Humbja e Napolit nxori blutë përfundimisht nga gara, në katër javët e fundit, titulli në Serie A është një çështje mes dy ekipeve nga Milano. Milan e Inter as që kanë ndërmend të dorëzohen, këtë e vërtetuan sërish duke kaluar dy pengesa të forta, dy ekipet e kryeqytetit, Lazio e Roma.
Gjithçka nis të mërkurën, kur Inter do të rikuperojë ndeshjen e shumë debatuar, atë me Bologna. Një fitore e mundshme e zikaltërit do ti dhuronte kreun, në katër ndeshjet e fundit mjafton të sigurojnë katër fitore për të mbrojtur titullin në Serie A, pa qenë e nevojshme të kthejnë kokën pas.
Sfida kundër Romës tregoi se Inter e ka kaluar atë moment të vështirë, katër fitore radhazi janë një tjetër tregues i qartë. Në të njëjtën linjë duket edhe Milan, kuqezinjtë reaguan pikërisht në ndeshjen më të vështirë dhe më të rëndësishme që i rezervonte kalendari.
Nga këtu e deri në përfundim të sezonit, Pioli mund të mbështet edhe te Zlantan Ibrahimovic i rikuperuar më në fund. Inter gjithashtu ka një arsye më shumë për të buzëqeshur, kanë një kalendar më të lehtë në raport me Milan.
Kuqezinjtë presin Fiorentinën në “San Siro”, më pas luajnë kundër Verona në transfertë për të vijuar me Atalanta në shtëpi dhe e mbyllin kundër Sassuolos në transfertë.
Nga ana tjetër, Inter pas Bologna shkon në Udine më pas pret Empoli, do të luaj kundër Cagliarit në transfertë dhe e mbyllin kundër Sampdoria në “San Siro”. Por më 11 maj Inter luan edhe finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit.