MENU
klinika

"Dashuri të çmendura"

Bella Rosenfeld e Mark Shagall!

03.04.2022 - 13:31

       “Ka vetëm një ngjyrë, që i jep kuptim artit dhe vetë jetës. Është ajo e dashurisë”

Mark Shagall u takua me Bella Rosenfeld, në vitin 1909.

Qe dashuri me shikim të parë.

Muzë, bashkëshorte, bashkëpunëtore, për 35-vjet e reja do të jetojë në pikturë si zemra e artistit, po dhe përtej vdekjes.  Ja, këtë dashuri të vërtetë rrëfen Alain Vircondelet në librin: “Dashuri të çmendura, pasione fatale”, kushtuar pasioneve të mëdha dashuruar me artin./Konica.al

 

Nuk besoj të ketë pasur ndonjëherë ndonjë piktor apo artist, që t’ia ketë kushtuar kaq shumë talentin dhe krijimtarinë e tij lavdërimit të gruas sa Mark Shagall (1887-1985). Bella Rosenfeld (1889-1944) ishte rreth të 20-ve, kur në jetën e saj u fut piktori. Nismëtar është vendgjarja, një nga paraqitjet më të bukura të dashurisë me shikim të parë, një temë jashtëzakonisht romantike. Të shumtë janë autorët që i kanë përshkruar si Floberi, Ruso, Madamë dë la Fajet, Stendal, Balzak, por kurrsesi s’duhet anashkaluar rrëfimi i takimit që Shagall paraqet në autobiografinë e tij. Në shkurtësinë e tij, takimi ndriçon kujtimet dhe shpalos gamën e frymëzimit që Bella mundi t’i pëshpëriste. Ende i ri, Mark s’do t’ia dijë për të ashtuquajturat “romanticizma fëmijërie”. Disi dinak, por tejet i tërhequr nga bukuroshet, ai përpiqet t’i joshë: Olga, Tea, Aniuta, Nina, të gjitha parakalojnë në librin e kujtimeve si për t’i kujtuar atij magjepsjen e dashurive të papjekura fëmijërore në Shën Petërburg dhe Vitebsk. Pikërisht gjatë një vizite tek njëra prej tyre, Tea, të cilën pandehte se e dashuronte, ai u takua me Bella Rosenfeld.

Pas disa dekadash, pavarësisht nga çfarë ndodh dhe me të cilat do të ketë edhe fëmijë, përforcuar nga pikëllimi i vdekjes së saj, ai prapë s’e harron: kujtimi joshës i përshkon kujtesën, meqenëse e gjejmë pafundësisht në gjithë krijimtarinë, pjesën dërrmuese kushtuar të ndjerës. Teksa bisedonte me Tean, bie zilja e derës. “Kush është?” – i thotë ai. Ishte një mike e Teas. Futet brenda. Zëri i saj kumbon, ajo pëshpërit me Tean. Unë qëndroj ende në zyrë. Nuk dal. Po, dola, por shoqja, ngaqë ishte me kurriz, nuk më sheh. Ndiej… Çfarë po ndiej? […] Kush është ajo? Kam frikë. Jo, dua t’i afrohem, t’i afrohem asaj. Por tashmë ajo largohet nga Tea. Më hedh vetëm një shikim dhe largohet. Nisemi, unë dhe Tea, për një shëtitje. E takojmë sërish mbi urë. Ajo është vetëm, krejt vetëm. Papritur ndiej se nuk duhet të jem me Tean, por me të!

“Heshtja e saj është e imja. Sytë e saj, të mitë. Ishte sikur kishte një jetë që më njihte, sikur dinte gjithçka për fëmijërinë, për të tashmen, për të ardhmen time; sikur më kishte vëzhguar, sikur më kishte pasur pranë, edhe pse e shihja për herë të parë. Ndjeva se ajo ishte gruaja ime. Fytyra e zbehtë, sytë e saj. Sa të mëdhenj, të rrumbullakët dhe të zinj janë! Ata janë sytë e mi, shpirti im. Tea më dukej e parëndësishme, e huaj. Kam hyrë në një shtëpi të re dhe jemi të pandashëm”.

Këtij kujtimi të shkruar në 1922, Shagall do t’i qëndronte besnik deri në vdekjen e Bella, në 1944, nga një infeksion viral, në kohën kur ndodheshin në Shtetet e Bashkuara. Ai do t’i qëndrojë besnik edhe pas vdekjes, duke ruajtur një lidhje të përjetshmne me të, të rigjallëruar në vijimësi në tablotë e tij. Mirëpo, Bella do të ishte modeli dhe muza e përhershme e piktorit, e ikonizuar në njëfarë mënyre si gruaja e përjetshme që fluturon mbi qiell me kompozimet e tij imagjinare. Megjithatë, jeta mund të kishte prishur planet e djaloshit të dashuruar me gratë. […] Shagall u transferua në Paris, në qendrën e  madhe të artit. Një mrekulli dhe një zbulim që do ta stimulojë./Konica.al/ I prirur drejt fovizmit, për përdorimin e jashtëzakonshëm të ngjyrave dhe guximin e tyre, si dhe ndaj kubizmit, edhe pse nuk e pranoi plotësisht strukturën e tyre, ai frekuentonte artistë bohemë që do të bënin artin e shekullit të 20-të: Duanie, Ruso, Zhan Metzinger, Pol Kli; u miqësua me Robert Delonei dhe Gijom Apolinerin dhe u zotua t’i përkushtohej frymëzimit të tij, pajisur nga kujtime të largëta, si të filtruara, të qytezës Vitebsk, të jetës së përditshme hebreje, të cilat përzien në një memorial të çrregullt të Kullës Eifel dhe Montmartrë. Në vitin 1914, ekspozoi për herë të parë në “Salon des Indépendants” dhe më pas në Berlin, së bashku me Pol Kle dhe Alfred Kubin.

Mos vallë ishte kujtimi i paharruar i Bellës, ai që e ktheu në Rusi po atë vit? Ndërkohë, ajo ishte shndërruar në një bukuroshe 25-vjeçare dhe tashmë askush s’mund ta pengonte dashurinë e lindur para 5 vjetësh. U martuan në vitin 1915 dhe Bella, në vitin 1916, lindi vajzën, Ida.[…] Mark dhe Bella, të shoqëruar nga Ida, u transferuan në Moskë, ku piktori përsosi stilin të përbërë nga lirizmi dhe poezia, frymëzuar kryesisht nga bota biblike dhe hasidike. Udhëtojnë shumë, nisen për në Paris, më pas në Berlin, kthehen në Francë dhe pushojnë në qytetin jugor të Ceretit, ku ishin vendosur artistë të shumtë, të magjepsur nga drita që derdhej mbi kodrat e Roussillon-it: Aristid Majol, Sheim Sutin, Huan Gris, Pablo Pikaso… ku edhe qëndruan për dy vjet, midis 1927 dhe 1929.[…]

Me ardhjen e fashizmit në Evropë, jeta endacake dhe boheme e Shagallit është gjithnjë e më pak e sigurt dhe e rehatshme. Bella është ende udhërrëfyesja dhe muza e tij. Ajo e forcoi këtë dashuri, duke shkruar në jidish (1935-1944), kujtimet e saj, ato të kohës së paramartesës në qytetin e Vitebskut, të shndërruara në njëlloj arketipi i vendit të lumturisë.[…]

Tri vjet më vonë, për shkak të një infeksion viral, Bella vdes në moshën 55-vjeçare. Shagall i tronditur, nuk do të pikturojë për gati një vit për shkak të dhimbjes. “Për vite të tëra, – shkruante,  – arti im ndjeu ndikimin e dashurisë së saj”. Ai kujton përvjetorin e 1915-ës, për të cilin Bella, e sapomartuar, i dhuroi një buqetë me lule dhe fill pas marrjes së saj, e ndjeu se takimi ishte i pashmangshëm, duke deklaruar se “kishte funksionuar kimia”, nga e cila nuk mund të shpëtonte. Në të gjallë dhe përtej vdekjes, Bella nuk është vetëm gruaja thuajse biblike, por edhe muza absolute. Shumica e pikturave të tij zbulojnë praninë e saj: një nuse e përjetshme, e veshur me të bardhë ose ndonjëherë në blu, ngjyra e preferuar e Shagallit, që pluskon në ajër, siç bën një Magrit, por pa sofistikimin surreal. Tek Shagalli nuk ka synim surrealist, më saktë një dimension i shenjtë që i jep gruas së dashur. /Konica.al/Ashtu si Virgjëresha Mari, që hap pelerinën e saj për të mbrojtur njerëzimin që ka ardhur të strehohet në palat e saj, Bella fluturon mbi universin e piktorit, ajo mbulon me dallgë qiellore e të shndritshme, por mbi të gjitha mirëdashëse, ​​qytetin e rinisë së tyre i shndërruar në qytet legjendash.

Nga takimi i parë në vitin 1909, dashuria e tyre u bë tema kryesore: “Nusja me dorashka të zeza”, sigurisht Bella inauguron motivin më të përsëritur në pikturën e Shagallit. Më pas “Bella me jakë të bardhë” (1917), me stilin e Tamara de Lempicka, vështron kopshtin e shtëpisë së tyre, ku mund të hamendësojmë në miniaturë, një burrë dhe një fëmijë: Bella mbrojtëse supreme, perëndeshë e dashur, vështrimi serioz i së cilës ushqen pamjen. Në tablotë: “Të dashuruarit blu” (1914), “Ditëlindja” (1915), “Të dashuruarit nën jargavanë” (1930), “Tri qirinjtë” (1938), “Bashkëshortët e Kullës Eifel” (1938-1939), etj. gjejmë gjithmonë fytyrëbukurën Bella, kohë pas vdekjes, pavarësisht dy partnereve të tjera, Virginia Haggard, me të cilën do të ketë një djalë në 1946, më pas Valentina Brodsky, me të cilën do të martohet në 1952. Mirëpo, asnjë muzë tjetër nuk mundi ta fshijë kujtimin e Bellas, kujtim që Shagall vazhdoi të vizatonte, pikturonte dhe rrëshqiste në pikturat e me detaje të shumta, si gjurmë e pamohueshme e një dashurie, duke i shpëtuar çdo arsyeje dhe çdo syçeltësie./Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen