MENU
klinika

Regjistrim i rrallë

Kur këndohej Himni Kombëtar më 1929!

18.03.2022 - 11:33

        Një video e hershme e himnit kombëtar, vjen për herë të parë me zë dhe figurë. Regjistrimin e vitit 1929, e sjell akademiku Vasil Tole.

Ky vit, shënon 150-vjetorin e lindjes së poetit, publicistitit e veprimtarit të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, i njohur me emrin e penës, si Asdreni.

Pamjet sjellin veshjet tradicionale dhe patriotët shqiptarë, që sërish ngjallin emocionet dhe dashurinë për atdhe… teksa, shqiptarë të të gjtha trevave këndojnë, me brohoritjen njëzëri: “Rroftë Shqypnia”.

Gjatë videos, shihen edhe sekuenca të periudhës së Shqipërisë si monarki, nën udhëheqjen e mbretit, Ahmet Zogu.

“Në 150-vjetorin e lindjes së Asdrenit, kemi kënaqësinë t’ju paraqesim për të parën herë, Himnin Kombëtar “Rreth flamurit te perbashkuar”, të kënduar me zë dhe figurë, në një filmim të rrallë, që i përket vitit 1929. Grupi i veshur me veshje popullore kombëtare, nga jugu në veri këndon Himnin Kombëtar me thjeshtësi dhe bukuri mahnitëse. “ –  shkruan Tole.

 

HIMNI I FLAMURIT

Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshirë e një qëllim,
të gjithë atij duk’iu betuar
të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor,
kush është burrë, nuk frikohet,
po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t’i mbajmë,
të mbrojmë atdheun në çdo kënd,
të drejtat tona ne si ndajmë;
këtu armiqët s’kanë vend.
që kombe shuhen përmbi dhe,
po Shqipëria do të rrojë,
për të, për të, luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj’ e shtrenjtë
tek ti betohemi këtu,
pë Shqipërin, atdheun e shtrenjtë,
për nder’edhe lavdimn e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
atdheuet kush iu bë therror.
Përjetë ai do të kujtohet
mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni – është poeti  i dy periudhave, përfaqësues i fazës së fundit të Rilindjes e deri në periudhën e Pavarësisë.

Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, që nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet, djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda.

Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900, filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri dhe premtues. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit.

Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904, botoi vëllimin me poezi “Rreze dielli” që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi, ndërsa do të përshëndetet nga Çajupi, me fjalët entuziaste; “Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti”.

Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndërra dhe lotë” ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.

Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut.

Në fakt, në vëllimin e tij të tretë me vjersha, “Psallme murgu”, botuar më 1930, gjejmë aludime për këtë qëndrim. Revoltën e tij, Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por, zhgënjimi nga realiteti shoqëror-politik u bë frymëzim edhe për vjershat me nota pesimiste ose vtë ftohta, që nuk janë  për poetin, veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu, çaste rënieje në krijimtarinë e tij.

Asdreni u bë i njohur si publicist, autor tekstesh shkollore dhe përkthyes, vitet e fundit të jetës përgatiti vëllimin “Këmbanat e Krujës”, ndërsa në letërsinë shqipe është poeti i talentuar lirik.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit