MENU
klinika

Nga CNN

Heroizmi i Zelenskit po përballet me “vijat e kuqe” të Perëndimit

09.03.2022 - 08:08

CNN

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky cilësohet si ndërgjegjja morale e Perëndimit – me videot e tij të përditshme që nxjerrin në pah heroizmin e vendit duke treguar një rezistencë të fortë ndaj pushtimit rus.

Zelensky po shkon gjithnjë e më shumë drejt realitetit të ashpër të luftës: Presidenti Joe Biden dhe liderët europianë po përballen me vija të kuqe politike dhe gjeopolitike të presidentit rus Vladimir Putin.

Rritja e çmimeve të naftës po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftë:

A do ta shkatërrojë presioni perëndimor ekonominë ruse dhe do të detyrojë Putin të heqë dorë përpara se Ukraina dhe populli i saj të shkatërrohen ose largohen nga vendi?

Dhe për sa kohë do të rezistojë opinioni publik në SHBA dhe Europë?

Thirrjet prekëse të Zelensky kanë ringjallur Perëndimin nga gjumi i pas Luftës së Ftohtë dhe kanë mahnitur botën me mbrojtjen ndaj demokracisë.

Nëse një njeri ka ndryshuar ndonjëherë botën, shumë pak kanë arritur ta bëjnë kaq shpejt sa Zelensky.

Në video-mesazhin e fundit, në të cilin i kërkoi NATO-s të ndihmonte vendin, Zelensky la bunkerin dhe shkoi në zyrat e qeverisë së tij, duke lavdëruar ukrainasit që po protestonin kundër trupave ruse.

“Unë jam këtu, dhe nuk do të dorëzohem. Nuk do të dorëzoj qytetin tim. Komunitetin tim. Kjo është Ukraina ime’”, tha Zelensky.

Videot e përditshme të këtij komediani, i kthyer në një hero që rrëfen përpjekjet e Putinit për të shkatërruar Ukrainën, nxitën përpjekjen globale për ta kthyer Rusinë në një vend të pabesë. Zelensky e ka tërhequr në mënyrë efektive Perëndimin në një luftë kundër Moskës, ndërsa SHBA dhe aleatët po dërgojnë raketa antitank dhe anti-ajrore në Ukrainë.

Sanksionet ndërkombëtare kanë “shkatërruar” ekonominë ruse, duke çuar monedhën e vendit, rublën, në nivelin më të ulët në disa vite. Diçka e tillë mund të nxisë pakënaqësinë kundër Putinit brenda Rusisë dhe të komprometojnë aftësinë e tij për të përforcuar trupat e tij në Ukrainë, raporton abcnews.al

Pasuritë e oligarkëve rusë janë sekuestruar nga Perëndimi, në një përpjekje për të krijuar presion brenda regjimit të liderit rus. Por gati dy javë pas fillimit të pushtimit, Perëndimi duhet të ketë gati opsionet për të shmanguar një përshkallëzim të mëtejshëm.

Dhe ka shenja në rritje se me gjithë heroizmin e tij, Zelensky mund të dalë kundër dëshirës së Perëndimit për të shmangur skenarin më të keq që mund të çojë në një luftë të tretë botërore. Por ai nuk ka hequr dorë nga presidenti amerikan, duke thënë në një intervistë në “World News Tonight with David Muir” të hënën në ABC:

“Jam i sigurt se Presidenti mund të bëjë më shumë. Jam i sigurt se ai ka mundësi dhe do të doja të besoja. Ai është i aftë ta bëjë këtë.”

“Të gjithë mendojnë se jemi shumë larg Amerikës apo Kanadasë. Jo, ne jemi në këtë zonë lirie,” tha Zelensky në intervistë, duke vënë në dukje se si lufta në Ukrainë mund të ndikojë së shpejti edhe në pjesën tjetër të botës.

“Dhe kur shkelen kufijtë e të drejtave dhe lirive, ju duhet të na mbroni, sepse ne do të jemi të parët, ju do të jeni të radhës, sepse sa më shumë të pushtojë kjo bishë, aq më shumë do të kërkojë.”

Krijimi i zonave të ndalim-fluturimit

Por thirrjet e përsëritura të Zelenskit për një zonë të ndalim-fluturimit janë hedhur poshtë nga fuqitë perëndimore për të shmangur një përplasje me forcat ruse. Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, e shpjegoi shumë qartë pse bllokimi i hapësirës ajrore të Ukrainës nuk do të funksionojë.

“Kjo do të thotë që nëse një avion rus shkel zonën e deklaruar, ne do ta rrëzojmë. Dhe kjo rrezikon të krijojë një konflikt të drejtpërdrejtë midis vendeve tona dhe Rusisë, dhe si rrjedhim një luftë më të gjerë, e cila nuk është në interesin e askujt.” tha ai.

Thirrja e dytë e Zelensky ishte që ish-shtetet e Paktit të Varshavës të furnizonin Ukrainën me avionë luftarakë të epokës së Luftës së Ftohtë, me të cilët pilotët e tij tashmë janë të trajnuar.

