Blerja e gjigantit të medieve sociale, Twitter, nga miliarderi Elon Musk, ka rikthyer përplasjen e vjetër mes tij dhe miliarderit tjetër, Jeff Bezos. Themeluesi i Amazon la të nënkuptohet me një postim se Kina ka fituar ndikim në hapësirën publike tani që Musk bleu kompaninë Twitter.
“Pyetje interesante. A ka fituar qeveria kineze ndikim në hapësirën publike,” shkroi Bezos, në përgjigje të një gazetari të ‘New York Times’ që theksonte varësinë e kompanisë Tesla nga Kina për tregun e saj të madh dhe bateritë e litiumit. Gazetari shkruante se tregu i dytë më i madh për kompaninë Tesla është Kina dhe se bateritë kineze janë furnizuesi kryesor për makinat elektrike të Teslas.
Më tej ai thekson se Kina e ka ndaluar Twitter në vitin 2009 dhe qeveria e këtij vendi nuk ka asnjë ndikim në këtë platformë. “Por kjo mund të ndryshojë,” shkruan gazetari.
Megjithatë Bezos shkruan se situata është komplekse, duke shtuar se Musk është ekstremisht i zoti për të naviguar në situata të tilla komplekse.
Pasi u konfirmua se Musk do jetë pronari i ri i Twitter, miliarderi shtoi se fjala e lirë është themeli i demokracisë. Sipas tij, Twitter është hapësira publike dixhitale ku do debatohen çështje vitale.
Sipas Fox News, komentet e Bezos për marrëdhëniet e Musk me Kinën janë pak të çuditshme, pasi një investigim zbuloi në dhjetor se Amazon ka kapitulluar përpara kërkesave të Kinës për të vazhduar që të bëjë biznes në këtë vend.
Dhe në vitin 2019, gazeta Washington Post në pronësi të Bezos, publikoi tetë faqe reklamë për arritjet e qeverisë kineze.
Më herët gjatë këtij muaji, gazeta Washington Post shkroi se investimi i Musk në Twitter është një lajm i keq për lirinë e fjalës.
Musk reagoi duke thënë se gazeta e bën gjithmonë që të qeshë.