MENU
klinika

Aliu nuk dinte shkrim...

Pashai shqiptar i lavdisë së Egjiptit

04.03.2022 - 13:08

         Vizitorëve dhe diplomatëve evropianë, Ali Pasha u thoshte shpesh, se “ishte lindur në një fshat në Shqipëri”.

Njohur botërisht si themeluesi i shtetit modern egjiptian, ai kontribuoi në zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe fuqizimin e ushtrisë vendase. Duke qenë një komandant i fuqishëm dhe i pushtetshëm në Perandorinë Osmane, ai jo vetëm që arriti të shtrijë sundimin e tij në Egjipt dhe Sudan (sundoi 17 maj 1805 – 2 mars 1848), por bëri histori edhe si një figurë me rëndësi madhore në Ako, Izrael, Gaza, Jeruzalem, Siri, Alepo, Damaskë, Mekë, Medinë etj. Dinastia që Mehmet Ali Pasha themeloi, do të sundonte Egjiptin deri në revolucionin e vitit 1952, kur mbreti Faruk u rrëzua nga Lëvizja e Oficerëve të Lirë udhëhequr nga Mohamed Naguib dhe Gamal Abdel Nasser, duke krijuar kështu, Republikën e Egjiptit.

Ai do të lindte në Zëmblak të Korçës, më 4 mars 1769. Familja e tij u shpërngul herët, në Kavalla të Greqisë. Mehmet Aliu ishte fëmija i shtatëmbëdhjetë nga fëmijët e zëmblakasit, Ibrahim agait, të cilët vdiqën njëri pas tjetrit.

Detyrën e parë publike, do ta përmbushte në moshën 18-vjeçare. Së bashku me dhjetë vetë të armatosur, shkoi për të bindur një fshat aty afër që të paguante taksat. Pasi i fut në xhami katër të parët e fshatit, u premtoi se nuk do të dilnin të gjallë nëse fshati nuk paguante taksat.

Në Egjipt, fillimisht do të shkonte si ushtar i thjeshtë i Portës së Lartë, por falë aftësive dhe zgjuarsisë së madhe, por dhe trimërisë së tij, do të bëhej komandant dhe me kalimin e kohës dhe pasha.

Ishte interesant fakti se: nuk dinte të shkruante dhe fliste vetëm shqip. Por, kjo nuk e pengoi të bënte karrierë ushtarake. Në ditët kur Napolon Bonoparti pushtoi Egjiptin, kur që nga koha e sulltan Selimit kishte qenë pjesë e pandashme e perandorisë osmane, Mehmet Aliu, ashtu si shumë myslimanë të tjerë, shtetas të perandorisë u ngrit për të mbrojtur këtë tokë të perandorisë osmane nga kolonizatorët e rinj.

Në krye të një batalioni shqiptarësh, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit dhe mbas shumë përpjekjesh luftarake, më në fund e çliroi Egjiptin nga zgjedha franceze. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile në vitin 1805, Mehmet Aliu me ndihmën e sheikut Azhar, do të merrte fermanin e sulltanit, për t’u bërë guvernator i Egjiptit dhe mori titullin ”Pasha”.

Egjipti i kohës, ishte i zhytur në varfëri ekstreme. Ndaj duke parë këtë gjendje, ai do të ndërmerte disa reforma shumë të rëndësishme dhe kështu morën hov bujqësia dhe industria e tregtisë. U rrit mirëqënia. Në Aleksandri, Rozet, Damiet nisën të ndërtoheshin fabrika të mëdha dhe gjatë kësaj kohe, më shumë se njëmijë anije tregtare përshkonin Nilin.

Me mbështetjen e francezëve u zhvilluan shumë ekspedita arkeologjike, duke i kthyer vendit lulëzimin e dikurshëm. Pikërisht gjatë kësaj kohe, kemi zbërthimin e hieroglifeve të famshme dhe shumë studime të rëndësishme.

Viti 1824 solli kryengritjet në Greqi. Sulltan Mahmudi i II, që nuk mund të shtypte dot rebelimin grek, thirri në ndihmë Mehmed Aliun, i cili, në krye të ekspeditës do të çojë të birin, Ibrahim Pashën. Ky i fundit, do të shuajë dhe shtypë revoltat në Greqi. Me fitoren e kësaj lufte, Mehmet Aliu do të shpërblehej nga sulltani dhe do të bëhet guvernator i Kretës.

Por, kjo gjë nuk u pëlqeu fuqive të mëdha (Britanisë, Francës dhe Rusisë). Këto të fundit, duke parë shtrirjen e gjerë të Mehmet Ali Pashës nga Sudani deri në Kretë, më 1827 dërguan forcat e tyre për të luftuar me Ibrahim Pashën, të birin dhe ky i fundit, pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye dhe u detyrua që të lëshojë pe për shtypjen e terrorizmit grek. Ai la në fushën e betejës, rreth 93 anije lufte.

Pikërisht gjatë kësaj kohe do të fillonte lëvizja vahabiste, që kishte pushtuar Mekën dhe Medinën. U bë një betejë e ashpër, që e fitoi Ibrahim Pasha.

Por shpejt, ambiciet e Mehmetit do të rriteshin. Ai ëndërronte të bëhej sulltan i Perandorisë Osmane. Pas fitores së betejës më 1839, me ushtrinë osmane në Konia të Anadollit, ushtria e Mehmet Pashës marshon drejt Kostandinopojës. Të gjithë historianët janë të një mendjeje që ai donte të bëhej sulltan. Por, ishin fuqitë e mëdha që do ta ndalonin këtë ambicie të tij… madje, ata e kërcënuan Mehmet Aliun që të mos marshonte më tej.

Pas kësaj përpjekjeje të fundit, Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku iu njoh e drejta e mbretërimit dhe nga ku rrodhi një dinasti e gjatë, që shkonte deri në vitin 1952.

Mehmet Ali Pasha do të vdiste në Aleksandri. Trupi i tij do të mbështillej me një shall kashmiri dhe me shpatën e tij, ai do të përcillej nga 22 sheikë, që lexonin vargjet e Kuranit dhe që e shoqëruan deri në xhaminë e Alabstros në Kajro, ku u varros.

 

 

Fotografia kryesore: Portreti i Mehmet Ali Pashës, nga Louis Charles-Auguste Counder, 1840

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Patrioti dhe intelektuali i shquar

Ana e errët e Esat Pashë Toptanit


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen