimi Sovjetik, si “katastrofa më e madhe në histori”.

Kush ishte Ilyn dhe si ka ndikuar ai, në mendimin politik të Putinit?

I lindur më 1883, në një nga familjet aristokrate më të vjetra ruse, pasardhëse sipas legjendës të dinastisë vikinge Rurkid, që themeloi kombin rus, ai ishte nipi i komandantit të pallatit perandorak të Kremlinit, pikërisht aty ku dominon sot “cari” Putin.

Ilyn cilësohet si një nga eksponentët më të rëndësishëm të Rusëve të Bardhë nacionalistë, që kundërshtuan në fushëbetejë dhe më vonë në mërgim, forcat bolshevike që do të merrnin pushtetin.

Por, kundërshtimi ndaj teorive të Leninit dhe Stalinit, nuk e penguan të kishte një admirim të madh për kombin rus, që sipas tij, kishte një “mision në botë, si një nga kombet e vetme jo të korruptuara dhe dobëta në karakter”.

Sipas Ilyn, bolshevizmi e pengonte Rusinë në ketë mision hyjnor dhe e vetmja mundësi politike, ishte për të fitorja e fashizmit.

Ideolog i një pushteti absolut dhe të padiskutueshëm të lidershipit, Ilyn, që kishte nënën gjermane dhe jetoi disa vjet në Berlin; më shumë se ambiciet hitleriane mbështeti teoritë sociale të Benito Mussolinit, të cilit, nuk ia mohoi kontributet deri në vdekje, në vitin 1954.

I cilësuar si filozofi i “fashizmit rus”, Ilyn ishte argument totalisht i ndaluar në Bashkimin Sovjetik dhe u rikthye në librari, edhe si figurë historike, vetëm dekadën e fundit, pikërisht nga Presidentit Putin, që sipas shumë burimeve, është admirues i flaktë i tij.

Edhe pse teoritë e Ilynit janë shumë më komplekse sesa një mbështetje e thjeshtë ndaj një figure diktatoriale, sipas studiuesve, Putini ka marrë të mirëqena vetëm disa pjesë dhe citate, ndër të tjerat, ajo që thotë se “njerëzit guximtarë mund të ndryshojnë një realitet dështak, falë veprimeve të guximshme”.

Ndoshta kjo fjali mund t’i ketë dhënë kurajë Presidentit rus, për të urdhëruar sulmin ndaj Ukrainës, por mund të jetë edhe veprimi që mundet ta fundosë atë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Propozimi ‘bombë’ i SHBA-së për Turqinë

“Dërgoni në Ukrainë sistemin raketor rus!”

Rezultatet tronditëse të një raporti britanik

“Gjysma e rusëve në Londër janë spiunë të Kremlinit”