MENU
klinika

Deputeti sërish me kritika

Braçe: Kemi shoqata që funksionojnë si kartele në përcaktimin e çmimeve

19.04.2022 - 15:57

Deputeti Erion Braçe njihet si nje zë kundra brenda mazhorancës, ndërsa edhe në Komisionin e Ekonomisë ditën e sotme nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë.

Teksa po diskutohej për çmimet, ai foli me tone të ashpra duke thënë se tregu ynë është i deformuar, me abuzime, ndërsa shoqatat që përcaktojnë këto çmime funksionojnë si kartele.

“Tregu ynë është i deformuar. Ka probleme të mëdha të konkurrencës. Janë evidente për sa kohë ne shkojmë dhe ndërtojmë një bord për të ndaluar abuzimin. Nga se vjen abuzimi? Nga mungesa e lirisë dhe e konkurrencës në treg.

Kemi shoqata që përcaktojnë çmime, që funksionojnë si kartele në treg. Bordi nesër pasnesër mbaron lufta e përfundon funksionin e tij.

Duhet të rregullojmë tregun. Unë nuk dua të caktojnë çmimin që dua unë. Dua që çmimi të jetë i drejtë, të jetë produkt i kërkesës dhe ofertës. Shpenzimet e tyre janë ato që njihen nga ligji i procedurave tatimore. Referenca është vetëm ligjore. Kemi dy akte normative që ndryshojnë thelbësisht.

Është rritur premio. Te akti i dytë e keni lënë të lirë, sa ta sjellin ata. Për fat të keq nuk ia tregojnë as doganës. Se e kanë në marrëveshje”, ka deklaruar ai.