Ai i kërkoi ligjvënësve amerikanë gjatë fundjavës që ti dërgonin avionë.

“Polonia nuk do të dërgojë avionët e saj luftarakë në Ukrainë dhe nuk do të lejojë që vendi të përdorë aeroportet e saj, tha në një deklaratë një zyrtare polake.

Dhe sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, të hënën minimizoi idenë se SHBA-ja mund të dërgojë avionë në ndihmë të Ukrainës. Kjo ishte një shenjë se ndërsa Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë në një përpjekje për të shpëtuar Ukrainën, liderët e saj janë të kujdesshëm në marrjen e vendimeve, pasi kjo mund të çojë në një luftë të tretë bërthamore.

Bllokimi i naftës ruse në Europë

Në mënyrë paradoksale, sanksionet që kanë ndihmuar në rritjen e çmimit të naftës po mbushin më shumë arkat e Moskës për ta ndihmuar atë të luftojë dhe të paktën të shmangë disa nga ndikimet e sanksioneve. Kështu, ideja e bllokimit të naftës ruse shihet si pozitive për Uashingtonin, veçanërisht pasi nafta ruse përbënte më pak se 2% të të gjithë importeve të naftës amerikane në dhjetor.

Zelensky nga ana tjetër ka bërë thirrje për embargo të naftës ruse. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka “thyer” një vijë. Ai transformoi dekada të politkës së jashtme të Berlinit për të ndëshkuar pushtimin rus të Ukrainës — duke përfshirë dërgimin e armëve në një zonë konflikti dhe ndalimin e gazsjellësit Nord Stream 2.

Por Scholz tha të hënën se nafta dhe gazi rus ishte thelbësor për Europën. Hungaria tha gjithashtu se nuk do të mbështesë ndalimin e naftës dhe gazit rus. Moska përbën 40% të nevojave të BE-së për gaz dhe 27% të importeve të saj të naftës.

Nivelimi i sanksioneve mbi naftën ruse mund të përfshijë një marrëveshje më të madhe sepse do të parandalonte vendet në mbarë botën që ta përdorin atë nëse nuk do të donin të shkelnin ato masa. Por duke pasur parasysh se sa një prodhues i madh i naftës është Rusia dhe sa e varur është Europa nga ajo– pasojat financiare dhe politike mund të jenë masive.

Biden rishqyrton listën e oligarkëve për të ndëshkuar Putinin

Enigma mbi naftën ruse e ka bërë administratën e Bidenit të marrë në konsideratë listën e oligarkëve për të ndëshkuar Putinin. Natasha Bertrand e CNN raporton se zyrtarët amerikanë ishin në Venezuelë gjatë fundjavës për bisedime mbi furnzimin me naftë nga kjo e fundit.

Një marrëveshje e re e mundshme ndërkombëtare bërthamore me Iranin – për të zëvendësuar atë të shkatërruar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump mund të ketë një efekt të ngjashëm.

Dhe Biden mund të udhëtojë në Arabinë Saudite, një lider kritik në prodhimin e naftës. Kjo pasi SHBA-ja mbrojti Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, pas akuzave për vrasjen kolumnistit të Washington Post, Jamal Khashoggi në vitin 2018, raporton abcnews.al

Secila prej këtyre konsultimeve ka logjikën e vet të brendshme. Por rëndësia e këtyre kombeve për prodhimin global të naftës u ka dhënë atyre mundësi të reja pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimet e benzinës shënuan një rekord prej 4,14 dollarësh për fuçi të hënën. Ndërsa ka pasur mbështetje të fortë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, rritjet masive të çmimeve të gazit do të përbëjnë një provë të re të opinionit publik.

Ndërsa republikanët kanë qenë kryesisht mbështetës të linjës së ashpër të Bidenit ndaj Putinit, ka një pjesë tjetër që mendon se Biden dështoi. Ata kanë shfrytëzuar gjithashtu sugjerimet se SHBA-ja mund të bisedojë me armiqtë e saj në një përpjekje për t’i nxitur ata të prodhojnë më shumë naftë për të izoluar më tej Putinin.

Senatori Rick Scott i Floridës tha në një deklaratë të hënën: “Ne duhet të ndalojmë importimin e naftës ruse. Dhe ne duhet të mbështetemi te Venezuela. Kur do ta mësojmë këtë se nuk mund të mbështetemi te këta banditë?”

Polemika në rritje në Uashington është një shenjë paralajmëruese për Zelensky dhe që pritet të ndikojë edhe në Moskë. Sa më gjatë të zgjasë lufta në Ukrainë, aq më e madhe është mundësia që edhe kyeqytetet e vendeve të tjera të NATO-s të përfshihen nga presioni politik dhe strategjik.

Fati i Ukrainës varet nga një pyetje: Cili do të rezistojë më gjatë, njerëzit guximtarë të Ukrainës dhe presidenti i tyre, ekonomia ruse apo opinion i publikut perëndimor dhe tolerenca e liderve për një tension që është rritur tashmë nga deklarata e presidentit rus për vendosjen në gatishmëri të lartë të armëve bërthamore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!