MENU
klinika

“The Guardian”

Pse nuk dua të largohem nga Kievi

16.03.2022 - 20:55

         Fjalët plot vendosmëri dhe shpresë, dëshmojnë jetën e përditshme në luftë… Profesori 50-vjeçar ukrainas, rrëfen ditët e vështira, për “The Guardian”:

Ne përpiqemi ta jetojmë jetën tonë këtu në Kiev, në këto rrethana, sa më normalisht të mundemi. E dimë sesa afër jemi në vijën mes jetës dhe vdekjes. Kur ka kaq shumë vrasje përreth, instinkti ynë i vetëm është të mbijetojmë.

Çdo ditë eci përreth qytetit tim të bukur, Kievit dhe bëj fotografi të disa prej vendeve më të bukura.

Unë jetoj në qendër të qytetit. Shumë gjëra këtu, kanë mbetur normale. Ka pasur disa granatime, por deri tani jemi mirë. Ne jemi ende në gjendje të blejmë të gjitha gjërat thelbësore – mish, bukë dhe qumësht – dhe rrjeti telefonik këtu ka funksionuar në mënyrë të përsosur.

Por ka ndryshuar diçka… Njerëzit në qytet, janë bërë më të mirë, me fillimin e luftës. Në dyqane, të gjithë janë kaq të sjellshëm me njëri-tjetrin. Isha në radhë në farmaci dhe dikush kishte nevojë për insulinë. Të gjithë e lanë të kalonte pa radhë. Nëse dikush mban shishe me ujë, do t’ju tregojë se ku ka mundur ta blejë.

 

Në disa mënyra, pandemia na përgatiti për luftën. Unë punoj në një universitet këtu dhe kam bërë shumë punë me studentët nëpërmjet internetit. Tani ka filluar lufta dhe unë vazhdoj të punoj online.

Nuk kam asnjë formim ushtarak, apo stërvitje, por nuk dua të largohem nga qyteti im. Pas 30 vitesh pavarësi, nuk dua që ne të humbasim demokracinë, për shkak të agresionit rus.

Prindrit dhe gjyshërit e mi, ishin kritikë ndaj qeverisë gjatë epokës sovjetike. Mund ta kujtoj kohën kur isha fëmijë dhe kur shkonim në dyqan kishte vetëm dy gjëra, një lloj këpucësh dhe batanije shumë të thjeshta. Dritarja jonë e vetme përtej perdes së hekurt, ishin dy gazeta në gjuhën angleze – “Moscow News” dhe “Morning Star”, që mund të gjendeshin vetëm në kioska të caktuara. Mund t’i përmbledh me një fjalë të vetme, çfarë përjetova kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë: “eufori”.

Ne nuk duam t’i kthehemi asaj kohe, ndaj po luftojmë agresionin rus.

Nuk ka shumë njerëz në rrugë, por një lloj normaliteti është kthyer. Gjithçka në qytet është ende e gjallë dhe lulëzon. Edhe pse, shumë gra me fëmijë të vegjël janë larguar, qyteti është ende i balancuar nga ana gjinore!

Kur filloi lufta, në Kiev të gjtihë ishin të tronditur, të paralizuar. Por, po përshtatemi.

Pjesa më e vështirë e kësaj situate, është frika për sigurinë e prindërve të mi. Babai im është 84 vjeç, plotësisht i verbër dhe nëna ime është 81. Ata dhe macja e tyre, me nofkën “Majmuni”, janë bllokuar në apartamentin e tyre në qytetin Sumy, ku ka pasur shumë bombardime.

Është me shumë rrezik të shkoj tek ata, sa dhe e pamundur që ata të largohen. Ata dëgjojnë shumë shpërthime, por deri tani janë në rregull.

Nuk e kam parë kurrë më parë, stacionin e hekurudhës kaq të mbushur me njerëz që niseshin për në Lviv dhe pjesë të tjera të Ukrainës perëndimore. Por, shumë refuzojnë të largohen nga Kievi. Jemi të vendosur për të qëndruar.

Ne e dimë se rusët po na rrethojnë dhe në ditë në vijim, pritet të ndodhë diçka.

Putini dëshiron të na kthejë në shekullin e kaluar. Ne duhet të kthehemi në shekullin e 21-të.

Unë kam shumë miq të huaj, të cilët janë shprehur kaq pranë nesh. Ana më pozitive e luftës, është uniteti në rritje. Ne jemi të fortë këtu në Kiev. Bota e jashtme, nuk mund ta shohë gjithë vendosmërinë e ukrainasve.

Ata shohin vetëm majën e një ajsbergu shumë të madh. Nën atë majë, ne jemi edhe më të fortë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i fortë i kryediplomatit të BE

“Putin mund të shënjestrojë një shtet të NATO-s”

Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!