MENU
klinika

Analiza

Nevoja e SHBA-ve për vendet jo demokratike për të mposhtur Rusinë

24.03.2022 - 08:00

Nga Janan Ganesh “Financial Times”
Nuk ka asnjë mënyrë të fshehtë për ta dërguar sistemin antiraketor amerikan Patriot në një vend tjetër. E megjithatë presidenti amerikan Joe Biden, tentoi ta bëjë diçka të tillë. Presidenti amerikan ua ka lënë në dorë zyrtarëve të paidentifikuar në administratën e tij, që të konfirmojnë lajmin se Arabia Saudite ka marrë në dorëzimin sistemin e famshëm të ushtrisë së SHBA-së.

Dhe mund të kuptohet fare mirë sesa pa dëshirë e ka bërë këtë shefi i Shtëpisë së Bardhë. Në vitin 2019, ai premtoi se do ta bënte “një shtet të dorës së dytë” mbretërinë saudite, që akuzohet se vrau gazetarin kritik ndaj regjimit të Riadit. Vetëm këtë muaj, Biden e cilësoi botën moderne si një “betejë midis demokracive dhe autokracive”.

Por ajo që bie në sy në këtë rast nuk është dështimi i Biden për të përmbushur idealet e tij. Por paqëndrueshmëria e idealeve. Edhe kur SHBA-ja kishte monopolin e armës bërthamore, dhe një pjesë të madhe të prodhimit ekonomik botëror, ajo u detyrua të hiqte dorë nga disa skrupuj moralë, për të luftuar ndaj komunizmit në Luftën e Ftohtë të sapo-nisur.

Për shembull ajo shkoi shumë larg me procesin e de-nazifikimit të Gjermanisë së pasluftës.

Sponsorizoi forcat monarkiste në luftën civile në Greqi. Mbështeti sundimet autokratike në Korenë e Jugut dhe Amerikën Latine. Si një fuqi më pak dominuese nga sa ishte në mesin e shekullit XX-të, sot do të ishte e çuditshme nëse SHBA do të bënte zgjedhje të reja të aleatëve të saj.

Joe Biden mund ta udhëheqë SHBA-në drejt suksesit në krizën aktuale, vetëm nëse ai do të jetë i qartë për parametrat e saj. Armiku nuk është një abstraksion i quajtur “autokraci”. Përkundrazi është një agresor specifik, në një konflikt të përcaktuar territorialisht.

Nxitja e një ndryshimi në sjelljen e këtij agresori mund të jetë e mundur. Por kjo gjë ka të ngjarë të kërkojë bashkëpunimin e sauditëve të pasur me naftë, Turqisë me një vendndodhje strategjike, dhe një Kine që zotëron mjetet për ta mbrojtur Rusinë kundër sanksioneve ekonomike.

Fakti që asnjë nga këto vende nuk është demokraci liberale, nuk e redukton dobinë e tyre rrethanore. Nëse SHBA-ja duhet që të tregohet cinike në muajt e ardhshëm, ajo duhet që ta konsiderojë këtë si praktikë edhe për dekadat e ardhshme.

Vietnami renditet me 19 nga 100 pikët e mundshme në indeksin e Freedom House, duke u pozicionuar në një nivel me Rusinë dhe nën Ruandën. Por edhe ky vend po sheh me njëfarë shqetësimi sjelljen e Kinës, rivales së Amerikës. Asnjë udhëheqës serioz në SHBA, nuk mund të heqë dorë nga një miqësi e mundshme pragmatike me Hanoin, vetëm për shkak të modelit të brendshëm të qeverisjes.

Atëherë pse pretendohet e kundërta? Në rastin më të mirë, kjo vendos një pengesë morale të pamundur, e cila kur hidhet poshtë, e bën SHBA-së objekt të akuzave për hipokrizi. Në rastin më të keq, ajo e bën gjithnjë e më joshëse ofertën klasike kineze ndaj vendeve të treta:patronazh ekonomik, pa skrupuj moralë.

Betejat paralele të Amerikës kundër Rusisë dhe Kinës, bashkohen në terrenin e Arabisë Saudite. Duke pasur parasysh vrasjen e gazetarit saudit që jetonte në SHBA, Jamal Khashoggi, në vitin 2018, refuzimi i Biden për të mos biseduar me princin e kurorës Mohammed bin Salman, ka baza të forta morale.

Por nga ana tjetër, ai bart edhe pasoja. Dhe njëra prej tyre është sjellja hezituese e sauditëve mbi çështjen emergjente të shtimit të prodhimit të naftës. Tjetra, disi më pak emergjente, por jo dhe aq, është perspektiva e një mbretërie që bashkëpunon më ngushtësisht me Pekinin dhe jo me Uashingtonin.

Princi saudit shfrytëzoi një intervistë të fundit për “The Atlantic”, për t’i kujtuar Perëndimit se vendit të tij i mungojnë shumë gjëra, por jo opsionet. Habia me Uashingtonin si një kryeqendër e diplomacisë, është se ai është shfaqet shumë i ndrojtur në raport me atë që di të bëjë më mirë: realpolitikën.

Në aspektin e ndjekjes së ftohtë të interesave kombëtare, nuk ka asnjë që e dallon Londrën dhe Parisin, apo edhe Moskën. Studiuesi John Mearsheimer është i famshëm pikërisht për cinizmin e tij të deklaruar. Vendosmëria e Uashingtonit për të menduar mirë mbi veten, shkon ndonjëherë deri në shtrembërimin e kujtesës së Luftës së Ftohtë.
Biden është krahasuar kohët e fundit me Harry Truman, i cili tha dikur se SHBA do të “mbështesë popujt e lirë” në të gjithë botën. Por Doktrina Truman, ishte në të vërtetë Aspirata Truman, apo edhe Metafora Truman. Realiteti është se Amerika u detyrua të ishte pragmatike deri në amoralitet ndërmjet viteve 1945 dhe 1989-1991.

Të pretendosh ndryshe tani, është më se e kuptueshme si një pjesë e retorikës. Por rreziku është që një brez politikë-bërësish mund të arrijë ta besojë vërtet gënjeshtrën relativisht të padëmshme se Amerika i mposhti sovjetikët duke “mbrojtur vlerat e saj”, dhe të përpiqet ta përsërisë sot të njëjtën gënjeshtër.

Lufta e Ftohtë nuk ishte një përplasje mes lirisë dhe të kundërtës së saj. Armiku ishte një perandori specifike, dhe forcat që grumbulloi Amerika kundër saj përfshinin në periudha të ndryshme diktatorë laikë, teokratë, junta ushtarake, demokraci të pjesshme, monarkë absolutë dhe vetë Kinën e Kuqe.

Synimi strategjik nuk mund të ishte më fisnik. Taktikat ishin thuajse nihiliste në fleksibilitetin e tyre. Perëndimit do t’i duhet të bëjë edhe gjatë dekadave të ardhshme të njëjtin dallim mes qëllimeve dhe mjeteve. Është një lojë në të cilën SHBA-ja ka një farë talenti, pavarësisht nëse mund ta pranojë publikisht apo jo

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!

Të qëndrojë apo të largohet nga Ukraina?

“The Times”: Dilema hamletiane e Zelenskyt